130610 Kirgistan Unruhen
14 Qershor 2010Është një luftë e vërtetë, deklaroi një udhëheqës i partisë Ata-Shurt. Gjithçka është përfshirë nga flakët, kufomat i sheh nëpër rrugë. Megjithë ndalimqarkullimin dhe urdhërin për të hapur zjarr, ushtria nuk arriti as në ditën e tretë që ta vërë nën kontroll gjendjen në Osh.
Qeveria urdhëron mobilizimin e pjesshëm të popullsisë
Të rinj me maska kaluan të dielën (13.6) paradite nëpër rrugët e qytetit të dytë nga madhësia të Kirgizisë dhe u vunë flakën pa dallim shtëpive. Minoriteti uzbekas masakrohet me plotëkuptimin e fjalës, bën të ditur Andrea Berg nga organizata e të drejtave të njeriut Human Rights Watch. Ajo ka mbetur e bllokuar në Osh.
Qeveria tranzitore e Bishkekut ka urdhëruar ndërkohë një mobilizim të pjesshëm. Të gjithë rezervistëve, midis 18 dhe 50 vjeç u është bërë thirrje të paraqiten nën armë, deklaroi zëdhënësi i shtypit, Farid Nijasow: "Ata marrin armë dhe uniforma. Nëpër rrugë nuk janë njerëz dosido. Janë njerëz që kanë përfunduar shërbimin ushtarak dhe kanë mbledhur përvojë përkatëse ushtarake. Veç kësaj u nënshkrua një dekret, i cili lejon ushtrinë dhe trupat e Ministrisë së Brendshme si dhe milicinë që në orët e bllokadës të hapin zjarr kundër shkelësve të bllokadës." Numri i të vdekurve ndërkohë ka mbërritur në 80. Numri i vërtetë i viktimave vlerësohet në disa qindra vetë. Spitalet janë të stërmbushura. Mungojnë konservat e gjakut, medikamentet dhe fashot. Më shumë se njëmijë vetë janë plagosur deri tani në trazirat e dhunshme midis grupimeve kirgize dhe uzbeke.
Katasfrofë humanitare
Mijëra refugjatë janë mbledhur në kufi me Uzbekistanin fqinj. Dëshmitarët flasin për një katastrofë humanitare. Rajone të caktuara i kërcënon vdekja nga uria. Qeveria tranzitore kirgize i kërkoi sërish të dielën ndihmë ushtarake dhe pajisje Rusisë. Rusia e refuzoi të shtunën dërgimin e trupave të paqes. Argumenti që dha ishte se bëhet fjalë për çështje të brendshme të Kirgizisë. Zëdhënësja e presidentit rus, Timakowa tha se hë për hë Rusia do të ofrojë ndihma humanitare. Një avion i parë i Mbrojtjes nga Katastrofat dërgoi medikamente dhe ushqime në këtë vend aziatikoqendror.
Në rrugën e kthimit avioni mori me vete të plagosur. Zëvendësi i kryemjekut të Mbrojtjes ruse nga Katastrofat, Sergej Nemajew deklaroi: "Të gjithë pacientët janë në gjendje stabile. Fluturimin e përballuan mirë. Tani ata do të shpërndahen në spitalet e Moskës. Këtu do të marrin trajtimin, i cili nuk qe i mundur t'u jepej më në Kirgizi."
Kryeministrja tranzitore, Rosa Otunbajeva bëri sërish përgjegjës për gjakderdhjen mbështetësit e presidentit të rrëzuar, Bakijev. Sipas saj, ata provokojnë qëllimisht tensione etnike, për ta destabilizuar politikisht Kirgizinë.
Të dielën, Bakijevi i cilësoi gënjeshtra këto deklarata. Që nga emigracioni ai e akuzoi për paaftësi qeverinë tranzitore. Sipas tij ajo nuk është në gjendje të mbrojë qytetarët e saj. Kirgizia ndodhet në prag të kolapsit, tha ai.
Autor: Christina Nagel/Auron Dodi
Redaktoi: Lindita Arapi