1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Dështimi i Rubios

16 Mars 2016

Karriera e Marco Rubios për momentin ka marrë fund. Në fushatën parazgjedhore, Rubio u përpoq të kopjojë nivelin e konkurrentit republikan. Strategji e gabuar, mendon Miodrag Soric.

https://p.dw.com/p/1IDs8
USA Vorwahlen Präsidentschaftskandidat Marco Rubio in Florida
Fotografi: Imago/Zuma Press

Zëri është i mbytur, i thellë dhe i ngjirur. Ai vetë i zbehtë. Kur dritat e prozhektorëve nuk bien ashtu si duhet, vihen re edhe rrathët e errët poshtë syve. Buzëqeshja nuk e fsheh trishtimin. Marco Rubio bëri ta pamundurën, por me sa duket kjo nuk mjaftoi. Senatori i ri i humbi zgjedhjet në vendlindjen e tij. Edhe një triumpf për Donald Trump. Për Rubion dështim tragjik. Jo vetëm pse duhet të groposë ambiciet për kandidat presidencial, ndoshta ky dështim mund të jetë edhe fundi i karrierës së tij politikë në dy apo tre vitet e ardhshme.

Ku dështoi Rubio?

Së pari tek vetja. Rubio e shihte se si Donald Trump me fyerjet e për konkurrentin mbushte lajmet e televizioneve. Me sa duket 44 vjeçari ka menduar se edhe ai di ta bëjë mirë edhe ai këtë. Kështu Rubio filloi fyerjet kundër Trump, duke i kaluar kufijtë, ashtu si bënte Trump. Rubio u kthye në një "Antitrump". Strategjia nuk kishte si të sillte sukses. Populli votues preferoi më mirë Trumpin origjinal me fyerje se sa një kopje të tij.

Ishte gabim rënia në nivelin e Trumpit. Ai humbi kohë duke u marrë me madhësinë e duarve të Donald Trumpit, në vend që të përqëndrohej tek ajo që përbënte forcën e tij: përvoja në politikën e mbrojtjes dhe të jashtme, idetë se si mund të funksionojë politika e emigracionit. Atakimi i Trump dukej si një akt dëshpërimi i Rubios. "Presidenti i ardhshëm nuk e ka këtë pamje", menduan shumë votues. Ata refuzuan t'i shkonin pas.

Soric Miodrag Kommentarbild App
Miodrag Soric

Rubio nuk kishte një mesazh të fortë për amerikanët. Në fjalime ai vërtet ai bënte fjalë për vizionin e tij për ngritjen e "ekonomisë së shekullit të 21-të", por shumë vetë kanë pyetur, se çfarë nënkuptonte ai me këtë? Si krahasim deklaratat e Donald Trump: Ngritja e një muri për të ndalur emigrantët ilegalë të hyjnë në SHBA; ngritja e barrierave doganore për mbrotjen e tregut amerikan. Këto janë deklarata të qarta, me imazh. Tjetër gjë që idetë e Trumpit nuk sjellin zgjidhje.

Rubio dështoi po ashtu nga mungesa e fondeve. Financuesit e partisë republikane ia dhanë shumë vonë fondet për të ngritur makinerinë e fushatës zgjedhore. Partia mori krahun e Rubios, vetëm kur dha dorëheqjen Jeb Bush, që i kishte arkat plot, por me buzëqeshjen e tij dukej sikur kërkonte falje tek votuesit për kandidaturën.

Bush nuk ia fali Rubios që kërkonte të fitonte të njëjtit zgjedhës për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë. Edhe në ditët e fundit klani me influencë i Bushit nuk ia dha mbështetjen Rubios,"birit" të tyre politik, megjithëse ai u lut disa herë. Politika është e pamëshirshme, sidomos në SHBA.

Dështimi i Rubios do të ketë pasoja. Donald Trump i është afruar shumë qëllimit të tij për kandidaturën presidenciale. Krerët republikanë janë të dëshpëruar, pa rrugëzgjidhje. Republikanët e moderuar shpresojnë që Donald Trump të ndalet nga guvernatori i Ohajos, John Kasich.

Ndërsa tek demokratët zgjedhjet janë më pak interesante. Clinton është dhe mbetet pretendetja kryesore. Por senatori nga Vermonti, Bernie Sanders nuk do të heqë dorë aq shpejt. Qëllimi i tij nuk është të jetë president: Ai kërkon që konkurrentja Clinton të përfshijë temat e tij në program: rregullim më të fortë të Wall Street, më shumë fonde për arsimin dhe infrastrukturën, një "Jo" të qartë për marrëveshjet TTP dhe TTIP. Pjesërisht Clinton do t'i përfshijë objektivat e Sanders, ajo e di se Sanders dhe përkrahësit nuk do t'ia japin mbështetjen kandidates demokrate. Dhe Trump bëhej president! Na ruajtë zoti!

Në fund të këtij artikulli ju mund të ofroni opinionin Tuaj! Ne ju mirëpresim