1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Histori e papërshkrueshme'

20 Prill 2009

Biterfeldi dikur mbahej si qyteti më i pistë i RDGJ-së. 20 vjet mbas rënies së murit, njerëzit në Biterfeld (Bitterfeld) kanë probleme të tjera, tregon kryetari i bashkisë, Tisher (Tischer)

https://p.dw.com/p/GHFU
Copyright: Qyteti Biterfeld-Volfen
Kryetari i bashkisë Horst Tisher (d.) u tregon vizitorëve Biterfeldin "e tij"Fotografi: Stadt Bitterfeld-Wolfen

DW-WORLD.DE: Zoti Tisher, si e gjykoni zhvillimin e Biterfeldit mbas rënies së murit?

Horst Tisher: Për ta thënë shkoqur: Një histori e papërshkrueshme! Le të kujtojmë që Biterfeldi në kohën e komunizmit kishte namin e vendit më të pistë. Po ta krahasosh rajonin tonë me kohën e atëhershme, ajo që ka ndodhur është thuajse e pabesueshme.

Nuk ka asnjë anë negative?

Sigurisht që ky zhvillim nuk ka vetëm anë pozitive. Në kohën e kthesës politike ne kishim 75 mijë vende pune. Pjesa më e madhe e tyre janë mbyllur. Por tani ne kemi arritur tek një shifër e konsiderueshme me 40 deri 45 mijë vende pune. Kemi mundur ta rindërtojmë kiminë.

A mjafton kjo për banorët e Biterfeldit?

Natyrisht që edhe kërkesat e njerëzve janë rritur, kështu që nuk mund të themi se ata janë tërësisht të kënaqur. Por unë mendoj, se padurimi dhe pretendimet për më shumë mund të kenë pasoja pozitive.

Fabrika e Bayerit në Biterfeld Copyright: Qyteti Biterfeld-Volfen
Fabrika e Bayer-it në parkun kimikFotografi: Stadt Bitterfeld-Wolfen

Cilat janë shembujt më të mirë, që tregojnë se ç’ka fituar Biterfeldi në këta 20 vjet?

Parku kimik është një bashkëpunim i dy degëve të mëdha që operonin qysh atëherë këtu, kimia dhe industria e filmit. Të dy trojet e ndërmarrjeve, një sipërfaqe gjigante, janë rregulluar. Elementet helmuese janë asgjësuar tërësisht dhe është hapur vendi për impiante të reja industriale.

Për shembull?

Ne kemi filiale të mëdha të firmës Bayer AG, që prodhon për ne Aspirinën që njohin të gjithë. Afër saj ka reparte ku prodhohen lëndë bazë të ngjyrave ose të ngjashme. Kemi një fabrikë amerikane për prodhimin e xhamit të sheshtë. Kemi hapur portat edhe për një sërë sipërmarrjesh të vogla.

Si qendron çështja e mjedisit?

Një shembull për zhvillimin e Biterfeldit është një ri-natyralizimi i Goiçes (Goitzsche). Kjo gropë që kishte mbetur nga miniera sipërfaqësore sot është mbushur me ujë, megjithëse këtë e përshpejtuan përmbytjet e vitit 2002. Biterfeldi sot është një qytet me liqen.

Ju sapo thatë që një numër i madh vendesh pune janë mbyllur. Çfarë gjëje tjetër ka humbur Biterfeldi në këto 20 vite e për të cilën ju vjen keq?

Natyrisht që njerëzit, që janë larguar nga zona jonë, kanë lëvizshmëri më të madhe, janë më të kualifikuarit dhe më të rinjtë. Plakja që po ndodh përrjedhojë është diçka që na shqetëson disi. Por kemi ngulime të reja si për shembull në Solar Valley (Zona përreth sipërmarrjes për qelizat solare Q-Cells, shën. i red.), ku vijnë shumë njerëz për të punuar.

Porti i Biterfeldit Copyright: Qyteti Biterfeld-Volfen
Mol anijesh në liqenin e GoiçësFotografi: Stadt Bitterfeld-Wolfen

Biterfeldi është shkrirë në vitin 2007 me komuna fqinje në komunën Biterfeld-Volfen (Bitterfeld-Wolfen). Përse?

Kishim kohë që e bluanim në kokë këtë bashkim. Shumë kohë para se të bëhej bashkimi ne flisnim për zonën Biterfeld-Volfen. Ky fuzionim ka të bëjë me faktin, që zonat tona industriale shtrihen në pesë komuna. Kështu që në mënyrë që t’i trajtonim sa më shpejt kërkesat e ekonomisë, menduam të bashkohemi. Afria e komunave me njëra-tjetrën ishte kaq e madhe saqë kufijtë mes komunave ose qyteteve ishin zhdukur. Me pak presion nga industria, me pak mirëkuptim nga ana e aktorëve politike dhe e tëra si përfundim bëri që ne të bashkohemi.

Dëgjohet si martesë me detyrim

Unë mendoj se çdo bashkim është i vështirë në fillim. Ne ende kemi probleme. Por unë jam i bindur se do t’i kapërcejmë. Do të duhet ca kohë derisa bashkimi të ketë hyrë në kokat e të gjithëve. Më parë ka pasur edhe disa rivalitete mes dy qyteteve të mëdha, Biterfeldit dhe Volfenit. Ato duhet të kalohen, por unë mendoj, se atëherë ne do të mund t’i shohim edhe pasojat e mira të bashkimit.

Merrni guximin dhe hidhni një vështrim në të ardhmen: si e shikoni Biterfeld-Volfenin në pesë deri dhjetë vjetët e ardhshëm?

Ne edhe më tej përpiqemi ta çojmë përpara zhvillimin sidomos në Solar Valley dhe parkun kimik si dhe përsosmërinë e mundësive të pushimit në Goiçe duke përmirësuar edhe marketingun. Por, e tëra kjo do të duhet të bëhet me durim, e për këtë duhet folur qartë edhe me popullsinë. Nuk do të ketë zhvillime të befasishme, si menjëherë mbas kthesës. Edhe më tej ne duam ta fokusojmë të ardhmen tonë drejt një qyteti industrial në buzë të liqenit.

Autor: Martin Schrader / Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama