1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Kampionat Evropian i kundërshtive

Asnjëherë nuk ka qenë një ngjarje futbollistike e lidhur kaq fort me frikën, sa ky Kampionat Evropian në Francë. Megjithë kërcënimin nga terrori, Kampionati Evropian ka shans për një Happy End, mendon Josha Weber.

8600 banorë, 102 lindje në vit, katër shkolla, tri azile pleqsh, një teleferik - jeta në Évian-les-Bains është mjaft e thjeshtë. Ai që e viziton këtë vend të bukur në bregun jugor të Liqenit të Gjenevës, përshëndetet nga një peizazh impresionues: ujë deti në ngjyrë blu-gurkali, shumë gjelbërim, hotele mondane të vjetra, Alpet gjigande në sfond. Edhe më shumë pamje idilike nuk bëhet. Por as më shumë periferi. Parisi dhe frika e atjeshme e pranishme kudo për atentatet terroriste ndihet edhe më larg se 600 kilometra. Në periferi të Republikës bota është ende në rregull, kështu duket.

Weber Joscha Kommentarbild App

Joscha Weber

Një festë futbollistike ende e paplotë

Pikërisht këtu do të qendrojë ekipi i Kombëtares gjermane. Vërtet që menaxheri i ekipit Oliver Bierhoff donte ta vendoste rezidencën në kryqytetin e shkëlqyer, por trajneri federal, Joachim Löw kërkoi të kundërtën: qetësinë e provincës. Ndoshta në kujtim të qytezës së vjetër Santo Andre, strehim i Kombëtares gjermane në Brazil. Por ndoshta edhe për t'iu shmangur sa më shumë të jetë e mundur atyre kujtimeve të tmerrshme të 13 nëntorit 2015. Atentatet e Parisit, që qenë drejtuar edhe kundër Kombëtares gjermane dhe që e detyruan ekipin gjerman ta kalonte natën në hapësirën e brendshme të stadiumit, hedhin hijen e tyre mbi festën e shumëpritur, e cila në fakt ende duhet të bëhet e tillë.

Kampionati Evropian do të jetë i ndryshëm. Një shprehje që këto ditë lexohet shpesh. Por këto fjalë janë të vërteta: asnjëherë nuk ka qenë një ngjarje futbollistike e madhe kaq shumë nën hijen e frikës. Shërbimet e fshehta paralajmërojnë për atentate, policia dhe ushtria patrullojnë, ekipet e futbollit ruhen me rreptësi. Shumë tifozë, menaxherë por edhe lojtarë ka kohë që nuk flasin më vetëm për futbollin - ata diskutojnë se ku është e sigurtë dhe ku ndoshta jo. Edhe korrespondentët e Kampionatit Evropian të DW kanë udhëtuar me një ndjenjë të përzier për në Francë. A do të mbetet gjithçka në paqe? A janë marrë të gjitha masat për sigurinë? Franca bën më të mirën, por garanci nuk mund të japë askush.

Pa emocione futbolli nuk është asgjë

Nga ana tjetër, kërcënimi është shumë i shpërndarë, shumë arbitrar, shumë pak i kapshëm. Kjo është arma më e pabesë e terrorizmit. Ai arrin të futet në mendjet tona, ndryshon mendimet dhe emocionet tona. Kjo në një kohë kur janë emocionet ato që e bëjnë një Kampionat Evropian të futbollit një ngjarje vërtet të magjishme. Euforia takon frikën. Ky është Kampionati Evropian i kundërshtive.

Edhe në aspektin sportiv. Kurrë nuk janë takuar kaq shumë "të vegjël" me kaq shumë "të mëdhenj." Kurrë më parë nuk ka qenë ekipe "të jashtme" si Shqipëria, Irlanda e Veriut dhe Hungaria me distancë më të madhe përballë Gjermanisë, Francës ose Spanjës. Kurrë nuk ka pasur më shumë yje dhe njëkohësisht lojtarë kaq të panjohur përballë njëri-tjetrit sa këtë herë. Ky është rasti për të treguar një histori tjetër, jo historinë e një turneu të frikës.