1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Demokraci gjermane, mbroje veten!

Krahasime me Goebbels-in, parulla të shkruara në mur, sulme kundër refugjatëve: urrejtje verbale dhe dhunë e hapur zëvendësojnë lodhjen e padëmshme nga politika. Eshtë koha për të vepruar mendon Volker Wagener.

Çfarë shenjash të mira ishin atëherë, kur ne e konsideronim lodhjen nga politika si kërcënimin më të madh të mundshëm për demokracinë tonë. Ne, demokratët e mirë - votues aktivë me mbështetje të fortë në kushtetutë - ishim pak të shqetësuar për refuzimin në rritje të vëllezërve, miqve, fqinjëve tanë, të cilët tregonin vetëm indiferencë për shtetin dhe shoqërinë.

Sot, pas një milion refugjatëve, republika e ka humbur atë kënaqësinë në vetvete. Ne jetojmë në prag të gjendjes së jashtëzakonshme dhe populli po mobilizohet. Njerëz të gatshëm për dhunë nga skena e djathtë janë ato, që japin tonin, të ndjekur nga të heshturit, që tashmë heqin dorë nga anonimiteti i ambienteve të sigurta.

Deri para disa javësh ne ishim të mirët. Ishim të kulturuar dhe mikpritës. Tani mbajmë shënim sulmet ndaj të dobtëve. Në Këln goditet me thikë kandidatja për kryetare bashkie, strehimoreve të refugjatëve u vihet zjarri ose përmbyten, dy neonazistë urinojnë mbi dy fëmijë të huaj. Rezultat i habitshëm: 70 përqind e autorëve nuk i kishte rënë kurrë në sy policisë. Çfarë po ndodh kështu?

Veprimet e autoriteteve të zbehta

Por edhe autorët e veprave të shumta penale nuk duhet të kenë frikë nga dora e fortë e shtetit. Sepse ajo nuk është aty. Gjermania e krahasuar me vende të tjera të BE-së vepron e shkujdesur në trajtimin e "Hate Crime". Një kategori penale kjo, që në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar përndiqet prej dekadash. Tek ne nuk ndodh kështu. Megjithëse edhe këtu prokurorët dhe gjykatësit mund të vepronin me më shumë forcë, por nuk e bëjnë. Në këtë bilanc arrijnë autorët e një raporti të qendrës federale kundër diskriminimit. Përse nuk e bëjnë këtë? Kjo sjellje e butë e shtetit ligjor me shkelësit e ligjit me fjalë e vepra, duket sikur i jep zemër skenës së djathtë dhe infekton edhe "qytetarin e ndershëm".

Volker Wagener

Volker Wagener

Autoritetet tona të mbrojtjes së kushtetutës kanë një tolerancë provokuese në qendrimin ndaj agjitatorëve nga skaji i djathtë i shoqërisë. Pegida perceptohet, por nuk vëzhgohet. Sikur shëtitja e së hënës në Dresden të ishte praktimimi i demokracisë në qiell të hapur nga qytetarët kritike. Në të vërtetë qendra e vetëshpallur e shoqërisë nxjerr atë që mban brenda ajo vetes. Kur qytetarët e zemëruar shohin njëri-tjetrin në sy në rrugë, ndonjëri mund të mendojë: Ua, jemi me të vërtetë shumë! Një fenomen social psikologjik. Nëse dikush fillon të derdhë mbeturinat buzë pyllit, të tjerët nuk janë shumë larg. Është si çarja e një dige: burra dhe gra qytetarë të thjeshtë guxojnë papritmas të thonë atë që kanë menduar gjithmonë. Ata tallin shtetin, demokracinë dhe veprojnë si "gjermanë të mirë", që vetëm thonë atë që është.

Kërcënimi i vërtetë për shoqërinë

Prandaj është një shenjë e gabuar, që ministri i Drejtësisë Heiko Maas nuk gre padi kundër një shpifësi, i cili e ka fyer duke e quajtur Goebbels i ditëve tona, (ministri i propagandës së Hitlerit). Në mënyrë më të qartë nuk mund ta ftosh skenën raciste, për të testuar kufijtë e shtetit ligjor. Natyrisht që në kohë të tilla edhe sqarimi është një mjet i efektshëm, për të bërë diçka kundër fillimit të zhvillimeve negative. Por nëse shtëpia është duke u djegur, nuk është nevoja që të kërkojmë sigurimin e shtëpisë. Tani duhet të shuhet zjarri i urrejtjes dhe dhunës. Demokracia duhet t'i dalë zot vetes, me gjithçka që ka në dispozicion. Sepse një gjë është e sigurtë: Demokracia gjermane e përballon më lehtë ngarkesën organizative dhe financiare të strehimit të refugjatëve, sesa rreziqet që i sjellin shoqërisë nxitësit e opinionit.