1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Karusel lojtarësh dhe trainerësh në klubet gjermane të futbollit

6 Qershor 2009

Kampionati i futbollit në Gjermani ka përfunduar, lojtarët zyrtarisht janë me pushime deri në fund të qershorit. Por si rrallë herë më parë, është hapur një lloj burse e trainerëve dhe lojtarëve.

https://p.dw.com/p/I4ba
Nga ndeshja që përcaktoi kampionin e Gjermanisë në futboll VfL Wolfsburg - Werder Bremen. Lojtarët e VfL Wolfsburg i gëzohen titullit.
Nga ndeshja që përcaktoi kampionin e Gjermanisë në futboll VfL Wolfsburg - Werder Bremen. Lojtarët e VfL Wolfsburg i gëzohen titullit.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Karuseli i ndryshimeve spektakolare filloi ende pa përfunduar kampionati, kur Felix Magath bëri të ditur se do të largohet nga Volfsburgu dhe do të kalojë tek Shalke. Vendimi u bë i ditur në fazën më të rëndësishme të kampionatit, kur Volfsburgu gjendej para fitores së titullit të parë të kampionit gjerman në historinë e këtij klubi. Volfsburgu megjithatë shumë shpejt gjeti pasardhësin e Magathit.

"Të trainosh një ekip që është bërë kampion i Gjermanisë është një detyrë e mirë. Por kjo do të jetë kjo një detyrë e vështirë dhe shumë interesante", deklaroi traineri i ri Armin Veh, i cili në vitin 2007 pati fituar titullin e kampionit me ekipin e Shtutgartit.

Traineri i ri i kampionit të Gjermanisë, Wolfsburg-ut, Armin Veh.
Traineri i ri i kampionit të Gjermanisë, Wolfsburg-ut, Armin Veh.Fotografi: AP

Enigma më e madhe në Volfsburg është mbetja apo jo e qendërsulmuesit, Edin Xheko. Për shërbimet e boshnjakut 23 - vjeçar janë të interesuara shumë klube të mëdha në Evropë, ndër të cilët edhe Chelsea i Londrës. Lojtarët e tjerë kryesorë të "ujqëve" siç quhen, Benaiglo, Grafite apo Misimoviq, pohojnë se do të mbeten në Volfsburg.

Çështjen e trainerit e ka zgjidhur shpejt edhe Bajerni i Mynihut, i cili e ka angazhuar holandezin Louis van Gaal.

Louis van Gaal, traineri i ri i Bajernit të Mynihut.
Louis van Gaal, traineri i ri i Bajernit të Mynihut.Fotografi: pa / dpa

Trajneri i famshëm duket se është i vendosur që klubit më të suksesshëm gjerman t'ia kthejë shkëlqimin e vjetër. Bajerni ka angazhuar deri tani disa lojtarë të njohur si Anatolij Timoshçuk, Ivica Oliq, Danijel Pranjiq dhe Alexandar Baumjohann. Megjithatë, lojtari më i shquar i angazhuar është qendërsulmusi i deritanishëm i Shtutgartit, Mario Gomez, për të cilin Bajerni ka paguar rreth 30 milionë euro. Është ky kalimi më i shtrenjtë në historinë e futbollit gjerman. Për Gomezin ishin të interesuara edhe shumë ekipe jashtë Bundesligës, por ai thotë: "Nuk kam pasur asnjë shkak dhe nuk kam pasur dëshirë që të kaloj në ndonjë klub jashtë vendit. Bundesliga është ndër kampionatet më atraktive, ndërsa Bajerni i Mynihut mund të matet me çdo ekip në arenën ndërkombëtare."

Bavarezët tani kanë katër sulmues cilësorë: Mario Gomez, Luka Toni, Miroslav Klose dhe Ivica Oliq. Kohët e fundit megjithatë po flitet për mundësinë e largimit të italianit Toni. Nuk përjashtohet madje as mundësia që nga radhët e bavarezëve të largohet edhe francezi Frank Ribery, por deri tani nuk ka asgjë konkrete.

Ndërsa dihej që më parë dihej se Lukas Podolski do të kalojë në Këln, dhe kontrata nuk i është vazhduar brazilianit Ze Roberto. Menaxheri i Bajernit Uli Höneß thotë se Bajnerni do të përforcohet edhe me disa lojtarë të tjerë, ndërsa ndër emrat më të lakuar është portjeri i Shalkes, Manuel Neuer.

Një prej mesfushorëve më të mirë në Gjermani, braziliani Diego është larguar nga Verderi i Bremenit. Për shërbimet e tij, Juventusi ka paguar rreth 25 milionë euro. Kapiteni Frank Baumann ka përfunduar karrierën, ndërsa pritet që nga klubi të largohet edhe qendërsulmuesi Rosenberg. Megjithë spekulimet e shumta, traineri Thomas Schaaf, duket se do të mbetet në Bremen.

Çështjen e trainerit e ka zgjidhur edhe Borusia Mönchengladbach, e cila në vend të 67-vjeçarit Hans Mayer, ka emruar trainerin Michael Frontzeck, i cili më parë u largua nga Arminia e Bilefeldit. Ndërkohë që të premten një trainer të ri paraqiti edhe Ajntrahti i Frankfurtit. Në vend të Friedrich Funkel-it të larguar, u emrua Michael Skibbe. Pa trajner ende është Hamburgu, pasi që Marthin Johl papritur vendosi të kalojë tek Ajaksi i Amsterdamit. Një befasi edhe më e madhe ndodhi në Këln, ku Christoph Daum papritur vendosi të kalojë tek Fenerbahçe e Turqisë, ku si trainer ka punuar tre vjet me radhë. I befasuar por jo i brengosur ishte edhe Lukas Podolski.

Lukas Podolski, lojtar i kombëtares gjermane të futbollit.
Lukas Podolski lë Bajernin e Mynihut për t'u rikthyer tek ekipi i Köln-it.Fotografi: AP

"Unë nuk kam vendosur që në Këln të kthehem për shkak të trainerit, por për shkak se e dua këtë ekip dhe dua që së bashku të shkojmë përpara. Natyrisht që më vjen keq për largimin e trainerit, por si lojtar unë nuk kam ndonjë ndikim në këtë çështje. Kështu ka vendosur trajneri dhe kjo duhet të pranohet".

Ndër trainerët që mund t'i ndryshojnë klubet janë edhe Bruno Labadia (Bajer Leverkuzen), Marcel Kohler (Bohum) e madje edhe Lucien Favre (Herta e Berlinit). Ndërsa ndër emrat më të lakuar të lojtarëve në Gjermani janë aktualisht Marko Marin dhe Patrick Helmes. Sa i përket lojtarëve shqiptarë, deri tani është e sigurt se Valdet Rama, tri vitet e ardhshme do t'i mbrojë ngjyrat e Hanoverit. Një prej lojtarëve interesantë në tregun gjerman të futbollit është edhe Ervin Skela, në veçanti pas rënies së Kotbusit në ligën e dytë.

Autor: dpa/Bahri Cani

Redaktoi: Eliana Xhani