1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Gjermania debaton sërish

E diela e zgjedhjeve shënon një pikëkthese për Gjermaninë. Populistët e djathtë për herë të parë hyjnë në parlament dhe kancelarja Merkel ka humbur elektorat, mendon Ines Pohl.

Këto zgjedhje kanë një mesazh të qartë: Jo më kështu. E ato kanë edhe dy humbës të qartë: socialdemokratët dhe Angela Merkelin. Partia socialdemokrate ka rënë në një nivel historik të ulët me 20,8 përqind dhe kristiandemokratët, partia CDU e kancelares, kanë humbur gati 8 pikë. Një erozion - dhe në kohë normale një arsye për të menduar për dorëheqjen. Por kohët sot janë jo normale për raportet gjermane. Këtë e tregon edhe suksesi i partisë Alternativa për Gjermaninë, AfD, që ka fituar plot 13 përqind dhe do të përfaqësohet në Bundestag. Me të që nga themelimi i Republikës Federale të Gjermanisë për herë të parë në parlament futet një parti populiste e djathtë.

Vendi ka ndryshuar

Një pikëkthese historike. Me zgjedhjet e së dielës vendi ka ndryshuar. Kjo nuk është një gjë e vogël. Por as nuk është ndonjë katastrofë. Kjo është një sfidë. Në fund të fundit kjo është demokraci. E në krahasim mbarëbotëror ka arsye të forta, të besoh, që Gjermania do ta menaxhojë edhe këtë sfidë. E kjo mund të ketë edhe diçka të mirë, nëse në parlament sërish do të debatohet me argumentat më të mira. E nuk do të qeverisë një kancelare e superfuqishme, sepse nuk ka opozitë.

Pohl Ines Kommentarbild App

Ines Pohl, kryeredaktore e DW

Edhe ky është një mesazh i mbrëmjes.

Thelbësore për këtë do të jetë, që partitë demokrate, të mos devijojnë prej diskursit demokratik nga retorika demagogjike e AfD-së. Ato duhet t'u bëjnë ballë joshjes prej zgjidhjeve të rreme të deformuara nga populizmi dhe duhet të kërkojnë përgjigjet e duhura për problemet ekzistuese. E më në fund ato duhet ta marrin seriozisht, atë që i tremb njerëzit, se shumë refugjatë mund ta ndryshojnë vendin e tyre. Gjermania duhet të mendojë për aftësinë e saj të diskursit. Tabuizimi i frikërave i forcon ekstremet populiste.

Edhe ky është një mesazh i këtyre zgjedhjeve.

SPD del në opozitë

Sfida e parë e madhe tani do të jetë krijimi i një qeverie. Eshtë e arsyeshme, që SPD-ja e ka bërë të qartë, që do të dalë në opozitë. Vetëm kështu ajo mund të rigjejë veten dhe të zhvillojë një perspektivë për të ardhmen. E përveç kësaj vetëm në këtë mënyrë mund të parandalohet, që AfD-ja të bëhet partia drejtuese në opozitë.

Angela Merkel hyn e goditur rëndë në këto bisedime të ndërlikuara koalicioni. Me këtë barrë mbi shpatulla, që shumë brenda radhëve të partisë së saj për rezultatin katastrofal e bëjnë atë përgjegjëse dhe politikën e saj  për refugjatët. Nga ana tjetër e gjithë bota i var shpresat tek ajo, që pavarësisht këtyre rezultateteve ajo mbetet njëra prej kokave drejtuese politike në botën perëndimore dhe me të Gjermania mbetet një partnere e qendrueshme dhe e besueshme në botë. E ç'është më e rëndësishmja, një vend i hapur dhe thellësisht demokratik.

Për këtë flet edhe ligji themelor gjerman. Ajo që vlen për të gjithë, vlen edhe për AfD-në. Neni 1: Dinjiteti i njeriut është i pacënueshëm.