1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kufiri i sipërm, i cili nuk lejohet të quhet i tillë

Volker Wagener
10 Tetor 2017

Matje politike forcash midis Angela Merkelit (CDU) dhe Horst Seehofer (CSU). Në fund, të dy e gjejnë daljen e emergjencës, mendon Volker Wagener.

https://p.dw.com/p/2lWzs
Berlin PK Merkel Seehofer Union einigt sich auf Kompromiss im Flüchtlingsstreit
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Kappeler

Si arrin ujku të ngopet, pa e prekur delen? - Fare thjesht: me anë të politikës! Ujku bavarez Horst Seehofer, i kthyer në mënyrë asgjësuese në kuota normale mbështetjeje nga zgjedhësit, që i hoqën 10 përqind në zgjedhjet e fundit, arriti me të vërtetë që ta sigurojë prenë e tij. "Kufiri i sipërm", fjala e ndaluar për limitin vjetor për refugjatët, tani është gjë e vendosur për unionistët. Dakord, tani nuk quhet më kështu. Për këtë do të flasim pak më vonë.

CSU nuk dëshiron askënd djathtas vetes

Ja që kështu janë punët pas zgjedhjeve: gjithçka ripërshtatet. CSU humbi vendçe në zgjedhjet parlamentare, megjithatë është në gjendje të shtrojë kërkesa. Jo vetëm sepse Merkelit i duhet patjetër motërza e vogël nga Gjermania Juglindore. Jo, por edhe sepse e ka humbur fuqinë një thënie e moçme me autoritet e CSU-së. Që djathtas CSU-së duhet të jetë vetëm muri - e parë politikisht dhe ideologjikisht. Franz Josef Strauß, dikur ikona e kristjansocialëve në Republikën e vjetër Federale Gjermane e kishte gdhendur dikur në gur këtë parullë. Por që prej 24 shtatorit të këtij viti, AfD-ja e zhvendosi murin. Ajo tani ndodhet djathtas CSU-së. Këtë do dhe duhet ta korrigjojë Seehoferi.

Dakordimi i unionistëve në Berlin, jo vetëm që të përmendet, por të fiksohet edhe në procesverbal koncepti i diskutueshëm për pranimin e refugjatëve, është një shembull klasik për atë se sa pragmatike mund të jetë politika, kur personat që veprojnë e kanë me plotëkuptimin e fjalës thikën në fyt.

Kufiri i sipërm dhe kushtetuta

Nga pikëpamja e së drejtës kushtetuese, kjo me kufirin e sipërm nuk vete fare. E drejta për azil nuk njeh kufi të sipërm, këtë Merkeli e ka përsëritur pa pushim dhe e ka mbajtur si një monstrancë para vetes. Pra duhet të gjendej një zgjidhje në përkufizim. Kufiri i sipërm tani nuk vlen vetëm për azilkërkuesit. Në një miksturë migrimi, refugjatësh dhe imigrimi personash të kualifikuar tani duhet të përmblidhet, ajo që më parë quhej krejt ftohtë "kufi i sipërm".

Po kjo nuk ka rëndësi, me këtë Horst Seehoferi mund të jetojë. Për të ka rëndësi përmbajtja materiale e asaj për të cilën u ra dakord, dhe ai e quan rezultatin një "libër kursi" për politikën ndaj refugjatëve të viteve të ardhshme.

Volker Wagener
Volker Wagener

Pas kësaj dy gjëra dihen me siguri: nga njëra anë, partitë unioniste mund të shfaqen siç e sugjeron edhe emri i tyre. Pikërisht si parti të motrave që janë dakord. Dhe: CSU-ja mund t'i vihet menjëherë punës për të mbledhur gjithçka që ndodhet djathtas saj dhe "ka legjitimitet demokratik". Në Bavari, vitin e ardhshëm janë zgjedhjet për parlamentin e Landit. CSU-ja do ta rikuperojë njollën e turpit në zgjedhje, ku mori rreth 38 përqind dhe t'ia marrë "zgjedhësit që janë ngatërruar" së ardhurës rishtas, AfD-së.

Municion për zgjedhjet e landit 

Angela Merkelit iu desh të gëlltitet për herë të parë, në rrugën për të ngritur të vetmin koalicion qeveritar të mundshëm, aleancën me FDP dhe të Gjelbrit. Po si u arrit që Angela Merkel të mbetet pa u prekur dhe që Horst Seehoferi të ngopet? Kancelarja qe në gjëndje që ta shmangte konceptin e "kufirit të sipërm", por pranoi një shifër. Më shumë se 200.000 refugjatë, azilkërkues ose imigrantë në vit nuk duhet të ketë. Kjo i duhej bavarezit. Ai ka zgjedhje para vetes, të cilat Merkeli sapo i la pas. Seehoferi mund t'i deklarojë CSU-së se arriti ta marrë me luftë kufirin e sipërm. Dhe Merkeli mund të pohojë edhe më tej: e drejta për azil nuk njeh kufi të sipërm.