1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Republikanët e pandreqshëm

Michael Knigge2 Tetor 2013

Për herë të parë pas 17 vitesh, SHBA-ja gjendet e bllokuar financiarisht, pasi që Kongresi nuk ka mundur të bie dakord për buxhetin. Kriza në SHBA tregon se sa i fuqishëm mund të jetë një grup radikal.

https://p.dw.com/p/19sdw
Fotografi: Reuters

Republikani i moshuar John McCain ka të drejtë. Bllokada e buxhetit amerikan me qëllim që në minutat e fundit të evitohet reforma në shëndetësi e presidentit Barack Obama është në kundërshtim me vullnetin e popullit. Vet McCain ka kërkuar në fushatën e fundit zgjedhore për postin e presidentit që të evitohet kjo reformë dhe nuk e ka fituar shumicën e votave të zgjedhësve amerikanë. Obama ishte ai që fitoi shumicën e votave.

Por analiza e John McCain dhe e shumë republikanëve të tjerë më të matur duket se nuk i intereson fare krahut konservator në parti. Konservatorët kërkojnë me këmbëngulje pezullimin dhe evitimin e zbatimit të reformës shëndetësore, pavarësisht çmimit që duhet paguar. Krahu konservator udhëhiqet në këto kërkesa nga senatori i ri i Teksasit Ted Cruz, një prej krerëve të lëvizjes radikale brëndapartiake "Tea Party", i cili konsiderohet si një prej kandidatëve kryesor republikan për postin e presidentit në zgjedhjet e vitit 2016. Konservatorët nuk hezitojnë madje as nga bllokada e gjithë vendit, në qoftë se është e domosdoshme për të evituar reformën socialiste shëndetësore të Obamës.

Michael Knigge
Michael Knigge

Qytetarët si viktimë

Republikanëve konservatorë nuk u intereson fare fakti që me këtë reformë nuk preket Obama, por qytetarët e thjeshtë të cilët jetojnë nga financat e shtetit, të cilat edhe ashtu po zvoglohen kohët e fundit. Duke besuar se kanë të drejtë ata mendojnë se për realizimin e qëllimit janë të lejuara të gjitha mjetet dhe kështu e kanë marrë peng të gjithë SHBA-në.

Konservatorët në radhët e republikanëve mendojnë se kjo masë ka qenë e domosdoshme prej kohësh. Ata mendojnë se ka ardhur koha për të bërë hapin e fundit dhe për të bllokuar financat e shtetit dhe këtë hap tani e kanë bërë.

Kundër shtetit

Ata që besojnë se krahu radikal me Cruz dhe shokë do të heqin dorë shpejt nga kërkesat e tyre, pas shkaktimit të fiaskos së shtetit, nuk e njohin mirë seriozitetin e krahut radikal të republikanëve të njohur si "Tea Party". Nën moton "lëre bishën të ngordhë nga uria", prej vitesh ata po përpiqen që me të gjitha mjetet ta bllokojnë qeverinë - me përjashtim të ushtrisë. Ndaj është shumë e mundur që krizën e buxhetit nuk duan ta zgjidhin deri me 17 tetor 2013, me qëllim që kërkesat e tyre t'i lidhin edhe me domosdoshmërinë e rritjes së kufirit të borxheve të SHBA-së. Ky shantazh i dyfishtë mund të shkaktojë edhe falimentimin e ekonomisë më të madhe në botë, me pasoja të paparashikueshme.