1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

KE: hapje e kushtëzuar e negociatave të Shqipërisë në BE

9 Nëntor 2016

Kushti për nisjen e negociatave - zbatimi i reformës dhe i ligjit të vettingu, të pezulluar nga Gjykata Kushtetuese.

https://p.dw.com/p/2SQej
Albanien Wahlen 21.06.2015
Fotografi: picture alliance/dpa/A. Babani

Delegacioni i BE në Tiranë njoftoi zyrtarisht se sot (09.11.2016) Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn publikoi në Bruksel Raport- Progresin e Komisionit Europian për Shqipërinë, ku rekomandohet hapja e kushtezuar e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Kushti thelbësor është zbatimi i reformës në drejtësi dhe sidomos i ligjit të vetting-ut, që para dy javësh u pezullua nga Gjykata Kushtetuese pas kërkesës së PD ne opozitë për ta shpallur ligjin antikushtetues.

Në një konferencë shtypi në prag të publikimit të raportit , ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin, tha se ky raport është më pozitivi që ka bërë ndonjëherë Brukseli për Shqipërinë. Ajo theksoi se Shqipëria  ka bërë progres në  90% të të gjitha çështjeve si edhe në pesë prioritetet kyçe, që lidhen me hapjen e negociatave mes Tiranës dhe Brukselit .

" Shqipëria nuk ka shënuar përparim  dhe kanë mbetur në vend 10 % e çështjeve që lidhen me hapjen e negociatave:  liria e shprehjes, liria e lëvizjes për punë, peshkimi, prokurimet publike dhe çështjet audio- vizuale. Shumë e rëndesishme është  fillim i zbatimit të Reformës në Drejtësi,  ngritja dhe funksionimi i institiucioneve të reja të drejtësisë së reformuar” tha ambasadorja Vlahutin.

Vlerësimin më të lartë ”well prepared”, që do të thotë arritje e standartit të kërkuar për anëtarësim në BE, Shqipëria, sipas raportit në fjale, e ka marre  vetëm  në politikën e jashtme.

Shqipëria në mes të procesit drejt anëtarësimit në BE

Edhe pse në 90% të çështjeve që lidhen me hapjen e negociatave të anëtarësimit Shqipëria ka shënuar përparim,  Komisioni Europian i rekomandoi Këshillit të BE, - të përbërë nga kryeministrat  e të gjitha vendeve anëtare- vetëm hapje të kushtëzuar të negociatave. Arësyen pse e tregon ambasadorja Vlahutin.

" Kur themi përparim , kjo nuk do të thotë se janë arritur rezultate përfundimtare që do të mund ta kualifikonin Shqipërinë për t' u anëtarësuar në BE. Edhe kur bëhen hapa të vogla përpara, janë shënuar përparime. Shqipërisë do t'i duhen vite për të arritur përputhshmërinë me BE. Kapërcim i tranzicionit do të marrë kohë, Shqipëria është në mes të procesit të integrimit në BE”, tha ambasadorja Vlahutin.

Ajo theksoi gjithashtu se reforma zgjedhore dhe zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017, trajtimi i çështjeve që lidhen me mungesën e paanshmërisë në komisionet zgjedhore  janë kushtëzime të tjera lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Vettingu- në dhjetor pritet zhbllokimi i tij

Por në krye të kushtëzimeve, mbetet zbatimi i ligjit të pezulluar të Vetting-ut, si pjesa me thelbësore e Reformës në Drejtësi. Ajo që pritet me padurim nga BE është opinioni i Komisionit të Venecias , të përfshirë në reformën e drejtësisë.

" Ky Komision do të japë opinionin e tij në fillim të dhjetorit. Është fjala për disa nene jo për gjithë ligjin e vetting-ut. Shqipëria është në rrugën e duhur: u miratua paketa e ndryshimeve kushtetuese, Parlamenti ka miratuar  7 ligje për ngritjen e institucioneve të reja dhe 34 ligje të tjera pritet të miratohen.  Shqipëria po ecën drejt BE  mënyrë të qartë, gjë që nuk ka qënë kaq e tillë deri tani,” tha ambasadorja Vlahutin.

Në Tiranë dita e  sotme mund të  konsiderohet historike në procesin e gjatë dhe të mundimshëm të Shqipërisë për t'u anëtarësuar në BE. Por rezultati i zgjedhjeve në SHBA dhe fitorja e Donald Trumpit po e konkuron  fort  këtë ngjarje, për sa i përket vëmendjes së politikanëve dhe publikut.