1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: kthesë në politikën ndaj refugjatëve

Kersten Knipp14 Shtator 2015

Me vendimin për rivendosjen e kontrolleve në kufirin me Austrinë, qeveria gjermane e ka tërhequr politikën e deritanishme të saj ndaj refugjatëve. Kjo ngre një pyetje të dhimbshme, mendon Kersten Knipp.

https://p.dw.com/p/1GWFR
Deutschland Flüchtlinge Grenzkontrollen Thomas de Maiziere
Fotografi: picture-alliance/dpa/P. Zinken

Vendimi erdhi papritur. "Përkohësisht" Gjermania do të vendosë kontrollet në kufirin me Austrinë, deklaroi ministri i Brendshëm Thomas de Maizière në një konferencë shtypi të organizuar papritur të dielën në mesditë. Gjermania ndihmon. Por gatishmëria për ndihmë nuk duhet sforcuar.

Përkthyer në gjuhë të thjeshtë kjo deklaratë s'është gjë tjetër veçse pranim i dështimit të praktikës së javëve të fundit, për t'u garantuar azil pa kufizim refugjatëve sirianë dhe për t'i lejuar ata të hyjnë të papenguar në Gjermani. Mbi 60.000 vetë kanë mbërritur që nga fundi i gushtit vetëm në Mynih - shumë për një qytet, por shumë edhe për Republikën Federale, e cila nuk arriti ta verë situatën nën kontroll. Në mbarë federatën mungojnë vendstrehimet. Në Mynih refugjatëve natën e kaluar iu desh të flenë në stacionin e trenit.

De facto vendimi për rivendosjen e kontrolleve në kufi është edhe një pranim, se e drejta themelore e azilit në teori nuk njeh kufij të sipërm. Por në praktikë ditët e fundit ky kufi është arritur.

Deutsche Welle Kersten Knipp
Kersten KnippFotografi: DW/P. Henriksen

Pasoja dramatike

Pasojat afatshkurtra të këtij vendimi janë dramatike. Qarkullimi i trenave mes Austrisë dhe Hungarisë ndërkohë është ndërprerë. Qindra forca policie po vendosen në zonën kufitare Gjermani-Austri. Në afërsi të kufirit me Çekinë dhe Poloninë, sipas të dhënave të agjencive, do të zgjerohen kontrollet e rastësishme. Me fjalë të tjera: refugjatët nuk do të mund ta arrijnë Gjermaninë as përmës rrugëve të tërthorta.

Qindra forca: një prani gjigante policie, e cila tani duhet të veprojë kundër njerëzve, të cilët nisen nga deklarata, se ligji themelor i azilit nuk njeh kufi të sipërm. Ata do ta ndiejnë tani veten të mashtruar, e jo pak syresh do të përpiqen që tani premtimin e shkelur ta realizojnë vet. Meqënëse nuk është më e mundur të hyjnë legalisht, ata do të ndjekin rrugën ilegale, duke e kaluar fshehurazi kufirin. Këtë duhet ta pengojnë disa qidnra forca të policisë.

Reagimi i botës arabe

Pas imazheve të kulturës "së mirëseardhjes" tani në botë përhapen imazhe të tjera. Ato shihen edhe në botën arabe. Mbetet vetëm të shpresojmë, që njoftimi, se Gjermania ka arritur në limitetet e kapaciteteve, do të kuptohet dhe vlerësohet. Nëse jo, atëherë Gjermania në sytë e shumë arabëve shumë shpejt nga vend i lëvduar mund të shahet.

Kjo nuk do të ishte e habitshme, sepse në botën arabe shumë pak e njohin nivelin e debatit të brendshëm gjerman. Në Gjermani ditët e fundit shpërtheu një debat intensiv për të drejtën e pakufizuar të azilit. Ky debat nuk u zhvillua aq në mediet e etabluara, por shumë më tepër nëpër forumet e lexuesve. Shumë shprehin shqetësimin e madh, nëse vërtetë do t'ia dalim? Si qendron puna me kapacitetet e shtetit social, i cili duhet të kujdeset për azilkërkuesit? Si qendron puna me mundësitë e integrimit kulturor? Shumë lexues shkruajnë, se ata e ndiejnë veten të anashkaluar.

Irritim tek fqinjët

Vendimi, për t'i pranuar sirianët të papenguar në Gjermani, shkaktoi irritime të mëdha tek vendet fqinj të Gjermanisë, kryesisht në radhët e vendeve europiano-lindore. Përfaqësuesit e këtyre vendeve tërhoqën vëmendjen, se ky premtim do të ketë efektin joshësh të pakontrollueshëm. Për aq kohë sa kufijtë e jashtëm europianë nuk janë të sigurtë, deklaruan ata duke iu referuar Marrëveshjes Shengen, nuk mund dhe nuk duhet që të lejohet udhëtimi i pakontrolluar drejt Gjermanisë.

Vendimi i fundit e ka zbehur tani për tani efektin nxitës për të ardhur në Gjermani. Kjo krijon hapësirë, për të vënë në jetë harmonizimin urgjentisht të nevojshëm të politikës së azilit në shtetet e BE-së. Edhe përmes kuotave të shpërndarjes, që ndërkohë janë bllokuar, mund të bisedohet sërish.

Vendime të dhimbshme

De facto vendimi i fundit i qeverisë dhe praktika e politikës së azilit gjatë javëve të fundit në landet federale kanë pasur efektin e kundërt. Kjo politikë përcakton kufij. Ku konsistojnë kufijtë, sa mund të jetë nurmi i fatlumëve, që pranon vendi dhe i jofatlumëve, që nuk lejohen të hyjnë këtu - këto pyetje tani duhen diskutuar më intensivisht. Eshtë një ndër çështjet më të dhimbshme dhe në aspektin etik më të ndërlikuarat. Qysh sot është e qartë: Republika Federale duhet të përballet me këtë çështje.