1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kisha në Spanjë në shenjestër për taksa

Lauren Frayer / Amarildo Topi31 Mars 2013

Përveç lutjeve dhe bamirësisë, murgeshat e një manastiri spanjoll kanë edhe një biznes të vogël për shitje bajamesh. Nisma e qytetit për taksimin e këtij aktiviteti ka vënë në dyshim lidhjet kishë-shtet në Spanjë.

https://p.dw.com/p/18717
Fotografi: Fotolia

Në një rrugë me kalldrëm të qytetit Alcala de Henares, rreth 30 kilometra nga Madridi, një manastir 400 vjeçar, El Convento de Clarisas de San Diego, pret klientin e radhës. "Përshëndetje!" -  thotë një klient - "Mund të kem katër kuti me bajame të pjekura ju lutem?" - "Këto kushtojnë 19 euro" - përgjigjet murgesha dhe shpejt transaksioni ka përfunduar.

Përfitimet e murgeshave nga bajamet janë të vogla, por këto përfitime janë në shënjestrën e një grupi ligjor në Alcala. Një pjesë e manastirit përdoret nga murgeshat për qëllime tregtie, prandaj këshilli i qytetit mendon se kisha duhet të paguajë.

"Ne jemi duke parë, nëse pronat e kishës janë duke u përdorur për qëllime tregtie. Nëse kjo është e vërtetë ata duhet të nisin të paguajnë taksa", thotë këshilltari Anselmo Avendaño për DW. Nisma e qytetit Alcala është përballur me kundërshtime në Spanjë. Kryeministri Mariano Rajoy ka deklaruar për gazetarët se përpjekjet për ta bërë kishën të paguajë do të përbënin shkelje të traktatit të vitit 1979 me Vatikanin. "Do të ishte e papërgjegjshme. Ne duhet të përqendrohemi në gjëra më të rëndësishme", tha ai.

Spanien Finanzkrise Madrid Kathedrale Almudena
Katedralja Almudena në MadridFotografi: Fotolia/Aleksandar Todorovic

Pronare tokash

Kisha Katolike zotëron rreth gjysmën e pronave në Alcala. Me rreth 200,000 banorë, qyteti ka më shumë 300 milionë euro borxhe. "Disa shkolla katolike kanë pishina dhe banorët duhet të paguajnë nëse duan të shkojnë atje në fundjavë. Prandaj shkolla duhet të paguajë taksa për këtë aktivitet, por në të vërtetë nuk e bëjnë një gjë të tillë", thotë këshilltari Ricardo Rubio për DW.

Juanjo Pico, një zëdhënës i Europa Laica, një grup spanjoll që lobon për ndarjen e kishës nga shteti, e shikon Alcala si një simbol të një problemi akoma më të madh.  Nëse kisha katolike do të duhet të paguajë taksa për të gjitha pronat e saj në Spanjë, kjo do të thotë se shteti mund të marrë deri në 3 miliard euro në vit.

"Në këto kohë krize, qytetet janë duke i shkurtuar buxhetet e tyre për kujdesin shëndetësor, edukimin, infrastrukturën dhe mirëqënien, por Kisha Katolike nuk ka bërë asnjë shkurtim fondesh. Kjo sepse ata marrin para nga shteti", thotë Pico për DW. Kur spanjollët bëjnë bilancin e taksave të tyre kanë një pjesë ku thonë se duan t'i dhurojnë edhe kishës, e këto para transferohen menjëherë në llogarinë e saj. "Rreth 15 përqind e spanjollëve shkojnë në meshat e fundjavës. Disa vite më vonë një studim tregoi se vetëm 5 përqind e spanjollëve mendonin se kisha ishte një nga tre institucionet më të rëndësishme të shoqërisë", thotë për DW Hamilton Stapell, ekspert për Spanjën në Universitetin Shtetëror të New York.

Kirche von Toledo Spanien
Kishë në Toledo të SpanjësFotografi: Fotolia/grellet.j

Pa përfitime

Nga ana tjetër zyrtarë të Kishës Katolike besojnë se institucioni i tyre është shënjestruar në mënyrë të padrejtë. "Pse ky debat nuk shtrohet për të gjitha grupet jo-fitimprurëse?"- pyet drejtori Financiar i Konferencës Episkopale Spanjolle, Fernando Giménez. Ai thotë se Kisha Katolike ka të njëjtat marrëveshje për taskat ashtu si Kryqi i Kuq dhe OJQ-të e tjera. 

Gjithësesi në rast krahasimi Kisha Katolika është shumë e madhe sesa këto institucione. Kisha është zotëruesja më e madhe e pronave në Spanjë dhe rrjedhimisht subjekt, që duhet të paguajë taksa. Por nga ana tjetër kisha është bamirësja më e madhe në Spanjë. Në një kohë që shumë shërbime të rëndësishme kanë probleme për shkak të shkurtimeve të fondeve, ajo u vjen në ndihmë atyre, që kanë nevojë. "Sigurisht që ne duhet të paguajmë më shumë taksa. Kisha do të vazhdonte të ndihmonte njerëzit në nevojë, por do të kishim më pak para për këtë qëllim”, thotë Barriocanal. Sërish këshilli i qytetit Alcala ka si qëllim të përfundojë studimin e tokës në fund të vitit dhe nëse ky plan vazhdon atëherë Kisha Katolike do të ketë një faturë tjetër taksash.