1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Spektakël në vend të politikës

Ines Pohl
9 Tetor 2016

Në debatin e dytë televiziv në SHBA do të ketë vetëm një humbës: rendi demokratik i shoqërisë.

https://p.dw.com/p/2R3D3
US Präsidentschaft TV Debatte Hillary Clinton und Donald Trump
Fotografi: Picture-Alliance/J. Raedle/Pool

Që kandidatët për presidentë dalin në debate kundër konkurentëve të tyre, kjo ka një traditë qindravjeçare  në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Abraham Lincoln për shembull konsiderohet një nga më të mirët e kësaj mjeshtërie. Ai e ka formuluar përkufizimin me siguri më të njohur të demokracisë, të cilën ai e kupton si "government of the people, by the people, and for the people", pra si qeverisje të popullit, prej popullit dhe për popullin. 

Të dielën (09.10.) zhvillohet sërish një debat, në të cilin Hillary Clinton dhe Donald Trump do të luftojnë më fjalë për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë. Para një publiku të përbotshëm. Mbi qindra milionë spektaktorë do të priten. Komentatorë televizivë amerikanë flasin për spektaklin më të madh televiziv në këtë vend.

Dhunë, pushtet dhe spermë

Dhe për fat të keq, me këtë ata kanë të drejtë. Sepse shumica e njerëzve nuk do të rrinë para ekraneve për të mësuar se kush i ka konceptet më të mira, për të përballuar problemet masive të vendit. Ata nuk duan të dinë se cilat janë idetë për të ndaluar vrasjet e përditshme në Aleppo, ose për të ndihmuar mijëra refugjatët, që mbyten në Mesdhe, sepse janë në arrati dhe në kërkim të një jete më të mirë.

Ata duan dhunë dhe pushtet dhe spermë. Ata duan të jenë të pranishëm kur Donald Trumpit t'i duhet të justifikohet për deklaratat e tij të turpshme për femrat. Dhe duan të shohin se cilën strategji do të ndjekë ai me Bill Klintonin, bashkëshortin që tradhëtoi martesën, të konkurrentes së tij Hillary Clinton, për ta dëmtuar atë. Pas publikimit të videos Trumpi ndodhet në një krizë, të cilën ai nuk mund ta kapërcejë me argumenta politike. Vetëm me një spektakël të mirë. Njerëzit duan të shikojnë se kush do ta humbasë më parë kontrollin.  Dhe shpresojnë që të shohin ndeshje të mirë në televizor. Atje ka mbërritur fushata elektorale për postin më të rëndësishëm politik.

Ines Pohl
Ines Pohl

Paralajmëruese për vende të tjera

Kjo flet shumë për gjendjen e shoqërisë amerikane. Dhe është edhe një paralajmëruese për zhvillimin në vende të tjera. Le të flasim hapur: çështja e madhe që shtrohet është se ku zhvillohen demokracitë në këtë botë të copëzimit në grupe të mediave sociale dhe të kulturës njëdimensionale të masmedieve. Çfarë ndodh kur qeveritë zgjidhen nga njerëz, që nuk kanë më interes për politikën, por që duan të shohin vetëm spektakël? Çfarë do të thotë kur ata që dëgjohen janë vetëm ata që flasin me zë më të lartë? Kur vetëm teoritë më të thjeshta të kurbaneve mund të jenë të suksesshme si koncepte politike? Dhe kur nuk ka elita, të cilat gjejnë përgjigje për këto çështje ekzistenciale? Njësoj si të tjerë demagogë para tij, Donald Trumpi është vetëm një fenomen i kohës së tij. Dhe ky fenomen nuk do të ketë marrë fund, kur të marrë fund fushata elektorale.

Sa keq që nuk ka mundësi të diskutojë Abraham Lincolni. Do të ishte interesante që të dëgjonim se cili do të ishte sot përkufizimi prej tij i demokracisë.