1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: konsensusi i ri i azilit

Eshtë i nevojshëm një koncept i përbashkët europian për refugjatët. Por modeli gjerman nuk mund të jetë, mendon Christoph Hasselbach.

Serbien Flüchtlinge auf dem Weg nach Ungarn Warteschlange

Refugjatë në kufirin hungarez

Brenda të hapur, jashtë të izoluar. Ky është parimi i sistemit pa kontrolle kufitare të Shengenit. Shtetet pjesëmarrëse i hapin kufijtë e brendshëm të tyre, por vetëm, sepse njëkohësisht ato mbrojnë kufijtë e jashtëm të BE-së. Por këtij parimi i ka dalë boja tërësisht.

Çdo ditë mijëra refugjatë kalojnë të papenguar nga Italia në Austri e më tej drejt Gjermanisë. Në itinerarin ballkanik refugjatët madje i kalojnë shpesh tri herë kufijtë e jashtëm të BE-së: pasi mbërrijnë në vendin e BE-së Greqi ata i nisin për në vendin jo anëtar të BE-së Maqedoni, e cila proteston ashpër kundër kësaj. Maqedonia nga ana e saj i kalon këta njerëz drejt Serbisë e që andej ata vazhdojnë rrugën drejt Hungarisë e kësisoj futen sërish në territorin e BE-së e të Shengenit.

Hungarezët më në fund, ndonëse kryesisht vendi i tyre shfrytëzohet vetëm si tranzit, janë të mbingarkuar dhe po ndërtojnë një gardh kufitar. Shumë në Europë indinjohen për këtë. Por në fakt Hungaria me gardhin mbron jo vetëm veten, por edhe kufijtë e jashtëm të BE-së, ashtu siç edhe pritet prej saj.

Rruga e veçantë gjermane

Hasselbach Christoph Kommentarbild App

Christoph Hasselbach

Sistemi i deritanishëm Dublin, sipas të cilit përgjegjës për refugjatët është vendi, në të cilin ata shkelin fillimisht territorin e BE-së, prej kohësh është kthyer në farsë. Shtetet më të prekura Italia dhe Greqia e injorojnë Dublinin, ndërkohë që vendet që janë destinacioni final i refugjatëve, kërcënojnë gjithnjë e më shpesh, se do t'i kontrollojnë sërish kufijtë e tyre. Shengeni, një ndër arritjet më të mëdha të Europës, është në rrezik.

Në këtë situatë emergjence nuk arrihet asgjë duke u grindur për një shpërndarje më të drejtë të refugjatëve. Duke u izoluar ndaj një stretegjie të përbashkët nuk mund të ketë një zgjidhje të tillë: një rregullim i kuotave refuzohet nga shumë shtete. Nga ana tjetër nuk mund të vazhdohet më kështu as me pranimin vullnetarisht, sepse dikur vendet shembullorë Gjermania e Suedia do të arrijnë në limitet e tyre.

Gjermania aktualisht ndjek një rrugë të veçantë në politikën ndaj refugjatëve, duke pranuar këdo që vjen. Politikanët ofrojnë me tepricë propozime për nënshtetësinë e integrimin, pa shtruar pyetjen, nëse ndokujt i takon vërtetë e drejta e azilit. Kjo është unikale në mbarë botën.

Guterres s'ka asgjë kundër dëbimit

Komisari i Komisariatit të OKB-së për Refugjatët, Antonio Guterres, për vite me radhë ka apeluar ndaj europianëve, që të pranojnë më shumë refugjatë nga Siria dhe Iraku. Por ai di ta bëjë dallimin mes refugjatëve të luftës civile dhe atyre ekonomikë. Nëse tani pikërisht ai kërkon që të hapen në kufijtë e jashtëm qendra regjistrimi të financuara nga BE, kjo flet shumë.

Në këto "hot spots" duhet të regjistrohen jo vetëm të gjithë refugjatët që vijnë, por edhe të verifikohet nevoja e tyre për mbrojtje. Kush vjen për arsye ekonomike as që nuk duhet të lejohet të futet në BE. Me sa duket edhe Guterres e ka kuptuar, se çfarë rrezikohet në aspektin shoqëror-politik në Europë, nëse do të vazhdojë migracioni i pakontrolluar.

Të tilla qendra regjistrimi duhet të kenë standarde të unifikuara. Këto do të bënin që të lehtësoheshin vendet e para, ku hyjnë refugjatët. Por do të lehtësoheshin edhe vendet si Gjermania, ku janë komunat ato që u duhet ta përballojnë barrën e dështimit në nivelet e larta deri në nivelin europian.

Shtrohet pyetja nëse kjo funksionon. Një gjë e tillë mund të funksionojë vetëm nëse merret parasysh edhe ana e pakëndshme e një sistemi të tillë. Do të duhej të dëboheshin që në kufijtë e jashtëm të gjithë ata që nuk i përmbushin kriteret për azil, dhe të dëboheshin me konsekuencë edhe të gjithë ata, që u devijojnë qendrave të pritjes fillestare, pavarësisht se në ç'vend arrijnë ata. Vetëm kështu do të kishte më shumë akceptancë për shpërndarjen e atyre që vërtetë kanë nevojë për mbrojtje. Edhe presioni ndaj Shengenit do të ulej dukshëm. Kjo do t'i jepte fund edhe rrugës së veçantë që ndjek Gjermania mbi këtë çështje. Tani është koha për këtë.