1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Fitorja në zgjedhje e Trumpit është shok e moment kthese

Habi dhe mosbesim në fund të ditës së zgjedhjeve, sepse të ashtuquajturit ekspertë patën parashikuar rezultat tjetër. Koha deri në marrjen e postit tani duhet shfrytëzuar, mendon kryeredaktori i DW, Alexander Kudascheff.

Fitorja - fitorja e papritur e thellë - e Donald Trumpit ka sjellë një paralizë shoku. Të paktën në Evropë dhe në Gjermani. Këtu mbizotërojnë dallueshëm - me gjithë përpjekjet për të theksuar rëndësinë e marrëdhënieve transatlantike - një qëndrim mosbesues për atë që ka ndodhur, hutim dhe tmerr. Motoja, motoja e duhur e këtyre orëve të para megjithatë është: askush nuk e njeh me të vërtetë Donald Trumpin. Natyrisht që planet e tij, ato që ka ndërmend, idetë e tij në fushatën elektorale u regjistruan - edhe stili i tij prej huligani, teprimet e tij, retorika e shpresave të gënjeshtërta, masohizmi i tij, racizmi i tij. Por natën e zgjedhjeve u pa edhe gatishmëria ose përpjekja e tij që pas kësaj lufte sharjesh e hedhjesh baltë SHBA të pajtohen me veten dhe që t'i trajtojnë partnerët në të gjithë botën me korrektesë. Për ta thënë thjesht: duhet pritur njëherë.

Askush nuk ishte i përgatitur për Trumpin

Megjithatë, në kryeqytetet perëndimore - dhe vetëkuptohet edhe në Berlin - zgjedhja e Trumpit është "worst case" (rasti më i keq). Për të nuk ishte përgatitur askush. Dhe askush nuk e di se kush do të vendosë së shpejti në politikën e jashtme, në politikën e sigurisë dhe në politikën e ambjentit. Sepse Trumpi është një person jashtë sistemit në Partinë Republikane. Pra ai nuk mbështetet në mendjet dhe në korifejtë e njohur. Me ata nuk ekzistojnë kanale, nuk ekzistojnë njohje joformale. Kjo nuk i bën gjërat më të lehta, sepse Trumpi ndoshta do të rrethohet ndoshta me njerëz që nuk kanë përvojë në parketin diplomatik dhe nuk kanë rrjetin e tyre.

Alexander Kudascheff

Alexander Kudascheff

Kjo vetëkuptohet që ka pasoja: në politikën ekonomike, në të cilën bëhet fjalë për tregtinë e lirë të përbotshme. Në politikën e jashtme dhe të sigurisë: këtu bëhet fjalë për Iranin; për Izraelin; për një veprim të mundshëm ushtarak kundër terrorizmit xhihadist, për imazhin e vetvetes të Uashingtonit në Lindjen e Afërme; për raportin e brishtë me Rusinë dhe me Kinën; për çështjen nëse e sheh veten si partner apo si rival të dy fuqive të tjera të mëdha - apo për kthim në izolacionizëm të theksuar. Fjala është edhe për raportin me aleatët. A është NATO-ja për SHBA edhe më tej sistemi kolektiv i sigurisë i Perëndimit? A do të deklarohet Trumpi pro politikës së aleancës? Apo beson ai se evropianët duhet të paguajnë më shumë për sigurinë e tyre? Ky është testi i rezistencës për Perëndimin.

Trumpi nuk është njeri i elitave të deritashme

Donald Trump është i panjohuri i madh. Ai përfaqëson - në mënyrë pak paradokse si miliarder nga New Yorku  - triumfin e provincës mbi metropolet, fitoren e fshatit mbi qytetet. Në politikën e brendshme ai nuk është njeri i elitave të deritashme. Prandaj nuk do të jetë kaq e lehtë të gjendet qasje tek ai.

Por paraliza nga shoku ka edhe të mirat e saj. Ajo çon në qendrim të matur. Derisa Trumpi të hyjë në janar në Shtëpinë e Bardhë si Presidenti i 45-të i SHBA, do të kalojë mjaft kohë, për t'u përshtatur me të. Zgjedhja e Trumpit është një moment kthese, mbase edhe një vendosje historike piketash. Megjithatë ajo nuk duhet të jetë e barabartë me fundin e bashkëpunimit të deritashëm të Perëndimit. Por më e parehatshme gjendja do të bëhet padyshim, sepse një gjë Trumpi është me siguri: jokonvencional.