1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kodheli: Vizita e John Kerryt - mesazh mbështetje për reformën e drejtësisë në Shqipëri

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli e ftuar në Konferencën e Sigurisë në Mynih në intervistë me DW flet mbi sfidën e terrorizmit dhe politikën shqiptare të mirëpritjes së refugjatëve, në rast të ardhjes nga Maqedonia.

Nato Gipfel in Wales Mimi Kodheli Verteidigungsministerin Albanien

Ministrja shqiptare e Mbrojtjes, Mimi Kodheli

Deutsche Welle: Rreziku nga terrorizmi i të ashtuquajturit "Shteti Islamik" është temë qendrore e Konfencës së Sigurisë në Mynih. A mund të jetë Shqipëria e rrezikuar nga "Shteti Islamik"?

Mimi Kodheli: Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe çdo vend i NATO-s mund të jetë dhe është i rrezikuar nga ky kërcënim, si çdo vend që punon, lufton për vlera pozitive dhe i mbron ato mund të jetë rrezik për një strukturë që nuk ka aspak të bëjë me atë që pretendon së është në mbështetje të fesë islame, ajo është thjesht dhe vetëm një barbari.

Në Shqipëri ka pasur fushata rekrutimi dhe të rekrutuar prej të ashtuquajturit "Shteti Islamik". A ka rrezik që të shtohet numri i pasuesve shqiptarë të një ideologjie të tillë dhe a ndërmerrni ju diçka kundër këtij fenomeni?

Për fat të keq edhe trevat shqiptare janë pjesë e kësaj historie dhe krahasuar me numrin e popullsisë dhe duke u perceptuar Shqipëria dhe trevat ku banojnë shqiptarë si një popullsi me shumicë myslimane, numri nuk është problematik, nëse hedhim një sy tek numri i luftëtarëve të huaj në vende si Anglia apo Franca. Por kjo nuk do të thotë të mos e kemi nën vëmendjen tonë këtë fenomen. Fenomeni nuk është rritje, por edhe ai numër ekzistues përbën shqetësim e duhet të mbahet nën kontroll e të ndalohet. Kjo kërkon impenjimin e strukturave që merren me sigurinë, por edhe impenjimin politik të qeverisë shqiptare, si edhe të qeverive të tjera, qoftë e Kosovës, Maqedonisë, Bosnje-Hercegovinës me qëllim të mbajtjes nën kontroll e reduktimit të këtij numri. Problemi nuk është vetëm sa shkojnë, problem përbëjnë ata që kthehen, me çfarë aktiviteti merren, mënyra si rekrutohen adoleshentët, dhe se sa institucionet fetare të fesë myslimane punojnë në drejtimin e duhur dhe jo të gabuar.

Ka aktivitete të përbashkëta rajonale për të ndalur fenomenin e rekrutimit për të ashtuquajturin "Shteti Islamik"?

Strukturat e sigurisë bashkëpunojnë dhe ndajnë informacionet e duhura, vetëm një bashkërendim i mirë i punëve mund të sjellë sukses në luftimin e këtij fenomeni, por mund të them se bashkëpunimi, sidomos shkëmbimi i informacionit midis vendeve anëtare të NATO-s, apo mes vendeve të rajonit bën të mundur që ky fenomen të përballet. I ashtuquajturi "Shtet Islamik" nuk është ndarë e organizuar si një shtet, ata veprojnë të organizuar mbi një bazë ideologjike, që nuk ka të bëjë me fenë së cilës i përkasin, por që ndërkohë mund të dëmtojë këdo që i vihet kundër.

Një ndër temat e lidhura me këtë është edhe ajo e refugjatëve, temë kryesore në këtë konferencë. Vitin e kaluar Shqipëria ishte një vend burim i emigracionit, tani problemi është tejkaluar, por flitet se mund të kthehet tani në vendkalim refugjatësh, nëse mbyllet kufiri i Maqedonisë. A ka Shqipëria ndonjë plan për ta përballuar apo parandaluar këtë?

Po, Shqipëria ka qenë burim emigrantësh ekonomikë, njerëz që kërkojnë një treg më të madh pune, jetë më të mirë, dhe nuk duhet harruar se Gjermania në vit ka rreth 200.000 emigrantë ekonomikë polakë, e askërkush nuk flet për emigracion polak, se shihet një lëvizje normale aty ku tregu i punës ofron më shumë. Por për të mos u kthyer në problem, sepse pas sirianëve ishin shqiptarët të cituarit si numri më i madh prezent i emigrantëve, kemi marrë masa drastike për të kontrolluar përpara se shqiptarët të dalin nga kufijtë. Nga ana tjetër duhet të punojmë fort që reformat tona të japin fryte, të krijojmë vende pune, në mënyrë që tendenca për t'u larguar nga vendi të jetë në ulje.

Por çdo të bëni nëse përballeni me një fluks refugjatësh?

Shqipëria është e tillë e pozicionuar që lehtë mund të bëhet vend kalimi. Sigurisht përveç faktit që duhet të kesh para dhe logjistikë për të përballuar fluksin e refugjatëve, duhet të kesh politika të drejta për të mos e konsideruar fundin e botës këtë, por për ta parë si një tragjedi biblike, tek e cila duhet të japësh rol pozitiv. Kujtoj luftën e Kosovës, kur në Shqipëri erdhën rreth 1 milionë kosovarë, kur Shqipëria vetë është rreth 2,8 milionë banorë e kjo nuk e bëri Shqipërinë as më të traumatizuar, as më të varfër e as më me probleme, por e ngriti lart imazhin e saj. Njerëzit që ikin nga terrori në shtëpitë e tyre janë të mirëpritur në një vend si Shqipëria, pavarësisht se ne jemi të sigurt se ata nuk duan të qëndrojnë në Shqipëri, por të shkojnë në vende më të zhvilluara. Sigurisht ka një problem logjistik, sepse Shqipëria është vend me rrugë të vogla, sigurisht do të jetë vetëm një vend tranzit. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me fqinjët tanë italianë, maqedonas e kroatë, po ashtu kemi marrë masat tona logjistike nëse ata do duan të kalojnë përmes Shqipërisë.

A mund të thoni konkretisht se çfarë masash janë marrë?

Ne kemi ngritur një grup pune të Ministrisë së Mbrojtjes, të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Minitrisë së Drejtësisë e Transportit, si edhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, emegjenca civile, shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, pra një grup pune që ka bërë përgatitje teorike për të mundësuar kalimin tranzit të refugjatëve të mundshëm.

Në konferencën e NATOs, të premten (12.02) u fol për kontributin e NATO-s për të rregulluar, kontrolluar apo ndalur fluksin e refugjatëve. Cili do të jetë roli i Shqipërisë?

Përgjithësisht ky do të jetë një operacion që ka të bëjë me detin dhe ajrin. Besoj se për momentin nuk do të jetë e nevojshme që Shqipëria të marrë pjesë direkt, sepse ende nuk janë përcaktuar të gjitha praktikat e procedurat nga strukturat e caktuara. Por si vend mesdhetar, Shqipëria është e interesuar në mënyrë të drejtpërdrejtë që të mundësojë një siguri më të madhe në ujërat e detet tona. Kemi kërkuar dhe po shohim bashkëpunimin me misionin Frontex të BE-së.

Shqipëria ka paralajmëuar se do të ofrojë në treg avionët MIG të trashëguar nga komunizmi, a ka interes për këtë?

Shqipëria ka ende mjete fluturuese të vjetra, siç janë avionët MIG, kjo është publike dhe intriguese për një detaj shumë të thjeshtë teknik. Që nga emërimi im si Ministre e Mbrojtjes të gjitha ankandet, qofshin edhe ato për produkte ushtarake janë ankande të hapura. Shqipëria ka shitur edhe më parë, por procedurat kanë qenë të mbyllura. Janë përgjithësisht avionë të dhuruar në vitet 50-të apo 60-të nga rusët apo kinezët.

A janë të interesuar rusët apo kinezët për ta si elementë muzealë?

Ankandi do të jetë i hapur, ne na intereson të pastrojmë tunelet tona që nuk i hyjnë në punë askërkujt, përkundrazi na kushtojnë sepse na duhet t'i mirëmbajmë e interesi ynë është të shtojmë buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry vjen të dielën (14.02) në Shqipëri. Ku do të përqëndrohet vizita e tij?

Ne jemi duke kaluar në një proces të rëndësishëm siç është reforma në gjyqësor, një proces që qeveria Rama e ka marrë seriozisht e beson fort, është investuar po aq seriozisht dhe fort edhe nga SHBA dhe BE. Besoj që sekretari Kerry vjen në Tiranë për të dhënë mesazhin e mbështetjes së kësaj reforme të madhe, shpresoj shumë që të falënderoj ndër të tjera edhe Ministrinë e Mbrojtjes për punën e saj në mbrojtje të paqes e sigurisë në botë.