1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pavendosmëri fatale

Christoph Hasselbach13 Maj 2014

Deri tani BE-ja ka frikë nga sanksionet ekonomike gjithëpërfshirëse kundër Rusisë. Por vetëm ato mund t'i bëjnë Putinit përshtypje, mendon Christoph Hasselbach.

https://p.dw.com/p/1ByYA
Fotografi: DW/P. Henriksen

BE-ja po sheh gjatë javëve të fundit e pafuqishme se si po prishet rendi i bukur i botës. Në këtë rend botëror, Lindja dhe Perëndimi kishin gjetur një ekuilibër paqësor duke respektuar integritetin territorial të tjerit. Kkufijtë, në qoftë se ndodhte një gjë e tillë, ndryshoheshin vetëm me marrëveshje të përbashkët sipas një procesi të rregulluar negociatash dhe duke mbrojtur minoritetet. Ende Brukseli ka vështirësi të mëdha për t'u përshtatur me realitetet e reja e të vjetra, me politikën e pushtetit, dhe mënyrën e të menduarit gjeopolitik dhe ushtarak.

BE-ja me sa duket ende nuk ka përpunuar si pikë të madhe kthese aneksimin e Krimesë nga Rusia, gjë që është një gjë e tillë, dhe tashmë po duket gjithnjë e më qartë që Rusia do të marrë herët a vonë edhe Ukrainën Lindore. Presidenti rus Putin nuk do të heqë dorë nga qëllimi i tij për të rikthyer sa më shumë nga zona e sundimit të dikurshëm sovjetik, dhe për këtë të paktën nuk do ta pengojnë bllokimet e disa llogarive bankare. Kjo është arsyeja pse të gjitha ofertat e Brukselit për dialog me Rusinë në fund do të jenë të pavlefshme. Lëshimet e Putinit janë thjesht taktike. Dhe deri në një pikë të caktuar ai madje është i gatshëm të pranojë edhe disa disavantazhe ekonomike dhe izolimin.

Putin feston ringjalljen kombëtare

Tani BE-ja po e shtërngon pak më shumë darën e sanksioneve. Por kujt do t'i bëjë në të vërtetë përshtypje një gjë e tillë? Putinit me siguri që jo. Fitimi i prestigjit kombëtar, që presidenti rus mundi ta festonte në paradën e 1 Majit, peshon më tepër se ankesat e disa oligarkëve ose një rubël e dobësuar. BE-ja mund ta dëmtojë vërtetë ndjeshëm Rusinë, në qoftë se do të donte.

Por për këtë ajo duhet të nxirrte nga dollapi çomangën e madhe të sanksioneve ekonomike. Për nga kjo kanë frikë shumë qeveri të BE-së, sepse me këtë mund të dëmtojnë vetveten - ekonomikisht dhe politikisht. Sepse është e vërtetë që Rusia është më e varur ekonomikisht nga BE-ja se sa BE-ja nga Rusia. Për ndërkohë që politikanët në perëndim duhet të shqetësohen prej çdo sondazhi apo lajmi negativ për zhvillimin ekonomik, Putini nuk ka pse e vret mendjen për "demokracinë e tij të drejtuar".

Kush do të sakrifikojë për Ukrainën?

Komisioni Evropian i ka parashikuar në një doracak çdo vendi anëtar, se cilat do të ishin pasojat dhe efektet e dëmshme që e presin secilin vend në rastin e sanksioneve të gjera ekonomike. Shifrat janë sekret, dhe ndoshta për shkaqe bindëse. Por portali stern.de thotë se i di ato dhe i ka botuar. Sipas tij për shembull Gjermania nga rritja e fortë ekonomike këtë vit dhe vitin e ardhshëm, do të pësojë një rënie të lehtë.

Kjo do të thotë se politikanët perëndimorë i kanë duart e lidhura: disa ndryshime decimale në prodhimin e brendshëm bruto, dhe ata mund ta harrojnë që të rizgjidhen. Ata do t'i shtrojnë vetes pyetjen: A do të ishin punonjësit në Gjermani apo Francë të gatshëm të heqin dorë nga rritja e pagave që Ukraina Lindore t'i mbetet Ukrainës? A do të pranojnë çmime më të larta për gazin? A do pranonin vendet e BE-së të troditura nga kriza, të cilat vetëm ngadalë po fillojnë të ecin përsëri me këmbët e tyre, që të presin edhe më gjatë për të dalë nga kriza, vetëm për hir të ruajtjes së një parimi të së drejtës ndërkombëtare? Ndoshta polakët apo estonezët do të jenë të gatshëm edhe për sakrifica të tilla ekonomike. Ata e dinë se ç'vlerë ka pavarësia e tyre nga Moska. Vetëm se pyetja nuk do të shtrohet kështu për shkak se sanksionet ekonomike duhet të vendosen në mënyrë unanime.

Deri tani BE-ja është e ndarë thellësisht. Ajo duhet të vendosë. Ajo iu përgjigj aneksimit të Krimesë nga Rusia me një britmë, por në fund të fundit e pranoi. Në qoftë se BE-ja vazhdon të veprojë me gjysmë zemre dhe bazohet tek dialogu, i jep shenjë Putinit se ai ka dorë të lirë. Por pastaj askush nuk duhet të befasohet, nëse trupat ruse dikur do të jenë në Moldavi, apo madje edhe në Letoni.