1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: një festë për Renzin, jo për BE

23 Gusht 2016

Çfarë do të vijë pas Brexit? Ç'pamje ka e ardhmja e Evropës? Përgjigje do të jepte takimi i nivelit të lartë në Ventotene. Vetëm njëri mund të jetë vërtet i kënaqur, mendon Bernd Riegert.

https://p.dw.com/p/1JnYK
Italien Dreiergipfel zwischen Merkel, Holland und Renzi
Fotografi: picture-alliance/dpa/Bundesregierung/G. Bergmann

Ai është i shkathët. Këtë duhet t'ia pranojmë. Matteo Renzi, i vetëemëruar kryereformator i shoqërisë italiane, e paraqiti veten mirë. Me takimin simbolik të nivelit të lartë pranë varrit të njërit prej baballarëve të lashtë të Evropës ai e bëri të qartë se ku dëshiron të shkojë. Renzi dëshiron të udhëheqë. Jo vetëm në Itali, por edhe në Evropë.

Këtë ai e ka pësëritur mjaft herë që para Brexit-it. Por pasi britanikët vendosën të largohen nga klubi, Renzi dalloi shansin që tani mund të luajë mjaft përpara. Jo lokomotiva gjermano-franceze, por një treshe e përbërë nga Italia, Franca dhe Gjermania duhet ta drejtojë, sipas tij, Evropën në drejtimin e duhur. Pak pas Brexit, treshja u takua në Berlin. Tani, pas një distance më të madhe kohore zhvillohet takimi në ishull dhe në një aeroplanmbajtëse, e cila natyrisht simbolizon edhe pretendimin italian për drejtim. Kjo anije ka zakonisht komandën në misionin detar të BE-së për shpëtimin e refugjatëve në Mesdhe (Sophia).

Italien Dreiergipfel zwischen Merkel, Holland und Renzi
Fotografi: picture-alliance/dpa/Bundesregierung/G. Bergmann

Matteo Renzi e përcaktoi rrugën që para takimit me fjalët se BE-ja duhet të shkëputet nga rregullat e rrepta, nga teknokracia. BE nuk duhet të jetë një bashkim bankash, por duhet të ndjekë sërish ideale dhe të ketë qytetarët në qendër të vëmendjes. Këto fjalë të bukura kanë natyrisht synim zgjedhësit italianë, të cilët të trishtuar për politikën e kursimit të shpikur gjoja nga Gjermania kërkojnë më shumë pavarësi nga Brukseli. Fjalë më konkrete Renzi nuk tha, as në Ventotene dhe në aeroplanmbajtësen Garibaldi. Por ky as nuk ishte synimi i aktivitetit. Synimi ishin pamje të bukura, të cilat e paraqesin Matteo Renzi-n si paraprijës në BE. Kancelarja gjermane dhe Presidenti francez mbetën dekor zbukurues, aq më tepër kur ata nuk qenë në gjendje të paraqesin ide vërtet të reja. Angela Merkel merr pjesë në këtë marrëdhënie trianëtarëshe. Ajo i lëvdoi reformat ekonomike të Renzit pa ia plotësuar atij dëshirën e madhe për të marrë më tepër borxhe. Renzi e lëvdoi bujarinë e madhe të Merkelit. Gjithsesi ajo ka pranuar tetë herë më shumë refugjatë se Italia.

Riegert Bernd Kommentarbild App
Bernd Riegert

Janë miq mjaft të mirë të dy? Natyrisht kjo marrëdhënie bëhet me llogari. Merkeli këkon ta integrojë Renzin, të mos krijojë përplasje. Ajo ka nevojë për mbështetjen e Italisë kur vjen puna për zgjidhje praktike për çështjen e refugjatëve, për raportin me Turqinë, për mbrojtjen nga terrori dhe për më shumë investime. Opozitë ajo ka mjaft nga shtete si Polonia dhe Austria. Pra ajo lejon që te Renzi të përqendrohet e gjithë vëmendja në atdheun e tij, për ta forcuar Renzin. BE nuk sheh alternativë ndaj Renzit aktualisht në Itali.

I forcuar në një mënyrë të tillë, kryeministri dinamik guxon të largohet edhe nga një premtim në politikën e brendshme. Tani ai nuk do më që ta lidhë fatin e tij politik me një referendum për kushtetutën në nëntor. Një mbrëmje para takimit të nivelit të lartë, Matteo Renzi deklaroi se do të mbetet me çdo kusht në post deri në zgjedhjet e rregullta në mars 2018. Ai e ndien veten mjaft të fortë. Figura e mirë që ai bën në parketin evropian do ta ndihmojë që të shënojë pikë në shtëpinë e tij.

Për Renzin, opereta e takimit të nivelit të lartë e Ventotenes ishte sukses. Bashkimin Evropian spektakli nuk e çoi vërtet përpara. Ai ndodhet në bankën e provës, siç vërejti Kancelarja Merkel. Diagnoza e paqartë.

Bernd Riegert' Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE