1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kiev: Kryeministri jep dorëheqjen

afp, dpa, rtr/Mimoza Cika-Kelmendi28 Janar 2014

Situata në Kiev vazhdon të jetë e tensionuar. Pas negociatave mes përfaqësuesve të qeverisë dhe opozitës, sot (28.01) dha dorëheqjen kryeministri Asarov. Shefja e diplomacisë europiane, Ashton udhëton sot për në Kiev.

https://p.dw.com/p/1AyIX
Nikolai AsarovFotografi: picture-alliance/dpa

Pas protestave të vazhdueshme kundër qeversië ukrainase, kryeministri Nikolai Asarov ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij. Ai e ka argumentuar këtë si një "vendim personal" për të bërë të mundur "arritjen e një kompromisi për një zgjidhje paqësore të konfliktit", deklaroi 66 vjeçari në Kiev. Në luftën për pushtet me presidentin Viktor Janukoviç, opozita ukrainase më parë deklaroi se ka arritur një hap të rëndësishëm në synimet e saj për të ardhmen. Gjatë bisedimeve të hënën në mbrëmje përfaqësuesit e qeverisë dhe të partitive më të mëdha opozitare ranë dakord që të shfuqizojnë ligjin e vendosur dy javë më parë për kufizimin e organizimit të protestave. Përveç kësaj u ra dakord që qeveria t'u ofrojë amnisti demonstruesve, të cilët pushtuan selinë e Ministrisë së Drejtësisë.

Në vazhdën e thellimit të krizës politike në Ukrainë, protestuesit lanë ambientet e ministrisë, pasi ministrja e Drejtësisë, Olena Lukash, paralajmëroi se do të bënte thirrje për gjendje të jashtëzakonshme. Por, në fund të ditës, Lukash shtoi se ligjet anti-protesta, të cilat hynë në fuqi më 16 Janar, do të shfuqizohen dhe se protestuesit, që mësynë ministrinë e saj, do të fitojnë amnistinë, në momentin që “do të lirojnë të gjitha institucionet dhe rrugët” e zëna prej javësh.

Ukraine Kiew Protest Demonstrant 27.1.2014
Demonstruesit në Pallatin e DrejtësisëFotografi: Reuters

Ndërkohë zevëndëspresidenti amerikan Joe Biden i kërkoi Janukoviçit përmes një bisede me telefon që forcat e rendit të tërhiqen nga qendra e qytetit në Kiev dhe të bashkëpunojë me opozitën, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë. Po ashtu këtë të martë në mbrëmje (28.01.14) dy ditë më herët se dita që ishte planifikuar, e ngarkuara e BE-së për çështjet diplomatike, Catherine Ashton udhëton për në Kiev për të biseduar me përfaqësuesit e palëve në konflikt.