Kampionati Botëror i Atletikës së Lehtë ishte më shumë se një spektakël alla Bolt
24 Gusht 2009Përfundimin e Kampionatit Botëror të Atletikës së Lehtë, "Kölnische Rundschau" e komenton:
"Bota sportive përjetoi një mrekulli të vogël. Sepse në pistat blu përjetuan një renesancë disiplinat më të komplikuara të Atletikës së Lehtë: në kohën më të mirë të transmetimit, të ndjekura nga numri më i madh i njerëzve dhe të prezantuara me teknikën më moderne televizive. Vetëkuptohet që Kampionati Botëror do të kishte qenë i zbehtë pa Usain Bolt-in. Dhe: për këtë disiplinë do të ishte e barabartë me një goditje vdekjeprurëse, nëse ky i ri kapet ndonjëherë se ka mashtruar, se ka përdorur doping. Pas përvojave të dekadave të fundit, heronjtë janë gjithmonë edhe të dyshuar. Por Kampionati Botëror i Atletikës së Lehtë ishte më shumë se një spektakël alla Bolt. Ai tregoi se ia vlen që të mbash në Gjermani stadiume, të cilat e tregojnë atletikën nga ana e saj më e mirë."
Ndërsa "Heilbronner Stimme" e hedh vështrimin në aspekte ekonomike:
"Kampionati Botëror i Atletikës së Lehtë i dhuron qytetit të Berlinit në plan afatmesëm dhe afatgjatë një sukses ekonomik prej 120 milionë eurosh, duke mos përmendur këtu shtimin e pikëve për imazhin. Për pamjen pozitive kontribuan 3500 vullnetarët miqësorë dhe kompetentë, si dhe organizimi pa të meta si dhe sjellja korrekte e sportdashësve. Kaosi nëpër metro nuk u pa gjëkundi, terrorizmi nuk gjeti platformë. Kjo është një shenjë se Gjermania ka potencial për lojëra olimpike. Berlini është në formë të mirë." (dpa/aud/aca)