1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Frikë, urrejtje dhe megalomani

Shumë amerikanë janë zhgënjyer pas tetë vjetësh Obama dhe kthehen në kryeneçësi cinike drejt personave jokonvencionalë. Kjo e bën kandidat edhe Donald Trumpin për të fituar zgjedhjen e parë në Iowa, thotë Ines Pohl.

Çdo politikan që zgjidhet i zhgënjen zgjedhëset dhe zgjedhësit. Sepse në fushatën elektorale zgjohen shpresa, të cilave nuk mund t'u përmbahesh. Këtë mund ta quash gënjeshtër të përllogaritur. Kësaj i shtohet mbivlerësimi i vetes. Shumë vetë nuk duhet ta kenë të qartë se sa pak mund të ndikojnë pasi të kenë ardhur në pushtet. Kjo vlen para së gjithash edhe për Presidentët e SHBA.

Barack Obama foli në fjalimin e tij të fundit të madh drejtuar kombit me shumë ndershmëri se sa pak nga ëndrrat dhe shpresat e tij qe në gjendje të vinte në jetë, pasi erdhi në pushtet.

Ëndrra e dështuar e epokës Obama

I zhgënjyer nuk është vetëm ai. Të zhgënjyer janë ata shumë miliona vetë, të cilët i besuan atij dhe "Change dhe Hope" të tij. Ata, të cilët edhe nëse nuk votuan për të, megjithatë shpresonin se ky i ri i mbushur me energji, ky President lëkurëzi, ky njeri jo i establishmentit do të ishte në gjendje ta rishpikte vendin. Se ai do t'i shkatërronte strukturat e korruptuara të parasë së madhe dhe se do ta bënte Amerikën atë, për të cilën ky vend është kaq krenar: një demokraci të vërtetë, në të cilën po të punosh shumë mund të realizosh thuajse çdo ëndërr.

Hillary Clinton

Hillary Clinton

Kjo ëndërr dështoi. Dhe shumë demokratë të zhgënjyer i kanë kthyer krahët politikës, me një përçmim parimor. Nga kjo përfitojnë persona që nuk janë pjesë e establishmentit. Veç kësaj, prej shumë republikanëve, barazimi i të drejtave midis homoseksualëve dhe ligji më human i migrimit shihen jo si arritje civilizuese, por si sulm ndaj kohëve të mira të vjetra. Refuzimi që ata i bëjnë përgjegjësit Obama jo rrallë është urrejtje e pafshehur raciste.

Të hënën fillojnë lojërat. Iowa është i pari ndër 50 shtetet, në të cilat qytetarët do të votojnë se me cilët kandidatë do të luftojnë të dyja partitë për Shtëpinë e Bardhë. Dhe gjithçka është e mundur.

Zgjedhja e kandidatëve në një vend shumë të përçarë

Zgjedhjet e vitit 2016 zhvillohen në një vend shumë të përçarë dhe që e ka humbur sigurinë, në të cilin, midis ekstremeve ka shumë pak vend për argumenta të qeta. Siguritë e vjetra të shumicës së bardhë i përkasin përfundimisht historisë. Pjesë të tëra të shumicës së bardhë kanë frikë, se tatëpjeta e tyre do të vazhdojë pa u frenuar, kur në të njëjtën kohë super të pasurit mbledhin gjithnjë e më shumë para. Dhjetë përqind e familjeve më të pasura zotërojnë ndërkohë më shumë se gjysmën e të gjitha të ardhurave.

Donald Trump

Donald Trump

Nën Obaman, hendeku midis të pasurve dhe të varfërve nuk u zvogëlua. Përkundrazi. Retorika e debateve karakterizohet nga një përzierje frike, urrejtje dhe ndjenje madhështie. Ajo zë vend në një botë, e cila bëhet gjithnjë e më e pallogaritshme, gjithnjë e më komplekse. Një botë, në të cilën SHBA nuk luajnë më rol të qartë të përcaktuar. Kjo bren besimin në vevete. Në këtë përzierje, rritet frika e rrezikshme për përgjigje të thjeshta dhe për udhëheqës të fortë, të cilët zhvendosin pa ndërprerje në radhë të parë interesat nacionaliste të vendit. Në këtë pikë duhet të hiqen paralelet me atë që zhvillohet sot në Evropë.

Gjithçka është e mundur për Donald Trump-in

Të gjithë këto janë terren ushqyes për multimilionerin Donald Trump. Po t'u besosh sondazheve aktuale, gjithçka është e mundur. Madje edhe hyrja e tij në Shtëpinë e Bardhë.

Ines Pohl

Ines Pohl

Njerëzve u pëlqen dëshira e tij e pathyer për të fituar. Egocentrizmin atij ia interpretojnë si forcë. Mbështetësit e tij nuk pyesin, si i ka fituar ai milionat. Për ta, kulla e larë në ar e tij, Trump-Tower në New York është shenjë e pavarësisë së tij.

Ende establishmenti i republikanëve nuk ka gjetur një përgjigje për suksesin që vazhdon të biznesmenit, i cili di si askush tjetër që të tërheqë vëmendjen kryesore në medie. Por që i shkel me këmbë po kaq fort zakonet e Partisë Republikane, sa nuk respekton rregulla të tjera të mirësjelljes, siç fyen gratë dhe shprehet me shprehje raciste kundër myslimanëve dhe indianëve.

Konfrontimi i parë me realitetin i Klintonit

Për kandidaten kryesore të demokratëve, Hillary Clinton, starti i Iowa-s është i rëndësishëm, sepse është përballja e saj e parë me realitetin. Po edhe nëse njerëz jashtë sistemit si Bernie Sanders, kundërpesha liberale e Trumpit do të arrijnë sukses në këtë zgjedhje të parë, ish-zonja e parë ka edhe zgjedhjet e dyta paraprake në New Hampshire në 9 shkurt, për të shmangur një startim të dështuar. Edhe këtë e di Trumpi. Dhe ai do ta shijojë në përputhje me këtë vëmendjen publike.