1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kapitull i ri për Ballkanin - arrestimi i Mladiçit ditë e mirë për drejtësinë

27 Maj 2011

Satisfaksion për të afërmit e viktimave dhe shanse për të ardhmen për Serbinë: arrestimi i Ratko Mladiçit do të mundësojë rivlerësimin e një kapitulli mizor të luftës së Bosnjës. Verica Spasovska komenton.

https://p.dw.com/p/11Omy

Është një ditë e mirë për drejtësinë dhe fillimi i një kapitulli të ri për historinë e Ballkanit. Gjashtëmbëdhjetë vjet pas fundit të luftës në Bosnjë-Hercegovinë, me Ratko Mladiçin u kap më në fund një nga figurat kyçe të tmerreve të luftës kundër myslimanëve boshnjakë dhe kroatëve. U desh të kalonte shumë kohë, por për të afërmit e viktimave të masakrës së Srebrenicës këta 16 vjet duken si një minutë: trauma e Srebrenicës, ku u masakruan më shumë se 8.000 meshkuj ka lënë gjurmë të thella. Për këtë krim dhe për rrethimin prej tri vjetësh e gjysëm të Sarajevës bëhet fajtor gjenerali Ratko Mladiç. Me kapjen e tij dhe me rivlerësimin në përputhje me shtetin ligjor të fajit të tij është krijuar tani më në fund edhe parakushti që të afërmit e viktimave të përjetojnë satifaksion.

Cilat janë shkaqet që i dyshuari si kriminel lufte u kap vetëm pas kaq shumë vitesh arrati? Me zë të ulët kishte kohë që thuhej se autoritetet e Serbisë e njihnin vendin ku rrinte i fshehur ai. Kështu në Sarajevë thuhet që qeveria e Beogradit vendosi ta arrestojë Mladiçin, sepse presioni nga Brukseli ndaj Serbisë u bë gjithnjë e më i fortë. Sepse bashkëpunimi me Tribunalin Ndërkombëtar për Krimet e Luftës është një parakusht i rëndësishëm për anëtarësimin në BE.

Kalkulimi i Tadiçit

Presidenti i Serbisë Boris Tadiç kërkoi me të vërtetë si kundërpeshë për arrestimin e Tadiçit anëtarësimin e shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian. Partia e tij e ka humbur në mënyrë drastike mbështetjen në vend dhe i duhet të druhet për një humbje të pushtetit në zgjedhjet parlamentare në pranverën e ardhshme. Me një anëtarësim në BE, i cili të afrohet, Tadiçi shpreson të mbledhë pikë në politikën e brendshme. Por njëkohësisht ai i futet edhe një rreziku të konsiderueshëm: pas arrestimit të Radovan Karaxhiçit në vitin 2008, një bashkëluftëtari të Mladiçit, në Serbi u shkaktuan trazira të konsiderueshme. Këtë herë Tadiçi shpreson se shpresa e ofruar për një anëtarësim në BE do t'i qetësojë gjakrat.

Për këtë erë të mbarë Tadiçi ka nevojë urgjente. Sepse më shumë se gjysma e serbëve u shpreh para pak kohësh kundër një dorëzimi të Mladiçit. Për ta ai është një hero i popullit dhe jo kriminel lufte. Procesi gjyqësor kundër tij tani mund të ndihmojë për t'i dhënë fund kapitullit të fundit të errët në historinë e Serbisë dhe të fqinjve të saj. Sepse historia çlirohet nga mitet dhe e vërteta mund të dalë në dritë. Prandaj kjo ditë është një ditë e mirë për Serbinë dhe për fqinjët e saj. Drejtësia ndërkombëtare ka mundësinë të vërtetojë edhe njëherë tjetër: për kriminelët e luftës nuk ka shpëtim. Pavarësisht sa kohë të duhet derisa përndjekësit të kenë sukses.

Autor: Verica Spasovska

Redaktoi: Esat Ahmeti