1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Një vend në shpërbërje

Shtetet e Bashkuara nuk po gjejnë qetësi. Rishtazi u qëlluan për vdekje policë, shqetësimi për trazira të reja po rritet. Çfarë po ndodh në vendin mëmë të demokracisë? Ines Pohl analizon.

Shtetet e Bashkuara po japin simpoma të rrezikshme: Provën se sa shpejt shoqëritë demokratike mund të humbasin ekuilibrin, në një botë, ku forcat centrifugale të globalizmit po e shkatërrojnë rendin e njohur politik. Në një botë, ku njerëzit e gjejnë shpëtimin tek nacionalizmi dhe në botën digjitale nuk gjejnë qetësi për shkak të tensionimit të vazdhueshëm. Kontekstet e ngjarjeve nuk analizohen më, siç është e nevojshme. Në vend të kësaj gjenden shpejt fajtorët, bota ndahet në të mirë e të këqinj, në "ne" dhe "ata".

Pjesa e pasur e botës duhet të ndajë

Për shkak se realiteti është bërë shumë i lodhshëm dhe nuk ofron përgjigje të thjeshta më, për shkak se një analizë e ndershme konkludon me idenë se pjesa e pasur e botës duhet të ndajë, sepse ajo e varfra nuk e shikon më pabarazinë në mënyrë paqësre - ndodh kjo që po ndodh.

Pohl Ines Kommentarbild App

Ines Pohl

Për këtë arsye në vendin e emigracionit, SHBA është rritur agresiviteti mes kulturave të ndryshme, feve dhe ngjyrës. Prandaj vriten përditë njerëz në rrugë, nxënës shkolle dhe policë. Sigurisht ligjet dorëlëshuara për armët kanë pjesën e vet këtu. Po ashtu e vërtetë është se edhe racizmi që mendohej si i tejkaluar, luan rolin e tij. Ende.

Një gjuhë pa besueshmëri

E megjithatë ky problem ka edhe një dimension tjetër. Rendi i njohur, ashtu siç ishin mësuar nejrëzit në këtë vend rrezikon të shpërbëhet. Njerëzit nuk janë më të gatshëm, të pranojnë pasojat e një rendi të ri botëror. Politikanet e politikanët nuk po gjejnë një gjuhë të besueshme, që së bashku me institucionet, sindikatat, shoqërinë civile, policët e nëpunësit e shtetit të japin zgjidhjet e duhura.

Skenë për inskenime

Kush udhëton në vitin 2016 mes për mes SHBA-së, ndeshet me një vend që merr arratinë prej realitetit. Kësaj i përshtatet edhe fakti që president i Shteteve të Bashkuara kërkon të bëhet një njeri, që ka pasur suksese të mëdha në shout televiziv të tipit Reality-TV. Njerëzit gjejnë strehë në botëra virtuale. Bëjnë inskenime për fotot që hidhen në Snapchat, Facebook, Instagram apo media të tjera sociale.

Kush udhëton nëpër Amerikë mund të shohë, se si fëmijët 1 vjeç bëhen gati sapo shohin një kamera. Mund të shohësh se si të rinjtë të shtunave në pub-e, nuk flasin, por ulen përbri njëri-tjetrit për të pozuar për fotot që shkojnë pastaj online.

Realiteti po degradon në një skenë për inskenimin e jetës, që shpesh realiteti nuk e përballon dot. Ka shumë studime që arrijnë në përfundimin se për shumë vetë vizita në restorant, një shëtitje, darka familjare, "përjetohet" vërtet, vetëm kur postohen foto dhe videoklipe. Kjo arrin edhe momente zie, si në përkujtimin para rajonit të policisë në Dallas, ku njerëzit përqafohen, në momentin që kamera është ndezur.

Donald Trump e përdor këtë realitet të inskenuar me kështjellat pompoze në sheshet e golfit, me rubineta të artë në "Trump Tower", ngjyrën e sprucuar të fytyrës apo flokët fallco. Ai duhet ta bëjë këtë, sepse nuk ka substancë. Trump e bën këtë, sepse herët ka mësuar t'i joshë njerëzit. Dhe ai është kaq shumë i suksesshëm sepse shumë njerëz sot më me dëshirë ëndërrojnë për një botë të shkuar, se të punojnë për një të re.

Ju mund të jepni mendimin Tuaj në fund të këtij artikulli. Ne ju mirëpresim!