1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Erdogani lufton për mbijetesë politike

Seda Serdar24 Gusht 2015

Pas dështimit të bisedimeve për koalicion presidenti Erdogan bëri thirrje për zgjedhje të reja në vjeshtë. Me këtë ai ndjek një agjendë të qartë politike, por suksesi nuk është i sigurtë, mendon Seda Serdar

https://p.dw.com/p/1GKma
Türkei Rede Präsident Tayyip Erdogan
Fotografi: Getty Images/G. Tan

Rexhep Tayip Erdogan e mbajti premtimin: ai nuk i dha shans Partisë Popullore Republikane në opozitë (CHP) që të marrë pjesë në përbërjen e qeverisë. Me këtë vendim ai është presidenti i parë në historinë e Turqisë, i cili ia heq mundësinë e krijimit të qeverisë partisë së dytë për nga numri i votave. Argumentimi i tij bën të qartë botëkuptimin e tij për atë se si duhet të funksionojë politika në Turqi.

Përderisa përpjekjet e Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) nuk patën sukses në krijimin e qeverisë, Erdogani nuk pa më asnjë mundësi të përshtatshme për koalicion. Kjo dëhsmon edhe një herë, se presidenti Erdogan, i cili sipas kushtetutës duhet të qendrojë mbi partitë, nuk dëshiron të tolerojë një qeveri pa pjesëmarrjen e partisë së tij AKP.

Kësisoj Erdogani dëshiron zgjedhje të reja më 1 nëntor. Këtë madje ai e deklaroi para se të skadonte afati zyrtar për krijimin e qeverisë. Këto zgjedhje zgjojnë shpresa tek AKP-ja për përsëritjen e fitores së lavdishme të atyre ditëve në vitin 2002, kur ajo i fitoi zgjedhjet befasueshëm.

Por Turqia e atëhershme me të sotmen ndryshon shumë. Në vitin 2002 Partia e ndaluar Kurde e Punës (PKK) kishte vrarë gjashtë oficerë turq të sigurisë. Gjatë javëve të shkuara gjetën vdekjen nëntë vetë vetëm brenda një dite. Që prej mesit të korrikut sulmet terroriste thuajse çdo ditë shkaktojnë viktima të reja. Në vitin 2002 Turqia negocionte me Al-Kaidan, dhe vetëm pak qytetarë të saj e simpatizonin këtë grup terrorist. Ndërsa sot një numër alarmues turqish i bashkohet "Shtetit Islamik" dhe luftëtarëve të huaj. Kjo dukuri nuk mund të shihet e shkëputur nga politika aktuale turke.

Seda Serdar Kommentarbild App
Seda Serdar

Kalkulim me risk

Vërtetë AKP-ja shpreson, që organizata e rëndësishme pro-kurde në Turqi, Partia Popullore Demokratike (HDP) për shkak të sulmeve të vazhdueshme të PKK-së do të humbasë vota. Megjithatë është e mudnur, që zgjedhësit ta ndëshkojnë edhe qeverinë për mosveprimin e saj në vendosjen e paqes dhe të rendit. Kjo vlen veçanarisht për juglindjen e Turqisë.

Mungesa e stabilitetit politik dhe sulmet terroriste jo vetëm e kanë polarizuar edhe më tej opinionin turk, por kjo ka influencuar edhe ndaj ekonomisë turke - gjë që mund të ketë efekt negativ në kalkulimet që bën AKP për zgjedhjet.

Disa sondazhe tregojnë, se AKP nuk do të arrijë t'i marrë votat e nevojshme për të qeverisur e vetme. Në vend të kësaj HDP mund të bëhej forca e tretë në parlament dhe Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP) mund të zerë vendin e katërt. Të tjera anketime tregojnë në të kundërt, se AKP mund të jetë vërtetë forca më e madhe politike dhe të krijojë mazhorancën.

Eshtë interesante të vëzhgosh, që në prag të zgjedhjeve të parakohshme në media qarkullojnë rezultate kaq të ndryshme sondazhesh elektorale. Kjo tregon, se forca të caktuara qysh tani përpiqen t'i influencojnë zgjedhësit në favorin e tyre.

Çapitje për votat e turqve jashtë vendit

Ndërkohë AKP përpiqet të rifitojë votat e humbura në diasporë prej HDP-së. Së fundi një përfaqësues i AKP-së deklaroi, se në parlament do të jenë të përfaqësuar edhe turqit që jetojnë jashtë vendit.

Një plan i tillë nënkupton, që numri prej 550 i anëtarëve të parlamentit ndonëse mbetet i pandryshuar, ai duhet proprocionuar ndryshe, nëse duhet të krijohen 15 vende për turqit jashtë vendit. Një ndryshim i tillë sipas kushtetutës nuk është i mundur deri në zgjedhjet e ardhëshme. Kështu mendojnë edhe gjyqtarët kushtetues.

Megjithatë Erdogani do të përpiqet t'i involvojë më fort në luftën elektorale turqit jashtë vendit. Si rrjedhojë edhe Gjermania del në epiqendër të vëmendjes, sepse një pjesë e madhe e votave në diasporë jepen këtu.

Nga ana tjetër vizita e kryetarit të HDP Selahattin Demirtas në Stokholm tregon, se edhe ai përpiqet për votat e kurdëve. Duket pra se lufta a ardhëshme elektorale nuk do të zhvillohet vetëm në Turqi. Tek e fundit këto zgjedhje do të jenë edhe luftë për mbijetesë, kryesisht për Erdoganin.