1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Brexit - Luftanije në Kanalin e La Manshit

Javë vendimtare: britanikët votojnë dhe gjermanët janë në dilemë. Dagmar Engel për ato që nuk thuhen zyrtarisht në Berlin.

Lufta dhe Paqja në Evropë - kjo është çështja. Në qeverinë gjermane ku shumicën e përbëjnë evropianë të bindur dhe me përvojë, këtë e dinë të gjithë. Por nuk duhet ta thonë me zë të lartë. Një shije e hidhur për atë që i pret gjermanët dhe evropianët e tjerë: në një pyetje ekzistenciale për të gjithë, votojnë vetëm banorët e ishullit, të gjithë të tjerët nuk kanë mundësi të thonë asgjë.

Këtë dilemë e ndjen qeveria e Merkelit në veçanti. Ajo e ka pas shumicën e gjermanëve si rrallë. Por, pavarësisht se ç'thonë ministritë gjermane, ministrat dhe vetë Kancelarja: ajo që është mjaft e sigurt është se në Britaninë e Madhe gjermanofobe kjo dilemë përdoret kundër tyre dhe kundër Evropës. Ministri gjerman i Financave i cili konsiderohet si ndjekës i vijës së ashpër - pyetni për këtë grekët - e reduktoi këtë dilemë në një fjali të trishtuar. Kur Wolfgang Schäublen e pyetën në mars në Londër, se çfarë do të bëjë Gjermania, nëse Britania do të largohet nga BE-ja, ai tha: "Ne do të qajmë."

Heshtje publike

Angela Merkel ka vendosur të heshtë publikisht lidhur me referendumin e në Britaninë e Madhe. Përtej përbetimit formulë se natyrisht të gjithë në Berlin janë të mendimit se Britania e Madhe i përket BE-së, shoqëruar gjithmonë nga fjalia vendimi është çështje e britanikëve, nuk thuhet thuajse asgjë tjetër. Por kur nuk ka mikrofonë në afërsi, Kancelares i shpëton ndonjëherë ndonjë fjalë e qartë: do të jetë "e tmerrshme" nëse britanikët do të votojnë pro daljes nga Bashkimi Evropian.

Dagmar Engel

Dagmar Engel

Për të qarë dhe e tmerrshme. Jo vetëm nga ana ekonomike: kostot e daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian do të jenë të larta për të gjithë nga Londra dhe Mançesteri deri tek Parisi, Berlini dhe Varshava - më të lartat në Britaninë e Madhe. Që dalja nga BE-ja është ekonomikisht idiotësi e kuptojnë ndërkohë edhe ithtarët e kësaj kërkese. Për këtë arsye argumentet e tyre synojnë tani kryesisht të ndezin emocionet kombëtare, për shkak të gjoja vetëvendosjes dhe të lehtësive. Dhe këtu ata përputhen në ide me vëllezërit dhe motrat e tyre populistë të Evropës. Nacionalistë të të gjitha vendeve bashkohuni për t'u ndarë.

Vërtetë të tmerrshme mund të jenë pasojat politike të Brexit-it. Evropa e Marrëveshjes së Montanës për qymyrin dhe çelikun, e marrëveshjes për tregtinë e lirë, e KE-së dhe e BE-së, ishte dhe është megjithë fjalët e brezit të sotëm që e ka harruar historinë dhe fluturon me linjën Easyjet, një projekt paqeje. Në fund të fundit fjala nuk është për qymyr, por për armë. Barazia e vështirë është e mundur vetëm në qoftë se të gjitha vendet e mëdha të Evropës merren në jetën e përditshme me çështjet e saj të mëdha dhe detajet e vogla. Evropa e BE-së pa Londrën do të bëhet e njëanshme: Berlini do të kalojë në një dominancë që nuk e do dhe që nuk mund ta përballojë. Se si mund të duket kjo dominancë, e përjetoi ministri gjerman i Financave - pyesni përsëri grekët: Gjermanisë nuk i beson më njeri se vepron në interesin evropian.

Paqja në Europë nuk është e vetëkuptueshme

Në gjysmën e parë të shekullit të kaluar çështjet evropiane sollën fillimisht luftëra, pastaj në të dytën, falë Marrëveshjeve të Romës, të Mastrihtit dhe të Lisbonës aq shumë paqe sa që kjo duket tashmë si një gjë e vetëkuptueshme në këtë shekull. Por nuk është kështu, zgjidhjet ushtarake duken përsëri të pranueshme, sikurse mund ta shohim të gjithë në Evropën Lindore. Jo për tre, as pesë, por ndoshta për tridhjetë vjet Kanalin e La Manshit mund ta përshkojnë sërish luftanije trupash armiqësore. Sepse dikur, në vitin 2016, për pyetjet e gabuara u dhanë pa nevojë përgjigje të gabuara.

Dhe askush në qeverinë gjermane nuk lejohet ta thotë këtë me zë të lartë tani.

Ne gëzohemi nëse ju shprehni mendimin tuaj për këtë koment!

DW.COM