1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Martin Schulz, lojtar serioz!

100 % mbështetje - por sa gjatë mund të mbajë kjo eufori? Për fansat e tij Schulz duket si një popstar. Duket si një prijës që mund të fitojë në garën për kancelar.

Në kongrese të partive tregohet zakonisht një unitet i madh me ceremoni festive. Muzikë triumfaliste, brohoritje, duartrokitje frenetike, fytyra që shkëlqejnë. Të gjitha i kemi parë edhe më parë. Por e jashtëzakonshmja e Kongresit të SPD ishte që Martin Schulz përjetoi diçka që nuk është përjetuar më parë. Euforia e 2500 delegatëve dhe mysafirëve në Kongres ishte e vërtetë dhe jo vetëm e aktruar. Schulzi është kryetari i parë i SPD, i cili në këtë post zgjidhet pa asnjë votë kundër!

Por a ka të bëjë kjo me politikë, me përbërje, substancë? Për këto gjëra Martin Schulz nuk ka ofruar tepër koncepte dhe do të zgjasë edhe të paktën tre muaj deri sa t'a paraqesë programin e plotë të partisë - në fund të qershorit. Ka shumë tema ku mund të shtrohen pikëpyetje, por kjo nuk është tema e tanishme.

Krenari dhe entuziazëm

Për momentin bëhet fjalë për fakte, program dhe angazhim në nivelin politik. Bëhet fjalë për simbole, projeksione dhe pritje. Martin Schulz shërben për ngritjen e ndjenjës dhe këtë e bën shumë mirë. Ai plotëson një vakuum emocional me shumë lehtësi dhe entuziazëm. Shton krenarinë e të qenit socialdemokrat, që në 10 vitet e fundit nuk ka qenë fare e lehtë. SPD është kritikuar shpesh për tradhëtimin e vlerave elementare socialdemokrate.

Kur Martin Schulz thotë se do të ndryshojë diçka, pavarësisht se çfarë - kjo shihet si një ilaç për zemrat socialdemokrate. Kjo është një ndjenjë shprese, sepse bëhet fjalë për "drejtësi". Tani kujtohet shpesh koha e madhështisë së socialdemokratit Willy Brandt. Të tilla janë ndjenjat. Me mijëra persona janë kthyer në SPD. Partia ka fituar peshë. A thua Martin Schulz është vërtetë një alternativë për Angela Merkel?

Politikani i ri

Një alternativë, sipas së cilës Martin Schulz shihet si "personi i ri", pavarësisht se tingëllon paradoksale. Schulz ka qenë më parë kryetar i Parlamentit Evropian dhe nuk ka rënë prej qiellit. Por politikanët e nivelit evropian vërtet trajtohen shpesh si me pikë prej një planeti tjetër, sepse rrallë paraqiten në Gjermani, ndërsa Brukseli duket politikisht larg.

Nga kjo perspektivë Martin Schulz mund të shihet si një figurë e re. Në anën tjetër ai nuk e përsërit gabimin e ndonjë të riu në politikë, sepse ka profilin e vet politik, e di shumë mirë si të paraqitet dhe çfarë të thotë. Ai ka gjestikulimet e duhura, mimikën dhe e di se cili buton duhet shtypur në momentin e caktuar. Me këto gjëra ka një sukses shumë të madh në qytetet më të vogla dhe në fshatra, sepse njerëzve atje u jep ndjenjën se dikush vërtet po interesohet për ta dhe po i dëgjon mendimet e tyre. Jo si politikanët tjerë që rrinë në Berlin dhe shkojnë në vendvotimet e tyre për vetëm disa orë.

Do të vazhdojë mbështetja deri në shtator?

Pyetja më e madhe është nëse kjo eufori do të zgjatë deri në shtator? Ai tani është kryetar partie dhe kandidat për kancelar. Ai është numri një i SPD, i cili duhet të caktojë drejtimin politik, por edhe të mbajë përgjegjësi. Schulz nuk është anëtar i Qeverisë dhe nuk duhet të ketë shumë kujdes për kritika ndaj saj. Ai mund të sulmojë Qeverinë dhe të profilohet. Ka një liri politike, që nuk e kanë të tjerët. Kjo i jep një përparësi të jashtëzakonshme. Fillimi është në rrugën e duhur, sepse njerëzit janë të interesuar për një botë me drejtësi. Kjo është një temë atraktive. Nëse Martin Schulz nuk bën shumë gabime në gjashtë muajt e ardhshëm, do të ketë shumë shansa që me 24 shtator vërtetë të luajë një rol shumë të rëndësishëm.