1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kancelarja Merkel bën një bilanc të përzier për Afganistanin

28 Janar 2010

Gjermania do ta shpejtojë ngritjen e forcave afgane të sigurisë. Për këtë qëllim duhen dërguar përkohësisht edhe ushtarë të tjerë në këtë vend. Ky është koncepti, që shpjegoi kancelarja në një deklaratë qeveritare.

https://p.dw.com/p/LiaS
Kancelarja Angela Merkel gjatë paraqitjes së konceptitFotografi: AP

Gjermania do ta shpejtojë ngritjen e forcave afgane të sigurisë. Për këtë qëllim duhen dërguar përkohësisht edhe ushtarë të tjerë në këtë vend, para se të nisë tërheqja pas vitit 2011. Me këtë koncepti ka shkuar Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle në konferencën ndërkombëtare për Afganistanin në Londër.

Akoma vendimi nuk shtrohet për t'u aprovuar në parlament. Akoma është vetëm një propozim i qeverisë gjermane, që ashtu si propozimet e vendeve të tjera do të shërbejë për strategjinë e re për Afganistanin. Vetëm atëherë, kur të ketë një rezultat nga Londra dhe ai duhet zbatuar, Bundestagu do të votojë. Por kancelarja Merkel do që misioni gjerman në Afganistan të ketë si deri tani mbështetjen e gjerë të parlamentit. Prandaj të martën në mbrëmje (26.1.) ajo ftoi kryetarët e fraksioneve të partive parlamentare në një darkë me presidentin afgan Hamid Karzai, prandaj ajo dha në parlament një deklaratë qeveritare. Aty kancelarja doli me një bilanc të dyzuar për angazhimin tetëvjeçar gjerman në Afganistan.

„Ka patur shumë përparime dhe shumë prengesa. E qartë është se bashkësia ndërkombëtare nuk e ka arritur akoma qëllimin e misionit të saj. Dhe prandaj ne duhet të veprojmë."

Fillimisht ushtarë shtesë në Afganistan

Thelbi i konceptit të ri të qeverisë gjermane është përgatitja e forcave afgane të sigurisë.

„Kjo nuk do të bëhet më vetëm në kampe si deri tani, jo, në të ardhmen ushtarët tanë së bashku me kolegët e tyre afganë do të kujdesen për mbrojtjen e popullsisë në rajonin verior. Kjo detyrë do të jetë në të ardhmen në qendër të angazhimit tonë. Për këtë arsye – natyrisht me aprovimin e parlamentit gjerman – ne do të dërgojmë edhe 500 ushtare dhe ushtarë shtesë në Afganistan.“

Krahas kësaj i duhet kushtuar shumë vëmendje edhe përgatitjes së policisë dhe ndihmës për rindërtimin civil.

Opozita do të presë përfundimet e Konferencës së Londrës

Sigmar Gabriel und Frank Walter Steinmeier SPD
Kryetari socialdemokrat Sigmar GabrielFotografi: AP

Për opozitën socialdemokrate nuk u përgjigj si zakonisht kryetari i fraksionit, ish-ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier, por kryetari i partisë Sigmar Gabriel. Kryesia e partisë ditët e fundit është marrë intensivisht me Afganistanin. Tani Gabriel kërkon, jo që të flitet për luftë, siç bën partia e majtë, apo për „konflikt luftarak", siç bën ministri i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg.

„Njëra është po aq gabim sa edhe tjetra. Të flasësh për luftë, apo të deklarosh misione luftarake, kur bëhet fjalë për mbrojtje nga lufta civile dhe terrorizmi, apo të deklarosh parimet sublime të së drejtës ndërkombëtare të OKB-së, por t'ia refuzosh asaj mjetet, për të zbatuar të drejtën ndërkombëtare."

Gabriel deklaroi, se do t'i shqyrtojë rrënjësisht propozimet e qeverisë pas konferencës së Londrës dhe e la të hapur, nëse fraksioni i tij do të japë në fund aprovimin. Këtë e bëri edhe kryetarja e fraksionit të gjelbër, Renate Künast. Ajo donte të dinte, se si riintegrimi i talibanëve të mëparshëm do të arrihet pa cenime të të drejtave të njeriut dhe se çfarë do të ndodhë me shpenzimet për rindërtimin civil.

„Ne duam të dimë edhe nga qeveria afgane, se si e investon paranë në të vërtetë për ndërtimin e vendit.“

Partia e Majtë me shefin e fraksionit Gregor Gysi ishte e vetmja, që e cilësoi misionin gjerman në Afganistan si kategorikisht të gabuar.

Einsatzgebiete der Bundeswehr in Afghanistan Flash-Galerie
Territori i angazhimit të ushtrisë gjermane në Afganistan

„El Kaida vepron tani nga Pakistani dhe vendet e tjera. Nqs ju besoni seriozisht, se mund të luftoni terrorizmin me luftë, duhet të largoheni menjëherë nga Afganistani dhe të zhvilloni tani luftë në vende të tjera.“

Pak para diskutimit në parlament presidenti afgan Karsai mbështeti me forcë konceptin e qeverisë gjermane.

„Afganistani nuk do që të jetë barrë mbi supet e aleatëve dhe miqve të vet. Afganistani dëshiron që së shpejti të mund të mbrojë vendin dhe popullin e tij me mjetet e veta."

Autor: Peter Stützle / Angjelina Verbica

Redaktoi: Elert Ajazaj