1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në emër të popullit?

Naser Schruf20 Maj 2014

Një gjeneral në pension merr peng një vend të tërë - sipas tij për t'i sjellë popullit libian rend dhe drejtësi. A vepron ai me të vërtetë në interes të qytetarëve? Naser Schruf komenton

https://p.dw.com/p/1C2ld

Që prej vrasjes së pushtetmbajtësit libian, Muamar al Gaddafi në tetor 2011, Libia nuk gjen qetësi. Zhvillimi i fundit dhe ndoshta më i rrezikshmi janë luftimet në Bengasi, qytetit të dytë për nga madhësia të Libisë dhe qytetit ku lindi revolucioni, midis njësive të gjeneralit kryengritës Chalifa Hafter dhe milicëve islamistë. Duket gati e harruar që të dyja palët deri para pak vitesh kanë luftuar përkrah njëri-tjetrit. Luftimet aktuale janë zgjeruar në mënyrë dramatike dhe kanë arritur kryeqytetin Tripoli: luftëtarë të armatosur sulmuan atje parlamentin tranzitor libian dhe e shpallën të shpërndarë. Qeveria e pafuqishme në Tripoli e akuzon Hafterin se bën përpjekje për puç, por nuk është në gjendje të ndërmarrë gjë, për ta ndaluar ose arrestuar atë.

"Shpëtues i kombit"

Bengasi dhe rrethinat e tij janë një territor ku janë grumbulluar shumë lëvizje nacionaliste dhe islamike, por qartë dallohen dy rryma: njëra kërkon një sistem federal qeverisës - por shpesh synon të themelojë vetëm një shtet brenda shtetit dhe të zbatojë interesat partikulariste të fiseve. Për këtë ajo sulmon institucionet qeveritare, bllokon portet dhe shet naftë pa miratimin e qeverisë qendrore në Tripoli. Lëvizja tjetër kryesore kërkon të themelojë një shtet islamik mbi bazën e Sharisë- gjë që mund të çojë në një ndërhyrje ushtarake nga jashtë vendit. Rivalitetet shfaqen në mënyrë brutale: më shumë se dhjetë politikanë dhe gjeneralë u vranë gjashtë muajt e fundit. Granata dhe raketa fluturojnë në lagjet e Bengasit. Njerëzit nuk guxojnë më të lëvizin të lirë në rrugët e Bengasit.

Gjenerali i Egjiptit Sisi si model

Po t'i besosh Hafterit, atëherë del që populli libian e ka thirrur atë për ta çliruar nga "grupet terroriste". Kjo metodë të kujton mënyrën e veprimit të ish-shefit të ushtrisë së Egjiptit, Abdelfatah Al Sisi, i cili sipas tij kishte vepruar gjithashtu me kërkesën e popullit. Sisi kritikoi para pak kohësh, se në Libi ka shumë armë, të cilat NATO-ja duhet t'i kishte mbledhur para fundit të sulmeve kundër trupave të Gaddafit. Të duket sikur gjenerali Hafter e sheh pikërisht këtë si detyrën e tij dhe spekullon për këtë për mbështetje ndërkombëtare nga Egjipti dhe SHBA. Por me çfarë mandati?

Nuk ka mandat - kaq e thjeshtë është e gjitha. Të paktën populli libian nuk ia ka dhënë këtë mandat. Ajo që ekziston është një mënyrë e rrezikshme të menduari, e cila po përhapet në rajon pas zhgënjimeve të pranverës arabe: gjeneralë që paraqiten të fortë lejohen të shkelin me këmbë parimet demokratike, për të krijuar dikur siguri dhe stabilitet. Hafteri mund të ketë të drejtë kur i quan milicët islamikë rrezik për demokratizimin. Por ai që sulmon parlamentin, kontribuon edhe më pak për demokratizimin.