1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

131211 Kanada Ausstieg Kyoto-Protokoll

13 Dhjetor 2011

Kanadaja është vendi i parë që ka deklaruar tërheqjen nga Protokolli i Kiotos. Me këtë ky vend i shpëton një gjobe të mundshme në një shumë miliardëshe. Vendimi i Kanadasë nuk është surprizë.

https://p.dw.com/p/13RmQ
Peter Kent, ministri i Ambientit në Kanada
Peter Kent, ministri i Ambientit në KanadaFotografi: dapd

Qeveria konservatore e Kanadasë pati deklaruar në javët dhe muajt e fundit se Kioto është një diçka që i përket së kaluarës. Megjithatë, ministri i Ambjentit Peter Kent nuk dha në takimin e nivelit të lartë për klimën në Durban asnjë indikacion për largimin e mundshëm nga marrëveshja e Kiotos: "Ne jemi krenarë që japim kontributin tonë."

Kështu shprehet ministri, i cili udhëtimin e tij në Durban donte ta kuptonte si simbol të dëshirës së mirë. Por vetëm pak orë pas kthimit të tij në Kanada ai shpalli largimin e vendit të tij nga Protokolli i Kiotos i vitit 1997.

"Kanadaja shfrytëzon të drejtën e saj legale, për ta braktisur Protokollin e Kiotos."

Këtë e deklaroi ministri, i cili e karakterizoi marrëveshjen shprehimisht si një pengesë në rrugën përpara.

Kanadaja është në këtë mënyrë vendi i parë, i cili braktis marrëveshjen - si një vend, që nuk zbatoi në masë të konsiderueshme premtimet vetjake. Kanadaja kishte premtuar që deri në vitin 2012 ta ulte me rreth gjashtë përqind emetimin e gazrave CO2, krahasuar me vitin 1990. Por që vitin e kaluar vlera ishte rreth 35 përqind më e lartë se ajo e vitit 1990. Për këtë, Kanadanë e kërcënonin në vitin e ardhshëm gjoba të shumës rreth 14 miliardë dollarë të SHBA, të cilat ministri Kent megjithatë nuk i përmendi në argumentimin e vendimit të tij. Në vend të kësaj, ai tërhoqi vëmendjen në faktin se SHBA dhe Kina - vendet me emetimin më të madh të gazrave të efektit serë- nuk qenë bërë që prej fillimit pjesë e Protokollit dhe kjo bëri që Protokolli të mos ketë sukses.

Nga ana tjetër, për të plotësuar kërkesat në llogari të fundit Kanadasë do t'i ishte dashur të shuante jo vetëm dritat, por edhe ngrohjet.

"Në një rast të tillë jo vetëm që do të qe bërë i nevojshëm ndalimi i gjithë industrisë agrare, por do të kish qenë e nevojshme që të mbylleshin edhe ngrohjet në banesa, zyra, spitale, fabrika dhe godina publike."

Opozita socialdemokrate në Dhomën e Ulët në Ottawa e akuzoi pas kësaj Kentin për përhapje të përrallave apokaliptike të tmerrit, ndërsa të Gjelbrit shkuan edhe një hap më tej. Kryetarja e Partisë Elisabeth May e kritikoi Kentin: ai e kishte çuar me qëllim në rrugë të gabuar OKB-në. I pyetur për planet dhe synimet e tij, ai u pati deklaruar Kombeve të Bashkuara se nuk do të tërhiqet nga Marrëveshja.

Autor:  Thomas Schmidt/ Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama