1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lojërat e Trumpit kanë nisur

Ines Pohl
14 Nëntor 2016

Ndoshta Trumpi nuk do të jetë kaq i keq si president? Ines Pohl nuk e ka këtë shpresë.

https://p.dw.com/p/2SgGV
USA Wahlkampf TV Debatte New Hampshire Republikaner
Fotografi: Reuters/C. Allegri

Sa për kujtim: Presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ka asnjë përvojë politike. Ai nuk ka mbajtur asnjë ditë të jetës së tij 70 vjeçare ndonjë post publik. Si biznesmen, trashëgimtari i pasur herë pas here ka dështuar, i është dashur disa herë që të shpallë faliment  dhe ka mbijetuar, sepse bankat dhe kreditorët do të kishin humbur më shumë para, po ta kishin lënë që të falimentonte përfundimisht. Too big to fail, ky është termi që përdoret, shumë i madh për të dështuar. 

Suksesin e mirëfilltë ai e pati me spektaklin "The Apprentice". Një spektakël, që ai e moderoi dhe që është guri i themelit të perandorisë, që ai dhe familja e tij kanë ngritur me markën Trump. Është pikërisht kjo kohë kur Trumpi mësoi si t'u hedhë hi syve njerëzve, që t'i bëjë ata të besojnë botë të ëndërruara, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse false dhe studio filmike. Botë që nuk bazohen në fakte, por në iluzione. Një recetë suksesi, të cilën ai e ka përsosur me vite dhe me të cilën ai më në fund fitoi luftën për në Shtëpinë e Bardhë.

Dinjiteti i postit

Dhe tani ai po merr postin më të lartë në të gjithë botën, dhe askush nuk e di se çfarë e pret botën. Prandaj daljet e tij të para në publik pas betejës zgjedhore u ndoqën dhe u interpretuan me vëmendje. Si do të reagojë ai? A do ta zbusë atë dinjiteti i postit? A do t'i sulmojë ai edhe më tej gratë, myslimanët dhe latinoamerikanët? Apo "ai mundet" të komunikojë edhe "me respekt"? Dhe para së gjithash, cilët janë këshilltarët që do të marrë ai në krah? Sepse do të jenë ata që në fund do t'i vënë vulën agjendës politike të Trumpit. Që pas fjalimit të tij të fitores mbrëmjen e zgjedhjeve, edhe në kampin e kritikëve më të fortë të tij u dëgjuan me zë të ulët fjalë lehtësimi. Toni i tij qe i përmbajtur, jo therës i keq. Edhe vetë për Hillary Clintonin ai gjeti fjalë falenderimi në vend të shpirtligësisë. Edhe në vizitën në Shtëpinë e Bardhë një ditë më vonë, ai diti si të sillet, dukej gati si nxënës i vogël shkolle krahas Presidentit Obama.

Pushteti i pamjeve

Dhe pastaj pasoi intervista e parë. Jo konferencë shtypi, siç bëri pasardhësi i tij direkt pas zgjedhjeve. Por gjithsesi një intervistë në formatin e respektueshëm "60 minuta".

Trumpi e di sa të rëndësishme janë simbolet, sepse janë pamjet ato që mbeten të fiksuara në kujtesën kolektive. Prandaj përmbajtje thuajse inekzistente e kësaj interviste nuk luan asnjë rol. Përveç faktit, që edhe Presidenti i zgjedhur Trump me sa duket nuk ka ndërmend që t'i bëjë detyrat e tij të shtëpisë dhe që të paktën të ketë një përgjigje për çështjet më të rëndësishme.

Ines Pohl
Ines Pohl

Me këtë inskenim, Donald Trump tregoi se si e përfytyron regjencën e tij. Jo si një president i zgjedhur në mënyrë demokratike, i cili kërkon kompromise politike dhe që është i gatshëm të punojë fort për to. Trumpi e vë veten në skenë si sundimtar monarkik, i cili e qeveris botën nga karrigia e larë në ar. Dhe që nuk ka interes për detaje të çështjeve, si rregullat për abortin apo dëbimin e njerëzve. Për këtë ai merr në institucionin e tij personel.

E edhe këtu, vendimet e para konfirmojnë se Donald Trump është larg heqjes dorë nga kursi i tij racist dhe denigrues ndaj njerëzve. Këtu nuk ndryshon gjë as fakti, që si shef të shtabit të tij ai mori në Shtëpinë e Bardhë bosin e republikanëve, Reince Priebus. Një politikan me rrjet shumë të mirë kontaktesh, i cili i nevojitet që ai të arrijë të punojë me republikanët.

Përjashtim dhe urrejtje

Në të njëjtën kohë, Trump shpalli që si pjesë të kryesisë dyshe, me të drejta të barabarta, ai ka emëruar si këshilltar strategjik Steve Bannon. Kjo është një goditje në fytyrën e të gjithë atyre, të cilët patën shpresuar se posti do ta bënte të arsyeshëm Trumpin.

Sepse Bannon, ish- operatori i faqes radikale konservatore Breitbart përfaqëson si gati askush tjetër përjashtimin dhe urrejtjen, antisemitizmin dhe armiqësinë ndaj grave. Pikërisht me këtë,  në postin e këshilltarit të fushatës elektorale për Donald Trumpin, ai u kujdes për fitoren e tij.

Trumpi e di se si mund të përvetësosh role, për të qenë i suksesshëm. Ai e di se cilat aleanca duhet të lidhësh, për të qenë në gjendje që të bësh biznese. Dhe fytyrën e vërtetë ai nuk e tregon në kursin e ri të pajtimit me kamerën - por në zgjedhjen e këshilltarit të tij strategjik. Dhe në inskenimin e tij si sundimtar, i cili nuk e rrethon veten me kompetencë politike, por me njerëz të ngjashëm me të.