1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Larg syve, larg mendjes

Dita Botërore e Refugjatëve: Për shkak të krizës së refugjatëve në Europë, fati i tyre është është bërë temë në të gjithë botën. Megjithatë gjendja e refugjatëve për fat të keq ka ndryshuar pak, mendon Oliver Sallet.

Në Greqi tashmë gjendja është sërisht e rregullt. Çadrat e kampeve të egra në kufi me Maqedoninë janë zhdukur. Jeta në baltë, midis tymit, plehrave dhe fekaleve mori fund. Qeveria greke e pastroi territorin. Evropa mund të mbushet lirisht me frymë, pamjet e fëmijëve në baltë tani nuk do të na duhet t'i durojmë më. Më shumë se 50.000 refugjatë vazhdojnë të qendrojnë në Greqi, shumica nën strehimin e shtetit, në kampet zyrtare te qeverisë greke.

Por atje gjendja nuk është më e mirë se më parë. Situatë të padenjë për njeriun e quan gjendjen atje Organizata për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara. Por organizatat e ndihmës dhe shtypi nuk lejohet të afrohet. Dhe atje ku nuk ka paditës, nuk ka as gjykatës.

Në të gjithë botën 60 milionë vetë ndodhen në arrati

Kjo në një kohë kur fati i atyre që kanë mbërritur në Greqi është vetëm një fusnotë në historinë e përbotshme të krizave të refugjatëve. Kombet e Bashkuara flasin për rreth 60 milionë refugjatë në të gjithë botën, gjysma e tyre janë fëmijë. Fati i tyre në Evropë në masën më të madhe nuk dihet, sepse shumica e tyre as nuk na afrohen. Refugjatë nga lufta civile në Siri, dhjetëra mijëra vetë kanë ngritur kampe në vende si Zaatari në Jordani ose në Turqi. Në Libi vlerësohet se rreth një milion refugjatë presin të vijnë në Evropë.

Telat me gjemba në kufijtë e Shengenit këto ditë duken normale

Në vendet tona ne përpiqemi ta vëmë situatën nën kontroll, sepse shifrat e refugjatëve duhet të ulen. Për gjashtë miliardë euro, Turqia i mban larg Evropës refugjatët dhe i strehon ata në qytete çadrash - Austria dhe shtetet e Ballkanit i mbajnë të mbyllura kufijtë. Teli me gjemba në kufijtë e Schengenit duket gati normal.

Rrethi vicioz i kalimeve ilegale të kufirit dhe i kthimeve pas ka kohë që ka nisur. Dhe ne jemi sërish aty ku ishim verën e shkuar. Matrapazë të paskrupujt premtojnë kalimin në Evropë në varka të tejmbushura. Vetëm këtë vit në Mesdhe janë mbytur mbi 3000 vetë. Rreth 1000 vetë më shumë se vitin e kaluar.

Oliver Sallet

Oliver Sallet

Por megjithatë politikanët i shesin si të suksesshme në Evropë masat. Është e vërtetë: numri i të ardhurve ka rënë në mënyrë drastike. Dhe qytetarit i përcillet mesazhi: më pak refugjatë në vend dhe problemi quhet i zgjidhur. Kemi të bëjmë me një politikë të kthimit të kokës në anën tjetër, të fshehjes nën rrogoz, e cila premton tek ne qetësim, por e cila është një hipokrizi e pashoq. Sepse kriza e refugjatëve vazhdon, edhe jashtë kufijve evropianë. Një zgjidhje globale nuk ka.

Një zgjidhje e vërtetë kërkon që të zgjidhen shkaqet e arratisë. Por për aq kohë sa në Siri vazhdon të luftohet, njerëzit do të përpiqen edhe më tej të vijnë këtu. Asnjë tel me gjemba nuk do t'i pengojë ata - vetëm Mesdheu do të kthehet gjithnjë e më shumë në kështjellën varr vdekjeprurëse të Evropës.

Në Gjermani ne vazhdojmë t'i mirëpresim refugjatët - por në rrugën për këtu ata i kërcënon vdekja. Do të ishte mirë që t'i jepet fund cinizmit dhe që të krijohen mundësi legale ardhjeje për njerëzit në nevojë dhe kjo të bëhet në të gjithë Evropën, jo vetëm në një koalicion të atyre që duan të ndihmojnë. Kjo do të ishte të paktën një perspektivë - edhe për shumë miliona refugjatë në të gjithë botën, fati i tyre as që dihet në Evropë.