1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kastriot Islami: Titulli i raportit u ndryshua

25 Janar 2011

Deputeti socialist Kastriot Islami, merr pjesë në delegacionin e Shqipërisë në punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që diskutoi gjatë ditës së martë mbi raportin e senatorit zvicerian, Dick Marty.

https://p.dw.com/p/102zl
Deputeti socialist Kastriot IslamiFotografi: AP

Deutsche Welle: Zoti Islami, çfarë të veçante pati seanca e sotme lidhur me raportin e deputetit Dick Marty? Ka pasur ndryshime në raportin e tij lidhur me akuzat e ngritura?

Kastriot Islami: Vetë Dick Marty ka pranuar deri tani ndryshimin e titullit, gjë që do të konsiderohej si një sukses i rëndësishëm për sa i përket gjithë veprimtarisë që është zhvilluar deri tani në mbledhjen plenare të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Europës. Dikur bëhej fjalë për titull ,që në mënyrë direkte ka pasur impakt gjatë gjithë kësaj kohe dhe krijonte përshtypjen e një rezonimi të fajësisë, pra të dënimit të të gjithë përfaqësuesve që kishin kontribuar në çështjen e trafikut të organeve. Ndërkohë që titulli i ri është "investigimi i akuzave të dyshuara për çështjen e trafikut". Pra në një mënyrë ose tjetër ka ndryshuar pothuajse në 180 gradë sensi i këtij raporti. Marty, ka pranuar që ky raport nuk fokusohet kundër popullit kosovar, nuk është kundër pavarësisë së Kosovës, nuk është një raport që amniston të gjitha krimet e regjimit të Milosheviçit dhe nuk është një raport, që duhet keqpërdorur nga pala ruse apo serbe, por është një raport për të drejtat e njeriut, fokusohet në një çështje të caktuar dhe për të cilin, kërkohet të ndriçohen pikërisht dyshimet që ngrihen dhe akuzat e hamendësuara për këtë çështje.

Deutsche Welle: Ju keni paraqitur një sasi të madhe amandamentesh, cilat ishin vërejtjet kryesore dhe cilat janë kërkesat e Shqipërisë?

Kastriot Islami: Rezoluta ka 20 paragrafe dhe paragrafi më kryesor dhe më i rëndësishëm, që angazhon në të ardhmen institucionet e EULEX-it, institucionin e Gjykatës Ndërkombëtare për krimet e luftës në ish Jugosllavi, autoritete shqiptare, kosovare dhe ato serbe, është paragrafi 19 dhe këtë paragraf ne e kemi pranuar pa asnjë lloj amendimi. Gjithë të tjerat janë vlerësime që vijnë si rezultat i raportit. Por e rëndësishme është, që në vlerësimin total zoti Marty ka pranuar të flasë për akuza të bazuara në dyshime. Pra ai nuk akuzon, sepse ai nuk ka asnjë provë dhe asnjë fakt të ri.

Deutsche Welle: Zoti Marty tha se nuk ka drejtësi pa sqarimin e plotë të së vërtetës. Jeni ju të gatshëm si Shqipëri që ta ndihmoni ndonjë ekip që do të ngrihej për të zbardhur të vërtetën?

Kastriot Islami: Qëndrimi ynë kostant është ka qenë dhe vazhdon të jetë që, ne jemi të hapur dhe nuk ka si të mos jetë që të jemi të hapur për një investigim ndaj këtyre akuzave apo dyshimeve që ka ngritur zoti Marty mbi bazën e kujtimeve të zonjës Karla del Ponte. Pavarësisht se ne kemi vlerësimin se për ato nuk ka prova dhe fakte të reja për këto akuza të dyshuara, ne jemi shumë të hapur dhe s`ka si të jetë ndryshe. Autoritetet shqiptare dhe kosovare janë ishin dhe do të jenë më të interesuara për të bërë këtë transparencë, se përndryshe, në një mënyrë ose në një tjetër, do të konsideroheshin që kanë rënë në kurthin e të gjithë atyre që ju intereson të mos krijohej transparenca.

Deutsche Welle: A ka paraqitur zoti Marty ndonjë dëshmi tjetër konkrete për të cilën kanë kërkuar, jo vetëm europarlamentarët, por edhe EULEX-i dhe gjithë autoritetet ndërkombëtare?

Kastriot Islami: Zoti Marty edhe një herë tjetër ka vazhduar të qëndrojë konseguent qëndrimit të tij të intervistave të mëparshme. Unë bëj një akuzë politike të bazuar në ato që quhen alegacione. Pra në hamendësi, në dyshime që unë kam lidhur me këtë çështje. Pra kam indikacione, dyshime dhe ndonjë akuzë të karakterit politik. Mbi bazën e këtij dyshimi që kam, kërkoj të bëhen investigime. Ky është qëndrimi që tani është artikuluar i qartë dhe i saktë edhe në titullin e raportit.

Autor: Mimoza Kelmendi / Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama