1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Fitorja e Netanjahut, mesazh i keq

Fitorja e Netanjahut përbën një surprizë të pakëndshme. Në sondazhet e fundit thuhej se ai do ta humbiste pushtetin, por me mesazhet kundër palestinezëve ai arriti të mobilizojë zgjedhësit e tij, mendon Bettina Marx.

Benjamin Netanjahu

Benjamin Netanjahu

Benjamin Netanjahu ia doli. Me një përfundim grandioz të fushatës elektorale ia doli t'i bindë votuesit që të votojnë partinë e tij Likud dhe shënoi një fitore mbresëlënëse. Në orët e fundit para daljes në vendvotime ai i ka bindur zgjedhësit dhe kështu mundësoi fitoren e krahut të djathtë politik. Ai jo vetëm që kompensoi vlerësimet negative në sondazhe, por e mundi bindshëm kundërshtarin e tij kryesor Izchak Herzog, i cili parashikohej si fitues i sigurt i zgjedhjeve. Herzog dhe bashkëpunëtorja e tij, ish-ministrja e Jashtme, Zipi Livni, filluan që në mesnatë të festojnë fitoren dhe paralajmëruan krijimin e një qeverie të re. Por shumë shpejt gjërat ndryshuan dhe me ardhjen e rezultateve të tjera gjatë natës u bë e ditur se Benjamin Netanjahu dhe partia e tij Likud shënuan një fitore madje shumë të qartë dhe në këtë mënyrë e arsyetoi emrin me të cilin e quajnë - "magjistari".

Fundi i fushatës dhe krijimi i panikut

Në fund të fushatës së tij, Netanjahu i cili si pasojë e sondazheve gati që kishte rënë në panik, bëri dhe veprime të pista që janë kundër ligjit zgjedhor. Në ditën zgjedhore ai mbajti një konferencë shtypi ku paralajmëroi se "arabët" kanë vërshuar drejt kutive zgjedhore për të evituar fitoren e tij. Ndonëse praqitjet e tilla në ditën zgjedhore janë të ndaluara me ligj dhe konferenca nuk u transmetua nga mediat, mesazhi u përhap shpejt në opinion dhe mund të ndodhë që kjo ka kontribuar që të mobilizohen zgjedhësit e të djathtës politike dhe të Likudit. Për shumë hebrenj edhe më tej është plotësisht e papranueshme që palestinezët me pasaporta hebrenje të vendosin për ardhmërinë e Izraelit.

Bettina Marx

Bettina Marx

Në fakt, pjesëmarrja e minoritetit palestinez, i cili përbën 20% të popullatës dhe rreth 14 % të zgjedhësve në Irael, ishte befasisht e lartë. Ndaj lista e Arabëve të Bashkuar ka mundur të fitojë 14 mandate. Në këtë mënyrë ajo është fuqia e tretë në Kneset. Një sukses i madh, por që nuk do të sjellë kurfarë ndryshimesh, pas fiores së ultranacionalistëve, të cilët nuk i njohin të drejtat e minoritetit palestinez në Izrael dhe në zonat e okupuara me shumicë palestineze

Largimi nga krijimi i dy shteteve

Rezultati i zgjedhjeve e fut Izraelin në një izolim të mëtejmë ndërkombëtar. Zgjedhësit kanë vendosur për vazhdimin e kursit të deritanishëm. Për një kurs i cili nuk sjell asnjë përgjigje për temat më të rëndësishme në rajon. Ai do të bëj të gjitha që janë në mundësitë e tij për të evituar krijimin e shtetit palestinez, theksoi Netanjahu. Ky refuzim i qartë dhe kundërshtimi i kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare mund të ketë kontribuar edhe për fitoren e tij. Po si do të duket e ardhmja, shefi i Likudit nuk ka treguar fare. Këtë nuk e kanë kërkuar as zgjedhësit. Shumica e izraelitëve duket se ende mendon se duhet të sundojë një popull tjetër, dhe do të ruajë të drejtën e vendosjes në zonat e okupuara. Me fjalë të tjera, fundi i okupimit të territoreve palestineze nuk shihet as 50 vjet më vonë. Për ardhmërinë e Izraelit dhe për rajonin, kjo fitore e Netanjahut nuk është mesazh i mirë.