Ka marrë garanci Karaxhiçi nga Hollbruku?
1 Gusht 2008Në një intervistë për programin serb të radios Deutsche Welle ish-i ngarkuari i Bashkimit Evropian për Bosnjë-Hercegovinën, Shvarcshiling (Christian Schwarz-Schilling), u pyet ndër të tjera nëse është e vërtetë ajo që tha dje Karaxhiçi, se kishte marrë garanci nga negociatori amerikan Richard Holbrooke për mosndjekje penale:
"Nuk jam në gjendje të gjykoj lidhur me këtë. Megjithatë besoj se ai ka dijeni për gjëra që nuk do t'i pëlqejnë bashkësisë ndërkombëtare, pasi nuk më shqitet përshtypja se pengimi i operacioneve ajrore prej NATO-s mund të jetë bërë në marrëveshje me të. Ka gjëra mjaft të çuditshme; edhe në prag të Srebrenicës por edhe në zona të tjera. Prandaj besoj se kjo do të jetë një pyetje interesante. Gjithsesi, duhet bërë dallimi nëse ai gënjen apo thotë të vërtetën."
Ndërkaq në një prononcim për agjencinë e lajmeve Reuters vetë Hollbruk (Richard Holbrooke) e ka hedhur sërish poshtë pretendimin në fjalë të Radovan Karaxhiçit.