1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Juratoviç: BE të pozicionohet qartë për Ballkanin Perëndimor

Komisioni i Politikës së Jashtme në Bundestagun gjerman pati në rend të ditës (08.06) edhe zhvillimet në Maqedoni. Për DW flet deputeti socialdemokrat Josip Juratoviç.

DW: Në rendin e ditës të Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme ishte edhe gjendja aktuale në Maqedoni, çfarë të reje ka pas bisedimeve të zhvilluara?

Josip Juratoviç: Për fat të keq nuk ka detyrimisht të reja. Kjo do të thotë, se ishte më shumë një shkëmbim mendimesh për t'u informuar, ku ne na u përshkrua edhe një herë gjendja nga ana e Ministrisë së Jashtme dhe se si do të ecet më tej. Unë personalisht e përshëndes faktin, që edhe angazhimi i Gjermanisë ka qenë gjithmonë mjaft i fortë në rajon, dhe kjo u përforcua edhe një herë me ambasadorin Haindl, si i dërguar i posaçëm për Maqedoninë. Po bëhen përpjekje, që kriza në Maqedoni, e cila po zgjat shumë, të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Cilat janë kërkesat konkrete apo dëshirat, që i paraqiten qeverisë maqedonase edhe nga ana e politikës në Gjermani?

Së pari është e qartë, që marrëveshja e Përzhinos duhet të zbatohet sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që reformat të avancohen, e në radhë të parë të përmbushen kushtet për zgjedhjet - pra pastrimi i listave elektorale duhet të realizohet sa më shpejt. Së dyti duhet të garantohet qëndrimi korrekt me mediat dhe ndarja e partisë nga shteti - kur të realizohen këto ne duhet të ndihmojmë. Por në radhë të parë për këtë janë përgjegjëse forcat në vend: duhet të bëhet presion, që të gjitha këto të zbatohet sa më shpejt të jetë e mundur. Në mënyrë që së pari të zgjidhet parlamenti, sepse në fakt ky është institucioni më i lartë në një shoqëri demokratike. Dhe shteti nuk mund të funksionojë pa parlamentin. Kjo duhet të ketë prioritet absolut.

Ju thoni, se kjo duhet të ndodhë shpejt. Për çfarë hapësirash kohore e keni fjalën? A ka afate konkrete?

Kësaj here nuk janë përmendur afate të fiksuara kohore, sepse dy herë ato nuk u respektuan. Por duhet të bëhet presion - pa përmendur një datë - ndaj të gjitha palëve, që kushtet të përmbushen sa më shpejt dhe zgjedhjet të mund të zhvillohen sa më parë që të jetë e mundur.

Demonstruesit megjithatë kanë vendosur afate konkrete. Ata kërkojnë që deri më 18.06 të shqyrtohet kushtetushmëria e ligjit për prokurorinë dhe të shfuqizohet edhe ndjekja penale ndaj demonstruesve. Si e shihni ju këtë?

Kjo është padyshim një kërkesë e mençur - për të bërë presion, për të vendosur një datë e natyrisht edhe që të funksionojë shteti ligjor. Më e rëndësishmja është, që në këtë kontekst të jetë e pandëshkueshme e drejta për të demonstruar. Nga ky këndvështrim kjo është një kërkesë e drejtë. Por se si ajo do të zbatohet unë nuk e di dhe as nuk mund ta them tani, po ne natyrisht japim mbështetjen tonë.

Çfarë i këshilloni ju partrisë simotër socialdemokrate në Maqedoni? Në të gjitha bisedimet, në BE si dhe me ambasadorin Haindl përfshihet gjithmonë opozita. Ç'qëndrim duhet të mbajë opozita?

Sa i përket opozitës, ajo duhet të veprojë në mënyrë kooperuese me shoqërinë civile për të arritur, që dikur të përcaktohet koha, se kur mund të zhvillohen zgjedhjet. Pra kjo do të thotë, që opozita mban bashkëpërgjegjësi dhe duhet të jetë e vetëdijshme për këtë, që edhe zgjedhjet - natyrisht me kushte të qarta - të zhvillohen sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse ndryshe ato do të mbeten varur.

A ka një konsultim dhe mbështeje konkrete nga ana e socialdemokratëve?

Natyrisht që kemi lidhje me partitë simotra edhe në nivel europian. Natyrisht ne i mbajmë lidhjet edhe përmes Fondacionit Friedrich Ebert. Unë vetë javën e ardhëshme do të jem në Shkup, më 20 qershor. Atje do të vendos kontakte dhe do të njihem me situatën në vend e të dëgjoj bashkëbiseduesit dhe konform gjendjes do të përforcojmë bashkëpunimin.

Në fillim ju thatë, se duhet të vazhdohet të bëhet presion. Ndërkohë amnestia është shfuqizuar dhe të krijohet përshtypja, se ka lëvizje. A janë shmangur tani nga diskutimi kërkesat për sanksione?

Unë mendoj, se me sanksione duhet të jemi të kujdesshëm, në radhë të parë ky është mendimi im personal, sepse nuk e di se çfarë efekti mund të arrijnë ato në të vërtetë. Shumë më e rëndësishme është, që të forcohet dialogu, të përforochet presioni dhe që BE-ja të tregojë vendosmëri. Kjo është bërë deri tani.

Ajo që sipas meje është e rëndësishme, këtë e kam shprehur qartë, në përgjithësi sa ka të bëjë me Ballkanin Perëndimor: dikur edhe BE-ja, pra Brukseli, duhet të verë thekse të qarta, që ka vullnetin t'i integrpjë këto shtete në BE – që ta verë faktikisht në jetë premtimin e Selanikut. Unë jam i mendimit, se gjendja aktuale në Maqedoni është krijuar ndër të tjera edhe sepse Maqedonia që nga viti 2008 pret një perspektivë në BE dhe është e përgatitur, por kjo e gjitha bllokohet nga Greqia. Në këtë drejtim duhet menduar seriozisht, nëse BE-ja mund të arrijë diçka. Kjo është urgjentisht e domosdoshme, jo vetëm në Maqedoni, por në të gjithë rajonin. Nëse është vendosur, që këto vende të pranohen në BE, atëherë duhet të fillohet të negociohet edhe me kapitujt 23 dhe 24, që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe drejtësinë e pavarur, sepse përmes procesit të negociatave krijohen edhe kritere e norma. E të gjitha këto gjëra, për të cilat ka nevojë popullsia në rajon, duhet të vihen në udhë për të dhënë sinjale të qarta politike dhe për të vepruar konform në nivelin politik.

Përgjegjësia në radhë të parë është e popullsisë maqedonase dhe qeverisë së saj, por nga ana tjetër edhe e jona si europianë, që duhet ta themi qartë: duam apo nuk duam tani? Nëse duam, atëherë duhet edhe të angazhohemi më shumë.

Kjo do të thotë më shumë angazhim i politikës gjermane dhe europiane lidhur me integrimin e Ballkanit Perëndimor?

Gjermania ndërkohë ka filluar me Konferencën e Berlinit që ta trajtojë çështjen e zhvillimit ekonomik rajonal të Ballkanit Perënidmor. Vazhdimi i saj ishte në Vjenë, e tani pason Parisi. Mendoj, se Gjermania ka treguar një angazhim të mirë. Unë dëshiroj më shumë, që jo vetëm nga Gjermania, por edhe nga këndvështrimi europian të përforcohet ky angazhim. Mendoj, se duhet të angazhohen më shumë nga Europa, sepse tek e fundit këto vende, nuk kufizohen me Gjermaninë, por me Bashkimin Europian. Ndaj kjo duhet të jetë edhe në interesin e unionit.