1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: KUNDËR - Rezoluta për Armeninë

2 Qershor 2016

Kryeredaktori i DW Alexander Kudascheff e konsideron të gabuar rezolutën e Bundestagut. për Armeninë

https://p.dw.com/p/1IyZF
Deutschland Demo von Armeniern in Berlin
Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Pilick

Natyrisht që nuk mund ta thuash gjë kundër, që Bundestagu e quan gjenocidin kundër armenëve gjenocid dhe e bën këtë me fjalë të mëdha. Vetëm një pyetje shtrohet: pse e bën këtë? A ka ndonjë shkak? Me përjashtim të mendjemadhësisë morale, apo fare të mendjemadhësisë gjermane? Jo, nuk ekziston vërtet një shkak i tillë.

Kuptimi, perceptimi, inkuadrimi historik i gjenocidit si gjenocid - kjo është punë e turqve. Ata duhet të përballen me historinë, me të kaluarën e tyre. Ata duhet të përkthejnë në turqisht "40 ditët e Musa Dagh", këtë roman kaq depërtues sa edhe emocionues të Franz Werfelsit për martirizimin e armenëve në Luftën e Parë Botërore në Perandorinë Osmane. Ata duhet ta bëjnë atë pjesë pjesë të programeve mësimore në shkolla - kur të përballen me historinë e tyre. Por kjo nuk është detyrë e Bundestagut Gjerman - aq më pak e të gjitha partive në emër të të gjithë gjermanëve-, që ta marrin përsipër këtë detyrë në emër të popullit turk dhe të politikës turke. Kjo është një përzierje në punët e brendshme, ky është kalim i kufijve. Kjo nuk është vetëm mendjemadhësi, kjo është prepotencë.

Kur na pëlqen neve morali dhe kur jo?

Për t'u kuptuar drejt: këtu nuk është fjala për moral, këtu është fjala për qendrimin gjerman. Mënyra si janë përballur gjermanët me të kaluarën e tyre, me Rajhun e Tretë, me Luftën e Dytë Botërore dhe para së gjithash me masakrën industriale ndaj hebrejve evropianë mund të merret shembull nga shumë popuj. Por në radhë të parë është një çështje gjermane, që kjo thyerje civilizimesh të kuptohet, të rikujtohet, të pranohet - si trashëgimi, si faj i së kaluarës gjermane.

Alexander Kudascheff, kryeredaktori i DW
Alexander Kudascheff, kryeredaktori i DW

Po të mendojmë që këtë duhet ta bëjnë edhe turqit - atëherë këtë mund ta kërkojnë historianët gjermanë, politologët gjermanë, ekspertët në të gjitha podiumet e botës - para së gjithash në ato gjermano-turke. Kurse Bundestagu nuk është vendi i duhur. Apo duam të dënojmë tani edhe stalinizmin, maoizmin, sundimin e Kmerit të Kuq, luftën e Vietnamit si krim kundër njerëzimit?

Kur na përshtatet neve morali dhe kur nuk na përshtatet? Dhe para së gjithash: çfarë rezulton prej kësaj? Asnjë marrëdhënie me këto vende dhe popuj, derisa ata të jenë përballur me të kaluarën e tyre? Jo: rezoluta e Bundestagut Gjerman - si edhe ajo e Asamblesë Nacionale në Francë para disa vitesh - është një gjest moral që të nderon. Por ajo është akt prepotent, mendjemadh dhe - më e keqja - pa pasoja. Diplomacia nuk është garë e subjekteve të respektueshme moralisht. Ajo është mënyra e arsyeshme dhe racionale e trajtimit që shtetet i bëjnë njëri-tjetrit. As më shumë. As më pak.