1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Ju lutem më shumë ndjenjë zonja Merkel!

Kriza e refugjatëve dhe terrori islamist e kanë prekur rëndë Gjermaninë. Shoqëria po polarizohet. Ajo që mendon të bëjë Merkel kundër kësaj, nuk është e mjaftueshme, mendon Kay-Alexander Scholz.

Kancelarja nuk njihet për fjalime emocionale. Ndaj ishte i gabuar njoftimi i disa mediave gjermane, se Angela Merkel do të mbante "një fjalim drejtuar kombit".

Si gjithmonë në raste të tilla ajo në radhë të parë seleksionoi dhe analizoi. Përveç kësaj formati ishte ndryshe, konferenca e përvitshme e shtypit në verë në Berlin, u mbajt sivjet më përpara nga sa ishte planifikuar fillimisht për shkak të akteve të përgjakshme të ditëve të fundit.

Megjithatë kësaj here pritshmëritë ishin ndryshe nga vitet e kaluara. Sulmet e para islamiste në vendin e vet i kanë bërë shumë gjermanë të pasigurtë, kanë ngjallur frikëra dhe ngritur pyetje.

Pikëpyetje ka edhe për atë, nëse ishte e drejtë të lejoheshin kaq shumë refugjatë në vend, pa e pasur timonin në dorë qysh në fillim. Jo vetëm në mediat sociale lexohet shumë lidhur me këtë, por edhe zanatçiu apo postieri në lagje e të tjerë njerëz në vend flasin me këtë gjuhë. Jo të gjithë, por shumë. Pa folur edhe për kundërshtarët më të ashpër politik ndaj politikës së Merkelit, siç është partia AfD.

Scholz Kay-Alexander Kommentarbild App

Kay-Alexander Scholz

Vetëm të kesh të drejtë nuk mjafton

Kësaj klime ndjenjash iu referua shumë pak Merkeli në 90 minutat e konferencës së shtypit. Eshtë e drejtë, që politika nuk duhet të drejtohet nga ndjenjat e frikës, siç tha ajo. Po ashtu është e drejtë, që janë të nevojshme shumë hapa të veçantë, për t'u bërë ballë sfidave komplekse. E drejtë është edhe se është bërë shumë, për ta vendosur mbi një bazë të re më të qendrueshme politikën e azilit në Gjermani dhe në Europë.

Por në këto kohë Merkelit do t'i kish bërë mirë të tregonte më shumë zemër - këtë shans ajo e humbi. Në fjalimin e saj dhe në përgjigjet ndaj gazetarëve mungonin urat, që duhej të vendoste ajo për të ndalur polarizimin mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të politikës së azilit. Ndoshta kësaj here ajo do të duhej që jo vetëm me fjalë por edhe faktikisht t'i binte me grusht tryezës, për të sinjalizuar: mjaft më. Paketa prej nëntë pikash që ajo prezantoi, ishte pa nerv dhe nuk ia arriti këtij qëllimi.

AfD-ja ngazëllehet

Puthuajse në fund të konferencës së shtypit që zgjati 90 minuta dy gazetarë nga Holanda dhe Polonia u përpoqën t'i nxjerrin ndonjë emocion Merkelit. Duke e pyetur, se ç'përgjigje do të jepte ajo po ta pyesnin në rrugë, nëse shkas për terrorin në Vyrcburg është kultura e saj e mirëseardhjes.

Merkel u përgjigj, se refuzimi i përgjegjësisë humanitare do të kishte pasoja të këqia për Gjermaninë. Përse ajo nuk shkoi në Vyrcburg apo në Ansbah, ishte një pyetje tjetër. Kancelarja u përgjigj, ajo gjithmonë vendos sipas rastit. Në vend të tyre ajo ka vendosur të shkojë në ceremoninë e përmortshme këtë fundjavë në Mynih. Përgjigja profesionalisht është e drejtë, por ajo kërkonte më shumë empati.

AfD-ja po ngazëllehet në mediet sociale pas daljes së Merkelit në publik. Po aq sa kampi i Merkelit edhe kritikët e saj do ta ndiejnë veten të konfirmuar pas kësaj të enjteje. Ajo do t'i bindë zgjedhësit e AfD-së përmes veprave, që të kthehen sërish tek partitë e tjera, tha Merkel. Por sidoqoftë vetëm veprat nuk do të mjaftojnë.