1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

260409 Clinton Beirut

27 Prill 2009

Me vizitat e saj në Irak dhe në Liban sekretarja amerikane e shtetit Hillari Klinton sinjalizon, se edhe nën presidentin Obama aleatët e Uashingtonit mund të mbështeten tek SHBA-ja.

https://p.dw.com/p/Hf8j
Ministrja e jashtme amerikane, Hillari Klinton siguron për mbështetje amerikane Libanin dhe Irakun
Ministrja e jashtme amerikane, Hillari Klinton siguron për mbështetje amerikane Libanin dhe IrakunFotografi: picture alliance / landov

Klintoni paralajmëron që Irani dhe Siria të mos përzihen në zgjedhjet e Libanit

Tre muaj pas ndryshimit në postin e presidentit të SHBA-së, Hillary Klinton, bën të qartë: Kursi i ri amerikan në politikën ndaj Lindjes së Mesme nuk do të thotë as paaftësi veprimi dhe as ngurrim apo dobësi. Në Bejrut ministrja e Jashtme e SHBA-së foli ndër të tjerë edhe me presidentin Michel Suleiman dhe me politikanin sunit Saad Hariri, i biri i ish-kryeministrit Rafik Hariri, të vrarë gjatë atentatit me bombë në vitin 2005.

Libanezëve zonja Klinton u bëri thirrje, që të mos tremben në zgjedhjet parlamentare në qershor prej dhunës e kërcënimeve:

„Natyrisht ne shpresojmë, që zgjedhjet nuk do të kenë kërcënime dhe ndërhyrje dhe se rezultatet e votimeve do të dëshmojnë për një drejtim të matur dhe pozitiv."

Hisbollahu thotë se Klintoni ndërhyn nga jashtë në Liban, por kërkon të mos ndërhyjnë të tjerët

Deklarata këto që në mënyrë indirekte u drejtoheshin edhe dy fuqive më me influencë në Liban: Iranit dhe Sirisë. Të dyja këto vende mbështesin partinë shiite, milicët dhe organizatën sociale Hisbollah. Muajt e shkuar situata në politikën e brendshme të Libanit u stabilizua, kryesisht përmes kontributeve aktive të Sirisë, që pas largimit të qeverisë amerikane të Bush-it shpreson tani për më shumë kontakte në Perëndim. Hisbollahu reagoi skeptik ndaj vizitës së Klinton-it. Eshtë e çuditshme, se si një politikane e SHBA-së paralajmëron në Liban të mos ndërhyhet nga jashtë, ndërkohë që me vizitën e vet bën pikërisht këtë gjë, thuhet në faqet e Hisbollahut.

Hizbollau tregohet skeptik për misionin e Klintonit
Hizbollau tregohet skeptik për misionin e KlintonitFotografi: AP

Mesazhi i Klinton-it ne nuk i lemë vetëm miqtë

Arsyeja e vizitave në Bagdat dhe në Bejrut ka të bëjë me tërheqjen e trupave të SHBA-së nga Iraku, me valën e fundit të dhunës në Irak - ishin kryesisht pelegrinë shiitë ata që ranë viktimë e sulmeve kamikaz javën e shkuar - si dhe zgjedhjet parlamentare në qershor në Liban. Por kjo vizitë ka të bëjë edhe me influencën e Iranit ndaj këtyre dy vendeve. Mesazhi i Klinton-it është: ne nuk i lemë vetëm miqtë. Ndonëse tani ka marrë fund koha e politikës luftarake të qeverisë së Bush-it edhe qeveria Obama po tregohet këmbëngulëse dhe dominante në Lindjen e Mesme. Klintoni siguroi për këtë si në Bejrut, ashtu edhe në Bagdat:

„Unë theksova mesazhin e presidentit Obama, që strategjia jonë ndoshta ndodhet në një fazë të re, por ne vazhdojmë t' u përgjigjemi pa asnjë kufizim detyrimeve tona ndaj Irakut dhe ndaj popullit irakian.“

Autor: Felix de Cuveland/ Vilma Filaj- Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi