1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Ideja e rrezikshme euroaziatike e Putinit

Për Europën nuk është i rrezikshëm projekti i Putinit për Unionin Euroaziatik, por ideologjia euroaziatike mbi të cilën bazohet ai, mendon Ingo Mannteufel.

Rubrikenbild Kommentar albanisch

Kur tre presidentët e Rusisë, Kazakistanit dhe Bjellorusisë – Vladimir Putin, Nursultan Nasarbajev dhe Aleksandër Lukashenko – më 29 maj në kryeqytetin e Kazakistanit do të nënshkruajnë marrëveshjen për një Union Ekonomik Euroaziatik, kjo shumë vetëve do t'u kujtojë Bashkimin Sovjetik të shpërbërë para gati 25 vjetësh. Madje ky mendim edhe dëshirohet prej Kremlinit: sepse rusët duan ta shohin këtë nismë në kontektin e një Rusie të rifuqizuar – një strategji, e cila gjen mbështetje në popull. E pikërisht kështu – siç edhe synon Kremlini – në Perëndim krijohet frika prej një Bashkimi të ri Sovjetik. Por është gabim që tek Unioni Ekonomik Euroaziatik të shohësh një Bashkim të ri Sovjetik.

Unioni Ekonomik Euroaziatik nuk është Bashkim Sovjetik

Projekti euroaziatik i integrimit i nxitur nga Rusia nuk mund të krahasohet me Bashkimin Sovjetik. Ky proejkt është rezultat i një sërë përpjekjesh të Rusisë të ndërmarra pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, për t'i bashkuar ekonomikisht republikat e ish-Bahskimit Sovjetik. Duke nisur nga 1 janari 2015 Rusia, Bjellorusia dhe Kazakistani do të vendosin lirinë e qarkullimit të mallrave, shëbrimeve, kapitalit dhe të forcave të punës.

Edhe vet praktika e Unionit Doganor që ekziston midis tri vendeve tregon, se bashkëpunimi për shkak të mosmarrëveshjeve (ekonomiko-) politike, por edhe për shkak të korrupsionit dhe mungesës së transparencës ecën në mënyrë të çalë. Deri tani në këtë projekt marrin pjesë vetëm Bjellorusia dhe Kazakistani. Ndonëse së shpejti do të pasojnë edhe Armenia e Krigistani, është e dyshimtë, nëse qytetarët rusë do ta mbështesin lirinë e lëvizjes së punëtorëve nga republikat e varfëra aziatiko-qendrore.

Pa Ukrainën projekti për një Union Ekonomik Euroaziatik në hapësirën post-sovjetike është gjithësesi si një lindje e dështuar ekonomike. Kjo ka qenë dhe është edhe arsyeja për politikën agresive të Rusisë ndaj Ukrainës gjatë muajve të fundit. E së fundi nuk duhet të harrojmë, se edhe luajaliteti i Bjellorusisë dhe i Kazakistanit ndaj projektit të integrimit euroaziatik ka kufijtë e vet. Kjo sepse motivi kryesor i Kazakistanit për Unionin Ekonomik Euroaziatik nuk është nënshtrimi ndaj Moskës, por forcimi i një kundërpeshe ruse kundrejt influencës kineze gjithnjë në rritje në Kazakistan. Një qëndrim i ngjashëm i luhatjes – vetëm mes Rusisë dhe Bashkimit Europian - karakterizon politikën bjelloruse.

Jo, krijimi i një Unioni të ri Ekonomik Euroaziatik nuk është një Bashkim i ri Sovjetik. Ky union nuk është as rrezik për Bashkimin „e vjetër“ Europian. Përkundrazi tregu i ri i brendshëm mund të sjellë edhe shanse më të mira ekonomike për sipërmarrjet europiane. Gjithashtu në rajon –në rast të përparimeve vërtetë ekonomike – mund të përmirësohet gjendja social-ekonomike për njerëzit. Ndaj europianët s'mund të jenë kundër, që Rusia, Kazakistani dhe Bjellorusia të bashkohen në një treg të brendshëm.

Deutsche Welle Russische Redaktion Ingo Mannteufel

Drejtues i seksionit Europa në DW

Euroazianizmi kërcënimi i ri i Europës

Por krejt ndryshe duhet gjykuar ideologjia euroaziatike, e cila qysh prej kthimit të Putinit në postin e presidentit ka fituar peshë politike në Rusi dhe tani po gërshetohet me projektin e integrimit aziatik. Fjala fantazëm euroazianizëm e për më tepër komponentët e veçantë ideologjik të saj me ose pa dashje do të karakterizojnë diskutimin politik në Europë në dekadat e ardhshme. Faktikisht kjo është qysh sot kështu.

Sepse në Europë rrymat e forcuara populiste të djathta me pikëpamjet anti-liberale, ksenofobe, homofobe dhe anti-amerikane i përgjigjen pikërisht ideologjisë euroaziatike të propaganduar në Rusi. Euroazianizmi u zhvillua në vitet 1920 nga emigrantët rusë prej elementëve anti-liberalë, nacionalistë dhe antisemitë. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik këto teza u përqafuan sërish në diskursin rus. Deri para pak vitesh ato ishin shfaqje anësore të teoricienëve të çartur dhe komplotistë. Por deklaratat e Putinit dhe politika e tij që nga vitet 2011/2012 nxjerrin në pah gjithnjë e më qartë tonet e ideologjisë euroaziatike. Ndaj nuk të befason aspak pozitiviteti me të cilin flet Putini për populistët dhe partitë e djathta si Fronti Nacional i Marine Le Pen.

Euroazianizmi nuk është mospranimi i Europës prej Rusisë, siç mendohet rëndom gabimisht. Ky është koncepti i një Europe tjetër, i një Europe anti-liberale dhe anti-amerikane. Pikërisht kjo – dhe jo projekti i një Unioni Ekonomik Euroaziatik – e kërcënon vërtetë Europën liberale dhe demokratike. Këto pasoja me ndikim masiv ende nuk i kanë kuptuar shumica e qytetarëve në kontinentin e vjetër. Europa do të bënte mirë, që të zgjohet prej euforisë që ende mbizotëron qysh pas fundit të Luftës së Ftohtë të shekullit të 20-të dhe të përgatitet politikisht dhe ushtarakisht për një sfidë të re totalitare në shekullin e 21-të.

DW.COM