1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Cilat janë sfidat e suksesit të FPÖ-së në Austri?

Suksesi i populistit të djathtë Norbert Hofer në zgjedhjet presidenciale në Austri është një thirrje për t'i zgjuar fqinjët evropianë. Ne duhet të nisimin luftën kundër të djathtëve, mendon Barbara Wesel.

Rezultati është një tërmet politik i llojit më të pakëndshëm: rezultati i papritur i lartë i politikanit të FPÖ-së Norber Höfer në zgjedhjet presidenciale në Austri është një thirrje për zgjim për pjesën tjetër të Evropës. Vërtet që posti i Presidentit është në masën më të madhe reprezentativ, por ai me sa duket përmbaka mundësi ndërhyrjeje në politikë që më parë nuk merreshin me mend. Hofer ka kërcënuar që tani, që nëse do t'i fitojë zgjedhjet e balotazhit në fund të majit, ai do ta shpërbëjë koalicionin qeveritar socialdemokrat-konservator. Sepse në bazë të sondazheve, partia e tij është partia më e fortë në Austri. Pas kësaj, republika e Alpeve do të ishte një shtet tjetër i BE, që pas Polonisë dhe Hungarisë do të kishte një qeveri populiste të djathtë.

Dorëzim i ish- partive popullore?

Komentatorët austriakë kritikojnë që rezultati i dobët i partive të mëparshme popullore dhe trajtimi nga pozicioni i të dorëzuarit i FPÖ-së është një rast dorëzimi si i konservatorëve, ashtu edhe socialdemokratëve. Kryetari i qeverisë Faymann u kthye nga shok politik i Angela Merkelit në politikën e refugjatëve, në njërin prej kundërshtarëve më të mëdhenj të saj. Dhe përsa i përket mbështetjes nga zgjedhësit, kjo nuk i bëri asnjë punë. Si mund të rrish pa e goditur fuqishëm një kandidat si Hoferi, anëtar i një vëllazërie goditëse me drejtim gjerman-naciona, e në vend të kësaj t'i vish atij vërdallë?

Dhe natyrisht, si mund të mos dërgosh në garë kandidaten apo kandidatin më të fortë që mund të gjejë partia? Në vend të kësaj, dy partitë e mëdha emëruan për garën me sa duket njerëz, që edhe vetë nuk qenë shumë të interesuar që të fitonin. Kjo është vetëvrasje politike nga frika prej vdekjes! Në Vjenë vështrojnë me keqardhje fundosjen e vetes. Kjo mund të duket si një atraktivitet i sëmurë, por në fakt është një gabim dramatik politik. Sepse largimi i të djathtëve nga pozicionet e pushtetit është i vështirë, siç e dimë nga historia e shekullit të 20-të.

Ata janë të gjithë të ndryshëm dhe megjithatë të ngjashëm

"Forca Nacionale" në Rumani, "Sllovakia jonë" në Sllovaki, "Jobbik" në Hungari dëshmojnë për suksesin e lëvizjeve radikale të djathta veçanërisht në Evropën Lindore. Por me FPÖ-në, me Front National në Francë dhe me Partinë Popullore Daneze, ky ngjyrim politik ka sukses edhe në vende me tradita të gjata demokratike. Dhe veçanërisht në Poloni mund të vëresh në rastin e partisë në pushtet PiS se çfarë do të thotë ardhje në pushtet e këtij lloji nacionalistësh të djathtë: ata shkatërrojnë demokracinë, sepse kjo është parakusht që ata të ruajnë pushtetin. Radikalët e rinj të djathtë janë vërtet të gjithë të ndryshëm, por në parim ata janë shumë të ngjashëm.

Ne nuk duhet ta shohim duarlidhur këtë tendencë në Evropë. Ai që do diçka tjetër, duhet të veprojë urgjentisht. Duke filluar që nga shpallja jo të përshtatshme për shoqërinë e këtyre varianteve të djathta. Sepse nuk është e pranueshme që të jesh antidemokratik, racist, nacionalist, antiislam apo kundër të huajve.

Barbara Wesel Kommentarbild App *PROVISORISCH*

Barbara Wesel

Ne duhet të shpjegojmë se përgjigjia për globalizimin dhe pasojat e padëshiruara të tij nuk është në tërheqjen në kufi nacionalë. Apo duan Austria, Sllovakia dhe Hungaria secila më vete që ta ndalojnë marshimin e kapitalit financiar apo avancimin e Kinës? Premtime të tilla janë absurde, absurditeti i tyre duhet nxjerrë në pah - dhe para së gjithash të ofrohen përgjigje më të mira.

Malli për "kohën e vjetër të mirë", siç e propagandojnë atë populistët e djathtë është budallallëk. Dëshira nostalgjike për një botë më të thjeshtë është e kuptueshme - kush nuk e ka menduar njëherë vetë një gjë të tillë? Por ajo që mund të bëhet, është vetëm organizimi më i mirë i së ardhmes, sepse në të kaluarën banojnë vetëm fantazmat. Tek të djathtët, preferohet që që në krye të falsifikohet historia, siç e shohim tani në Poloni. Sfida për të gjithë demokratët në Evropë përballë këtyre zhvillimeve është e qartë: mos vështroni si lepuj gjarpërin e populizmit të djathtë - mos iu shmangni përballjes!