1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Greqia po e zgjedh vetë fundin

Të shtunën takohen ministrat e Financave të eurozonës me shpresën e fundit të gjetjes së kompromisit me Greqinë. Por Greqia me sa duket nuk do që ta ndihmojnë, komenton Bernd Riegert. Atëherë le të dalë nga eurozona.

Qeveria greke do të bëjë me sa duket vetë harakiri - Kryeministri radikal i majtë, Aleksis Tsipras, i cili me dinakëri ka negociuar me kreditorët vetëm sa për sy e faqe i kërkon popullit të tij në një referendum të shpallur papritur ta refuzojë ofertën e kompromisit të institucioneve, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Qendrore Europiane dhe Komisionit Europian. Një procedim i tillë kaq i pacipë i kryeministrit grek me një gjuhë që nuk i shkon aspak problematikës së vërtetë të le pa gojë. Europianët i përkulën dhe u bënë gjimnastikë sa mundën rregullave të tyre, kjo për t'i blerë kohë qeverisë greke dhe mundësuar qëndrimin e vendit në eurozonë. Ata janë të gatshëm të hedhin para në një fuçi pa fund, me qëllim që në Greqi të vazhdojnë reformat e nevojshme. Me sa duket gjithçka një përpjekje e çuar dëm.

Shantazh i pacipë

Tani qeveria greke shoqëruar me fyerje ndaj kreditorëve kërkon një financim të ndërmjetëm deri në referendumin e së dielës pas tetë ditësh, po ashtu më shumë kredi emergjente nga Banka Qendrore Europiane për të mbajtur sistemin bankar në këmbë. E të gjitha këto pa kushte. Një shantazh i tillë pas kaq ditësh të kërkimit intensiv të kompromisit nuk është bërë ndonjëherë në historinë e Bashkimit Europian. Këtij shantazhi nuk duhet t'i përulen shtetet e eurozonës dhe Bundestagu.

Çfarë do të ndodhë nëse populli grek e hedh poshtë përfundimisht ofertën e europianëve dhe FMN-së? Atëherë pason pa hezitim falimentimi shtetëror dhe dalja e Greqisë nga eurozona.

Çfarë ndodh nëse populli grek e pranon ofertën kundër vullnetit të qeverisë? Edhe në këtë rast kërcënon falimentimi shtetëror dhe "grexit", pasi edhe kreditorët qëllimmirë nuk do të donin të vinin në jetë një program të tillë me një qeveri kaq joserioze dhe pa besueshëmri. Sepse edhe ndihmat e reja kërkojnë hapa të tjerë për reforma, të cilat qeveria i refuzon dukshëm, edhe ato kërkojnë kontrollin nga ana e institucioneve, të cilat qeveri më shumë dëshirë do t'i kishte flakur nga vendi.

Riegert Bernd Kommentarbild App

Bernd Riegert komenton

Grexit i pashmangshëm?

Por çfarë do të ndodhë nëse europianët dhe Banka Qendrore Europiane që të martën ndoshta, më 30 qershor do ta lenë të skadojë programi i ndihmës për Greqinë dhe do të mbyllin rubinetin? Edhe në këtë rast pason falimentimi shtetëror dhe pas disa kohësh, në mënyrë të pashmangshme, dalja e Greqisë nga eurozona.

Ngado ta kthesh grekëve po u ngushtohet gjithnjë e më shumë laku në fyt. Ata e parandjejnë këtë dhe përpiqen të marrin paratë e fundit nga xhirollogaritë. Europianët, që vërtet kanë toleruar shumë, nuk mund t'i pranojnë edhe kërkesat e fundit të Athinës. Ai që nuk do që ta ndihmojnë, le të largohet.

Kryeministri britanik, David Cameron ka të drejtë kur thotë se kjo do të ishtë rruga më e mirë. Njeriu i fiksuar pas pushtetit, Aleksis Tsipras po e çon në humnerë vendin e tij, njësoj si në tragjedinë greke, ku në fund heroi vdes. Kreditorëve do t'u kushtojë shtrenjtë dalja e pakontrolluar e Greqisë nga eurozona, shumë kredi digjen. Si vend anëtar i BE-së, Greqia do të ketë nevojë për ndihma humanitare. Pa dëshirë, por më duhet ta them: Greqi, mjaft më! Grexit duhet të ndodhë.