1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Këshill Kombëtar kundër korrupsionit

15 Shkurt 2012

Ky Këshill do të koordinojë aktivitetet në luftimin e korrupsionit. Kryetari i Kuvendit kërkon thellimin e luftës kundër kësaj dukurie.

https://p.dw.com/p/143rJ
Nga takimi i Këshillit kundër korrupsionit
Nga takimi i Këshillit kundër korrupsionitFotografi: DW

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, themeluese e Këshillit Kombëtar kundër Korrupsionit, tha se ky mekanizëm ka për qëllim bashkërendimin e punës dhe të aktiviteteve të institucioneve dhe të agjencive në kuadër të kompetencave dhe fushëveprimeve të tyre për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.

“Si presidente e vendit do të ndërmarr çdo veprim kushtetues dhe ligjor, që shton efikasitetin dhe efektivitetin e punës së institucioneve, të shoqërisë civile, të mediave dhe të çdo qytetari, për t'u angazhuar dhe për të dhënë kontributin konkret në luftën tonë të përbashkët kundër korrupsionit”, tha presidentja Atifete Jahjaga.

Lufta kundër korrupsionit duhet të thellohet

Të pranishëm në takimin e parë të Këshillit Kombëtar kundër Korrupsionit, ishin edhe Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, kryeministri Hashim Thaçi, përfaqësues të misioneve ndërkombëtare, ambasadorë e drejtues të institucioneve gjyqësore dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare.

Parlamenti i Kosovës ka miratuar shumë ligje, që ndihmojnë luftën kundër korrupsionit, por Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, tha se kjo dukuri negative e pranishme në Kosovë akoma nuk po luftohet sa duhet.

“Duhet ta themi qartë se se shoqëria kosovare dhe institucionet e Kosovës gjatë këtyre viteve nuk kanë arritur ta luftojnë në shkallën e duhur asnjë formë të krimit të organizuar. Krimi është duke penguar edhe në sferën politike dhe ekonomike, është duke e penguar Kosovën, për të ecur në rrugën e demokratizimit dhe të zhvillimit”, tha Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Këshilli Kombëtar kundër Korrupsionit në Kosovë do të nxjerrë raporte të rregullta për punën dhe aktivitetet e veta. Ky mekanizëm do të koordinojë aktivitete për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, do të identifikojë dhe do të përcaktojë prioritetet dhe politikat për zbatimin e agjendës legjislative në ngritjen e efektivitetit në luftën kundër korrupsionit.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi