1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Integrimi detyrë herkuliane

Verica Spasovska16 Shtator 2015

Gjermania përmendet me mirënjohjeje në arenën ndërkombëtare për pranimin e refugjatëve. Por integrimi i refugjatëve është detyrë si për ata vet edhe për shtetin, mendon Verica Spasovska.

https://p.dw.com/p/1GWlS
Fotografi: Reuters/O. Orsal

Prej javësh të tëra gëzohemi me pamjet e gjermanëve që presin miqësisht në stacionet hekurudhore në të gjithë vendin refugjatë të rraskapitur, por gjithë shpresa. Pa pushim vullnetarë shpërndajnë ujë, ushqim dhe veshje. Këto janë gjeste njerëzore, për të cilat Gjermania po merr shumë shprehje mirënjohjeje në arenën ndërkombëtare. Por gëzimi i kësaj kulture të mrekullueshme të mirëseardhjes nuk duhet të errësojë faktin se Gjermania po përballet me një detyrë të rëndë: integrimin e këtyre njerëzve. Shumica e tyre vijnë nga kultura krejtësisht të ndryshme, nga vende islamike si Siria, Iraku apo Afganistani. Dhe ata ndoshta do të vazhdojnë të jetojnë këtu për shkak se vendosja e paqes në vendet e tyre të origjinës do të vazhdojë për vite me radhë, nëse jo madje për dekada.

Verica Spasovska
Verica Spasovska

Integrimi i tyre - kjo detyrë nuk duhet të nënvlerësohet, siç ishte rasti tridhjetë vjet më parë, kur erdhën miliona punëtorë emigrantë nga Evropa Juglindore në Gjermani. Në atë kohë motoja ishte: "ata janë vetëm të ftuar të përkohshëm". Pra nuk u diskutua për masa integrimi. Por pjesa më e madhe e punëtorëve migrantë janë ende në Gjermani, shumë prej tyre edhe të integruar. Por sidomos tek brezat e mëvonshëm të turqve janë krijuar pjesërisht shoqëri vërtetë paralele që nuk duan të kenë të bëjë asgjë me rregullat e shoqërisë gjermane sot.

Detyrë për refugjatët

Për të shmangur këtë gabim, fëmijët dhe adoleshentët duhet të dërgohen sa më shpejt të jetë e mundur në kopshte dhe shkolla. Ata dhe prindërit e tyre duhet të mësojnë gjermanishten. Dhe ata duhet ta kenë të qartë se zakonet e jetesës në Gjermani janë të ndryshme nga ato në pjesë të shoqërisë së vendeve të tyre të prejardhjes: burrat dhe gratë kanë tkëtu ë drejta të barabarta. Askush nuk mund t'ja mohojë vajzës së tij të martohet me një burrë të një përkatësie të ndryshme fetare. Atë që përpiqet ta parandalojë këtë gjë në Gjermani me dhunë, e kërcënon burgu. Themeli i i shoqërisë sonë është Kushtetuta dhe jo një libër fetar si Kurani. Homoseksualiteti është i pranuar nga shoqëria dhe askush nuk ka nevojë në Gjermani të përfundojë në burg, siç ndodh në shumë vende të Lindjes së Mesme. Fëmijët nuk duhen rrahur. Dhe arsimi është i detyrueshëm e kjo duhet të respektohet.

Refugjatët duhet të njihen sa më shpejt të jetë e mundur me elementet themelore të politikës gjermane. Gjermania ka për shkak të së kaluarës së saj një marrëdhënie të veçantë me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara. Kjo do të jetë një përvojë e re për shumë refugjatë nga bota arabe.

Islami evropian si një mundësi për Gjermaninë

Fakti që shumica e refugjatëve vijnë nga vende islamike, nuk është domosdoshmërisht një pengesë për integrimin e tyre në shoqërinë gjermane. Sepse nga e kaluara ka një shembull pozitiv sesi Gjermania ka integruar lehtësisht qindra e mijëra myslimanë: gjatë luftës në Jugosllavi në fillim të viteve nëntëdhjetë erdhën në Gjermani pothuajse 400.000 refugjatë lufte nga Bosnja. Pjesa më e madhe e tyre ishin myslimanë të Bosnjës. Këto muslimanë karakterizohen nga një islam evropian i moderuar, i cili përbën prej shekujsh me radhë një urë midis Evropës dhe Lindjes së Mesme. Nëse është e mundur që të krijohet mbi bazën e kushtetutës sonë një islam evropian në Gjermani, vala e tanishme e refugjatëve mund të jetë një mundësi e madhe për Gjermaninë.