1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kisha serbe dhe Kosova

Ivica Petroviq / Bahri Cani14 Maj 2013

Deklaratat skandaloze të përfaqësuesve të lartë të Kishës Ortodokse Serbe në protestën e fundit të serbëve të Kosovës në Beograd, kanë shkaktuar reagime shumë të ashpra, jo vetëm në opinion por edhe brenda Kishës.

https://p.dw.com/p/18XF3
Fotografi: picture-alliance/dpa

Mitropoliti i Malit të Zi dhe bregdetit Amfilohije tha se "lutet për pendimin e qeverisë dhe kuvendit të Serbisë", lidhur me vendimet për Kosovën. Ndërsa peshkopi i pensionuar Atanasije Jeftiq u shpreh se "Daçiqi thotë se angazhohet për një politikë reale tokësore dhe se nuk e intereson Serbia qiellore. Kështu ka folur edhe Zoran Gjingjiqi në kohën e tij, e Zoti le të gjykojë se si ka përfunduar ai". Këto deklarata janë komentuar në shumë qarqe edhe si thirrje serioze kundër kryeministrit. Nga këto deklarata janë distancuar jo vetëm partitë politike por edhe vet patriku Irinej.

KOS në vetizolim

Deklarata kaq të rënda të nxitura nga çështja e Kosovës kanë rikthyer në sipërfaqe debatet për domethënien e mitit për Kosovën për Kishën Ortodokse Serbe (KOS). Qëndrimi i saj për Kosovën shprehet në një memorandum për Kosovën, të bërë publik në vitin 2003, shpjegon Mirko Gjorgjeviq, sociolog i fesë. Këtu thuhet qartë se "Kosova është Jerusalemi i KOS dhe se kisha serbe Kosovën e trajton pjesë të pandashme të Serbisë, të okupuar momentalisht nga fuqitë perëndimore me ndihmën e tradhëtarëve të brendshëm, thotë Gjorgjeviq.

“Mendoj se Kisha po e dënon me këto qëndrime veten me vetizolim. Kjo më shqetëson më së shumti, sepse KOS ekziston edhe në shumë vende të tjera: Kroaci, Slloveni, Bosnje e Hercegovinë, Kanada, Gjermani dhe vende të tjera dhe atje nuk ka probleme. Por përfaqësuesit e Kishës po harrojnë se kufijtë e një shteti të kanonit dhe atij real nuk janë përputhur kurrë".

Konfliktet për Kosovën

Protestë kundër marrëveshjes me Prishtinën - peshkopi Amfilohije.
Protestë kundër marrëveshjes me Prishtinën - peshkopi Amfilohije.Fotografi: picture-alliance/dpa

Analisti fetar Zhivica Tuciq thotë se qëndrimi i disa përfaqësuesve të lartë fetarë nuk paraqet mendimin e KOS. Por kjo nuk do të thotë se Kisha dhe shteti serb nuk janë në konflikt për çështjen e Kosovës. Do të ishte gabim të thuhet se konflikti nuk ekziston, shpjegon Tuciq. Ai mendon se në KOS ekzistojnë tri rryma të ndryshme për Kosovën. Ajo radikale, pjesa që mendon se shteti ka bërë atë që ka qenë e mundur dhe mendimi i tretë të cilin e shpreh edhe vet patriku. "Ai ka një mendim kritik ndaj politikës së tanishme të shteti, por tek e fundit mendon se shteti është ai i cili duhet të zgjidhë problemet në mënyrën më të mirë të mundshme”, pohon Tuciq.

KOS ka një vlerësim të lartë tek populli serb dhe politikanët, shton Gjorgjeviq duke shtuar se as kjo nuk do të mund të ndryshojë qëndrimin e shtetit ndaj Kosovës.

“Edhe kjo dëshmon se ekziston një konflikt mes Serbisë tokësore dhe qiellore. Qeveria serbe është e ngarkuar me politikën ditore ndërsa kisha është de jure dhe de facto e ndarë nga shteti. Por duhet të shohim se çfarë përmasash do të marrë ky konflikt", pohon ai.

Kisha nuk e pengon marrëveshjen e Brukselit?

Krerët e Kishës kanë pasur takime edhe me krerët e shtetit dhe kanë biseduar për Kosovën. Ata janë shprehur kundër marrëveshjes së Brukselit, por nuk do të pengojnë zbatimin e saj, mendon Tuciq, duke shtuar se një rol të madh në këtë segment do të luajë peshkopi për Kosovën Teodosije, i cili jeton në Kosovë.

Kosova mbetet një prej elementeve më të rëndësishme në mitologjinë e Kishës, pohon Gjorgjeviq. Por ai nuk mendon se do të ketë rrëzim të qeverisë për këtë shkak.