1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Franca para zgjedhjeve pa drejtim

Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më parë - katër kandidatë pritet të marrin thuajse numër të njëjtë votash në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Francë. Shumë francezë ende janë të pavendosur.

Gjendja një javë para raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Francë është kaq e ngatërruar, sa madje Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier guxon të bëjë një ndërhyrje të kujdesshme: ai paralajmëron për rrezikun që pason me zgjedhjen e populistëve të djathtë, "këngët e sirenave të të cilave" i premtojnë Francës një të ardhme të madhe, por që në fakt duan ta nxjerrin vendin nga Evropa. Pikërisht në Berlin presin duke mbajtur frymën rezultatin e raundit të parë të zgjedhjeve, në fund të fundit prej tij varet e ardhmja e Bashkimit Evropian, varen mirëqënia, paqja, përbashkësia dhe shumë vlera të tjera të nënvleftësuara.

Avancimi i ekstremistëve

Në raundin e parë vendos me zemër se kujt ia jep votën, në raundin e dytë vendos me mendje - kjo është gjithmonë ajo që dëgjon si shpjegim të sistemit zgjedhor francez, i cili synon t'i pengojë ekstremistët të hyjnë në pallatin presidencial. Puna është se ndërkohë, përmes avancimit si kometë në sondazhe të komunistit të vjetër Jean-Luc Melenchon, është bërë i mundur një konstelacion, i cili mund t'ia vërë atë përballë në raundin e dytë populistes së djathtë, Marine Le Pen. Për cilin prej tyre do të vendoste atëherë mendja e një francezi të interesuar për politikën?

Suksesi i Mélenchonit tregon se ndërkohë shumë francezë duan një zgjidhje radikale. Ata duken pak të interesuar për zgjidhje praktike për problemet e tyre, sesa për një ideologji të fortë me premtimin për një të ardhme të lavdishme. Si mund të shpjegohet ndryshe që Le Peni dhe Mélenchoni arrijnë së bashku të marrin në sondazhe 40% të votave të zgjedhësve? Zgjedhësit në dy ekstremet e shkallës politike janë pjesërisht të ngjashëm: ish-punonjës të industrisë të zhgënjyer, të cilët më parë kanë zgjedhur gjithmonë të majtën, që më vonë kaluan te e djathta dhe të cilët mund të kthehen sërish tek e majta. Zgjedhës të rinj, të cilët janë të zemëruar me politikën e Parisit dhe që nuk duan gjë tjetër veç ndryshimit; si dhe të përjashtuar të shoqërisë, të cilët janë dakord me çdo mesazh radikal, që u premton një jetë më të mirë.

Sa ngjajnë pamjet...

E majta radikale i tërheq francezët me parullën "Franca në kryengritje" dhe premton që do ta braktisë BE dhe NATO-n, të rishtetëzojë industritë dhe se do të ndjekë një model politik dhe ekonomik që paraqet para së gjithash një refuzim të kapitalizmit financiar. Si duhet të funksionojë një gjë e tillë pasi modeli i komunizmit dështoi njëherë në Evropën Lindore, kjo mbetet e hapur. Ajo që e dallon Mélenchonin nga Marine Le Pen është ideja e internacionalizmit, për të cilën megjithatë në të gjithë botën mungojnë partnerët.

Kandidatja e FN, e "Frontit Nacional", Le Pen nga ana tjetër mbështetet krejtësisht në patriotizëm. "Franca e para" është deviza e saj, por programi i saj ekonomik thuajse nuk dallohet prej atij të të majtëve radikalë. Slogane dhe premtime të ngjashme. Dalje nga BE dhe NATO, industritë e mëdha të nacionalizuara - për shumë zgjedhës kjo është tërheqëse dhe pak e dallueshme nga ajo që premtojnë të majtët. Ata duhet të shohin me vëmendje që ta dallojnë trashëgiminë neofashiste te Le Peni, si p.sh. të dëgjojnë intervistën që dha ajo së fundi në radio, ku mohoi përgjegjësinë për deportimin e hebrenjve nga qeveria e Vishy-së.

Barbara Wesel

Barbara Wesel

Shtresa e mesme po lëkundet

Bartësi i shpresave në këtë konstelacion për fqinjët evropianë si dhe për shtresën e re të mesme franceze është Emmanuel Macroni. Ai është i vetmi që kandidon në mbështetje të drejtimit proevropian të vendit, me një politikë ekonomike progresive-liberale, e cila synon ta reformojë më në fund sistemin e ngurtë francez. Në fillim Macroni kishte mbështetje të bujshme, ndërkohë zgjedhësit e tij paraqiten të lëkundur dhe më pak "të vendosur" në sondazhe.

Dhe së fundi në garë është edhe mbreti i skandaleve, François Fillon. Ai ka mbështetës kryesisht në fshat, të cilët i qendrojnë besnikë sepse janë konservatorë të thekur ose sepse i besojnë kursit të tij reformator à la Thatcher.

Shpresa e vetme për vëzhguesit dhe fqinjët e shqetësuar për momentin është që francezët ta mposhtin tendencën e tyre për ideologji të mëdha dhe që të votojnë që në raundin e parë me mendje. Deri atëherë, fundin e fushatës elektorale mund ta ndjekësh vetëm duke mbajtur frymën dhe me shpresë që francezët ta refuzojnë ekstremizmin, siç bënë austriakët dhe holandezët.