1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Junker viziton Kosovën

Bekim Shehu
28 Shkurt 2018

Presidenti i Komisionit Evropian i shoqëruar dhe nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Mogherini dhe Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn, qëndruan në Kosovë në kuadër të vizitave që po zhvillojnë në vendet e Ballkanit.

https://p.dw.com/p/2tU75
Kosovo Jean-Claude Juncker & Hashim Thaci
Fotografi: Office of the president of Kosovo

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, u tha udhëheqësve politik kosovarë se "Kosova duhet t'i përmbushë sa më parë detyrimet që ka marrë në mënyrë që qytetarët e këtij vendi të përfitojë në procesin e liberalizimit të vizave”. "Është esenciale që Kuvendi i Kosovës ta miratojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Ky është një hap kyç dhe i pashmangshëm për liberalizimin e vizave. Shqiptarët dhe serbët do të jenë përfituesit e parë. Nuk më kënaq fakti që kosovarët janë të vetmit në rajon që nuk mund të udhëtojnë lirshëm", tha Junker gjatë një konference të përbashkët për mediet me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Konferenca për medie ishte tejet e shkurtër, dhe Junker nuk përmendi ndonjë datë të qartë për liberalizimin e vizave, nëse kuvendi ratifikon demarkacionin. Junker në këtë kuadër përmendi edhe përpjekjet për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, fenomene këto që duhet luftuar sepse, edhe ky është kusht për liberalizim.

Normalizim i raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit

Presidenti i Komisionit Evropian i cili e viziton Kosovën për herë të parë, tha se ai dëshiron që raportet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të normalizohen dhe kjo të arrihet përmes dialogut ndërmjet të dyja vendeve.

"Ne duam që marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë të vihen në një bazë të re. Është themelore që kosovarët dhe serbët të gjejnë një pajtim midis tyre, e cila do të jetë juridikisht detyruese për të ecur së bashku drejt Evropës”, tha Junker.

Kosovo Jean-Claude Juncker & Hashim Thaci
Fotografi: Office of the president of Kosovo

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga ana e tij, tha se Kosova e ka të qartë rrugën e saj drejt BE-së, ndërsa vizitën në Kosovë të tre krerëve të BE-së e cilësoi si një sinjal të qartë se BE-ja e do Kosovën në strukturat e saj. "Lidhur me perspektiven tonë evropiane ne nuk jemi duke kërkuar ndonjë rrugë të shkurtër, mirëpo vetëm presim trajtim të barabartë dhe qartësi në rrugën tonë përpara, sepse jam i bindur se kjo do të rezultojë me stabilitet e paqe, si dhe bashkëpunim në gjithë rajoni tonë", tha Presidenti Hashim Thaçi, duke ripotencar se "dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është një proces i vështirë por një rrugë e vetme që do t'u jepte fund konflikteve”.  "Kosova është plotësisht e përkushtuar ndaj këtyre dy qëllimeve dhe detyra jonë është që si hap të parë të sigurojmë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe natyrisht, të punojmë me përkushtimin më të lartë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja përmes një marrëveshjeje përfundimtare”, tha Thaçi.

Demarkacioni me Malin e Zi

Në këtë ditë kur në Kosovë qëndronin tre krerët e Bashkimit Evropian, Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, shefja e diplomacisë së BE-së Federika Mogherini dhe komisioneri për zgjerimin Johanes Hahn, parlamenti i Kosovës kishte seancë të jashtëzakonshme për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Mirëpo, pa ndonjë shpjegim të qartë, nuk u hodh në votim ligji për demarkacionin me Malin e Zi, i paralajmëruar me shumë bujë se sot kuvendi mund ta ratifikoje marrëveshjen. Në fillim të seancës, deputetët votuan për shmangie të procedurës, duke mënjanuar kështu debatin për demarkacionin, debat ky që është konsumuar tash e gati tre vjet.

Ramush Haradinaj im DW-Interview
Fotografi: DW

Pas shmangies procedurale të paraparë me Rregulloren e Kuvendit, kryeparlamentari Veseli, kërkoi pauzë me qëllim që shefat e grupeve parlamentare t'i harmonizojnë qëndrimet për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit i cili më pas do të nxirrej në votim para deputetëve. Mirëpo, kjo nuk ndodhi sepse, shumë deputetë nuk ishin të pranishëm në sallë. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se "në aspektin kohor, mund të shtyhet seanca për votimin e projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, sepse disa deputetë shqiptarë ndodhen në Podgoricë për një vizitë.”

Prania ndërkombëtare në Kosovë, vazhdimisht po u bën thirrje deputetëve që ta votojnë ligjin për demarkacionin. Kësaj thirrje iu bashkua edhe ambasada e Gjermanisë në Prishtinë. "Ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkimin e kufirit është një hap vendimtar drejtë arritjes përfundimtare të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Me ngulm inkurajojmë partitë politike të bashkëpunojnë dhe të arrijnë një konsensus. Arritja e një konsensusi është në interesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe duhet të merret si përgjegjësi e përbashkët për këtë vend”, citojnë mediet lokale ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë.

Lëvizja Vetëvendosje kundër ratifikimit

Çështja e demarkacionit me Malin e Zi, është temë debati në Kosovë tash e më shumë së dy vjet. Dy tentime në kuvendin e Kosovës për ta ratifikuar demarkacionin me Malin e Zi, dështuan javën e shkuar, sikundër një tentim tjetër dështoi sot, për shkak të dallimeve të mëdha që kishin partitë politike rreth kësaj çështjeje. Gjatë fundjavës kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i kuvendit Kadri Veseli dhe shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, u dakorduan rreth kësaj çështjeje, mirëpo kundër ratifikimit të demarkacionit vazhdon të jetë lëvizja Vetëvendosje dhe lista Srpska. Lëvizja Vetëvendosje është kundër, sepse thotë se Kosova po humbet territor, ndërsa, lista Srpska, thotë se për këtë subjekt më i rëndësishëm është formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, sesa demarkacioni me Malin e Zi. Të dyja këto subjekte politike përfaqësohen me 42 deputetë, ndërsa, për t'u ratifikuar demarkacioni që është kusht për liberalizimin e vizave, nevojiten 80 vota nga 120 sa i ka parlamenti i Kosovës.

Anti-serbische Proteste in Pristina VETEVENDOSJE 2
Fotografi: picture-alliance / dpa

Presidenti i Kosovës Hashim Thaci, është i bindur se parlamenti i Kosovës do ta ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi në ditët në vijim, ndërsa, kërkoi nga Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker si tha, "që në momentin që kjo të ndodhë, jam i bindur se Komisioni Evropian, do t'i jap fund izolimit të qytetarëve të Kosovës”. Kosova është i vetmi vend në Evropë që akoma ka regjim vizash për në vendet e zonës Shengen.