1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Faleminderit Hillary Clinton

Ajo që ishte njoftuar si fjalim i Hillary Clintonit për politikën e jashtme ishte në fakt një paralajmërim i vetëm, i gjatë për rreziqet e një presidence të Trumpit. Ishte pikërisht ajo që nevojitej tani.

Nuk duhet të jesh tifoz i Hillary Clintonit, për ta konsideruar të mirë kontributin që ajo dha të enjten në Kaliforni, me fjalimin e saj për politikën e jashtme dhe të sigurisë. Konstruktin që Donald Trumpi kërkon ta shesë si politikë koherente të jashtme, ajo e demaskoi pikë pas pike si një miksturë sharjesh pa fund, gënjeshtrash dhe fyerjesh.

Dhe ajo që është më e rëndësishme: duke demaskuar të pavërtetat e përsëritura të Trumpit, injorancën e tij prepotente dhe krijimet hibride të tij thuajse në të gjitha temat ndërkombëtare, ai vërtetoi njëkohësisht në mënyrë impresionuese, se pse Trumpi nuk është i përshtatshëm për postin e Presidentit dhe si komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Jo gjëra të reja

Natyrisht që asgjë nga ato që tha Clintoni për Trumpin dhe vështrimin e tij për botën nuk ishte e re. Pozicionet e tij të rrezikshme për tema të rëndësishme globale si imigrimi, terrrorizmi, feja islame, NATO-ja, përhapja e armëve bërthamore dhe Rusia ka kohë që janë dokumentuar mjaftueshëm dhe janë kritikuar mjaftueshëm prej shumë vëzhguesve në SHBA dhe jashtë saj. Prandaj në thelb nuk është e vështirë të tregosh se Trump nuk është i përshtatshëm për postin e Presidentit. Një vështrim më i gjatë te karriera e Trumpit dhe te sjellja e tij duhet të mjaftojë.

Michael Knigge

Michael Knigge

Për fat të keq megjithatë, rivalët e tij për postin e Presidentit, për arsye të ndryshme të gjithë nuk ishin në gjendje, të përshtatshëm ose nuk kishin dëshirë që ta sfidonin vërtet Trumpin - derisa u bë shumë vonë. Këtë e konfirmon edhe fakti që edhe zëdhënësi i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan deklaroi papritur se e mbështet Trumpin. Ryani qe shprehur për një kohë të gjatë jo vetëm në mënyrë kritike për Trumpin, por shumë e konsideronin si alternativë të minutës së fundit për kandidaturën presidenciale republikane. Meqenëse tani mori fund marrja e Partisë Republikane prej Trumpit, është detyrë e Hillary Clintonit që të kundërshtojë vizionin autoritar të Trumpit për Amerikën. Sepse vizioni për të ardhmen i Trumpit nuk është vetëm shumë i rrezikshëm për SHBA, por edhe për pjesën tjetër të botës.

Kurajoja e Clintonit

Fjala e Clintonit në Kaliforni ishte edhe përpjekja e parë e saj për t'i treguar vendin Trumpit. Nuk ishte fjalim i madh. Ishte një fjalim elektoral, me synimin e qartë për t'i treguar vendin Trumpit. Kjo pritej prej kohësh. Dhe siç dëshmojnë rivalët republikanë të Trumpit, në politikë, si në oborrin e shkollës nevojitet kurajo për t'i dalë përballë llafazanit buçitës. Hillary Clinton meriton mirënjohje që e bëri këtë. Dhe nuk do të jetë hera e fundit.