1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Evropa pa përgjigje ndaj skandalit të NSA-së.

Matthias von Hein21 Shtator 2013

Që nga qershori vazhdon seria e zbulimeve rreth grumbullimit të pafund të të dhënave nga shërbimi sekret amerikan NSA. Zemërimin duhet ta ndjekin konsekuencat në politikat industriale, komenton Matthias von Hein.

https://p.dw.com/p/19lNX
Fotografi: picture-alliance/dpa

Hiç më pak se sa dijeni absolute duket se synon të arrijë shërbimi i fshehtë amerikan NSA. Thjesht sepse mundësitë teknike e bëjnë shumë të mundshëm arritjen e këtij objektivi.

Në mbarë botën gjithnjë e më shumë njerëz rrethohen nga aparatura të lidhura me internetin, që lënë gjithnjë e më shumë gjurmë digjitale. Aoa analizohen gjithnjë e më mirë nga kompjuter gjithnjë e më të fuqishëm me algoritme gjithnjë e më të sofistikuar. Amazon i njeh librat e preferuar të klientëve të vet dhe e di se çfarë muzike dëgjojnë. Google e di se çfarë temash u interesojnë njerëzve. Facebook-u e njeh ambientin tuaj social.

Kompanitë e kartave të kreditit e njohin prirjen tuaj të konsumit. Metadatat e komunikimit zbulojnë se më kë flet një person dhe ku gjendet ai. Të gjitha këto informacione së bashku japin profile të sakta: qytetarin transparent.

Pushteti thuhet se të korrupton. Pushteti absolut të korrupton absolutisht.

Prandaj demokracia jeton edhe nga kufizimi i pushtetit: nga transparenca, kontrolli dhe institucionet e pavarura. Në rastin e NSA ky kontroll duket se ka dështuar. Gjykata sekrete autorizojnë punonjës të shërbimeve sekrete të analizojnë me programe sekrete të dhënat e mbledhura. Ne jetojmë në një botë të kthyer me kokë poshtë. Në të duket se kanë të drejtë paranojakët dhe ata, që u besojnë teorive të konspiracionit.

Nëndetëse me pajisje të posaçme lexojnë të dhënat e kabllove me fibër optike nga fundet e deteve. Hard- dhe software-t e koncerneve amerikane të teknologjisë informative, dominues të tregut botëror, janë plot deriçka, që ua lehtësojnë hyrjen hajdutëve të të dhënave. Po madje edhe programet e njohura të kodimit janë të prekur nga përpjekjet për të spiunuar. Fakti që edhe Kombet e Bashkuara spiunohen kundër garancive ndërkombëtare, regjistrohet me një ngritje supesh. Edhe që ambasadat e vendeve mike europiane përgjohen. Me luftën shumë të përmendur kundër terrorizmit kjo nuk ka të bëjë aspak.

Matthias von Hein komenton
Matthias von Hein komentonFotografi: DW

Qeveritë evropiane deri tani kanë reaguar me një rezervim të dukshëm. Edhe për arsye se shërbimet sekrete të disa shteteve bashkëpunojnë në spiunimin dixhital. Eshtë një klimë e mosbërjes zë. Nga ana tjetër shumë qeveri evropiane nuk përtuan, t'ia mohonin avionit të presidentit bolivian Morales të drejtat e e fluturimit, për të ndihmuar SHBA në gjuetinë ndaj nxjerrësit të sekretit Edward Snowden. Kjo sjellje është e turpshme. Snowden meritonte mbështetje dhe që t'i ofrohej azil politik.

Kritika më e fortë ndaj projektit monstruoz të përgjimit total digjital vjen nga Brukseli. Në fakt përgjigja për imponimet e shërbimit sekret amerikan duhet të jetë evropiane. Përgjigja duhet të shkojë përtej zemërimit pa efekt dhe theksimit të vlerave evropiane dhe të përmbajë një komponent të politikës industriale: ngritjen e industrisë së vet për teknologjinë e informacionit, që ofron alternativa ndaj pajisjeve të rrjetit nga SHBA, apo nga Kina. Që ofron alternativa tërheqëse dhe mbi të gjitha të sigurta në krahasim me shërbimet e njohura të gjigantëve amerikanë të internetit. Nëse Evropa pozicionohet qartë në anën e mbrojtjes së privatësisë, nga vlerat mund të krijohet një epërsi konkurruese.