1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

231208 Weihnachten Köhler

24 Dhjetor 2008

Presidenti gjerman Horst Këhler në fjalën e tij me rastin e Krishtlindjeve vëmendje të posaçme i kushton krizës financiare. Nga ekonomia ai kërkon mbrojtjen e interesave të përgjithshme të shoqërisë.

https://p.dw.com/p/GMUd
Horst Këhler. Fjalimi me rastin e krishtlindjeveFotografi: AP

Të dashur bashkëvendas, bashkëshortja ime dhe unë ju urojmë Krishtlindje të gëzuara dhe të bekuara. Për secilin prej nesh, të krishterë apo jo, pamjet e Krishlindjeve janë të ndritshme: Lindja e një fëmije në një stallë, në një grazhd dhe ardhja e dritës në botë. Njerëzit në halle dhe frikë e dëgjojnë thirrjen: "Mos kini frikë!" Për këtë festë dhe këtë mesazh kemi nevojë çdo vit, sepse as në përditshmërinë tonë gjërat nuk janë të gjitha ashtu siç duhet.

Kjo vlen për jetën personale, sepse edhe në familje ndodhin grindje. Në jetë na prekin sëmundje, ndjenja e vetmisë dhe vdekja e njerëzve të dashur. Shumëkush ka pasur përvoja të tilla gjatë këtij viti. Shpresoj se edhe ata do të gjejnë prehje, besim dhe optimizëm.

Sonte mendja më shkon edhe tek ushtaret dhe ushtarët tanë, të cilët kujdesen diku larg për sigurinë dhe rindërtimin. Ata i shërbejnë paqes, duke mos kursyer trupin dhe jetën. Ne i falënderojmë për angazhimin e tyre.

Të gjithëve na brengos kriza financiare mbarëbotërore dhe pasojat e saj. Nuk mund të merret me mend sa para kanë humbur. Shumëkush ka frikë për kursimet e veta dhe për vendin e punës. Shteti bëri mirë, kur vendosi të veprojë me vendosmëri për mbrojtjen e sipërmarrjeve, me qëllim që njerëzit të kenë punë dhe të ardhura të sigurta. Duhet të angazhohemi edhe më shumë, por besoj se do t'i tejkalojmë edhe këto sfida.

Pse? Sepse vendi ynë, qytetarët tanë dhe përfaqësuesit e politikës kanë reaguar si duhet. Besoj se edhe në të ardhmen mund të llogarisim me një sjellje të tillë. Jam i bindur edhe për faktin se ne kemi një fundament të mirë. Reformat e viteve të kaluara dhe gatishmëria e sipërmarrjeve për bashkëveprim, na kanë forcuar për t'i kryer me sukses të gjitha detyrat. Jam i gëzuar për shkak të ideve të shumta, forcës së veprimit dhe relaksimin që shihet në mbarë vendin. Ne jemi të pajisur mirë me fuqi njerëzore, njerëz të aftë, të motivuar për punë dhe me shumë ide, sipërmarrje të guximshme dhe miliona qytetarë që i kryejnë detyrat e tyre dhe e ndihmojnë njëri-tjetrin. Kjo na jep fuqi.

Në këtë krizë unë shoh edhe një shans për bashkëpunim më të mirë mes popujve. Një shans për vendosjen e një rregulli më të mirë në ekonomi dhe financa, ku kapitali është në shërbim të të gjithëve dhe askush nuk e ndjen veten të sunduar nga kapitali. Nëse të gjithë angazhohemi në këtë drejtim, nga kriza do të dalim edhe më të fortë.

Ka ardhur koha që ata që mbajnë përgjegjësitë të japin edhe llogari. Kemi nevojë për kujdes dhe për të mirën e përgjithshme. Kemi nevojë për mirësjellje, modesti dhe masë. Besueshmëria do të na rikthejë mirëbesimin. Eshtë kjo një lidhje që shoqërinë tonë e mbanë të bashkuar.

Të dashur bashkëvendas, këtë lidhje duhet ta forcojmë së bashku. Kjo është në duart tona. Mundësitë tona le të të jenë burim force. Unë falënderoj edhe të gjithë, ata të cilët në ditët e festave u duhet të punojnë se ua kërkon vendi i punës apo vullnetarisht. Puna e tyre është në të mirë të të gjithëve. Bashkëshortja ime dhe unë u urojmë të gjithëve nga zemra gjithë të mirat dhe si thuhet në një këngë të vjetër, ju urojmë Krishtlindje të gëzuara, të bekuara dhe mëshirëplota.