1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jetesa e Krimesë kalon përmes Ukrainës

Stephanie Höppner/Amarildo Topi15 Mars 2014

Elektricitet, ujë, gas, ushqime: Krimea furnizohet më shumë nga toka kontinentale ukrainase. Kjo mund të ndryshojë për keq në rast se banorët e gadishullit do të votojnë për një bashkim me Rusinë.

https://p.dw.com/p/1BPv8
Fotografi: imago/ITAR-TASS

Këtë të dielë (16.03.2014), gadishulli i Ukrainës, Krimea, do të votojë për një referendum nëse do të bashkohet me Rusinë. Për rezultatin e tij ka pak dyshime, duke qenë se pjesa më e madhe e banorëve atje janë rusë etnikë. Por edhe nëse arrin pavarësinë e saj formale nga Ukraina, sërish do të jetë e varuar nga ajo për ushqime dhe shërbime të tjera.

Ujë, gas dhe elektricitet vjen nga një korridor i ngushtë nga Ukraina. Nuk ka asnjë rrugë direkte që e lidh me Rusinë përveç linjës së trageteve që kalon në ngushticën Kerch. "Nuk ka asnjë mënyrë tjetër përveç furnizimit nga Ukraina edhe nëse Krimea bëhet pjesë e Federatës Ruse", thotë Gabriele Baumann, drejtues i zyrës së Fondacionit Konrad Adenauer në Kiev.

Furnizimi i Krimesë ka qenë i vështirë edhe 60 vite më parë, në vitin 1954 gadishulli iu transferua atëhere Republikës Sovjetike Socialiste të Ukrainës. "Kjo u bë për arsye të pastra ekonomike, sepse gadishulli nuk mund të furnizohej nga territori i Bashkimit Sovjetik, e në veçanti me ujë", thotë Wolfram Roebuck, kryetar i Agjencisë së Energjisë Europiano-Ukrainase. Ajo çka shpesh quhet si një dhuratë për Ukrainën nga lideri sovjetik Nikita Hrushov, në radhë të parë ishte një zgjidhje për një problem energjitik.

Karte der Autonomen Republik Krim Englisch
Fotografi: DW

Burimet e Krimesë

Edhe sot Krimea nuk ka rezerva të mjaftueshme uji. Klima e rajonit ështe e thatë dhe e nxehtë, dhe pjesa më e madhe e përrenjve dhe lumenjve thahen në muajt e verës. Pjesa më e madhe e ujit, më shumë se 80%, vjen nga lumi Dnieper përmes Kanalit Verior të Krimesë, që fillon në rezervuarin e Kakhovkas në juglindje të Ukrainës.

Gadishulli harxhon gjithashtu rreth 1.2 gigavat elektricitet në vit. Në Krime janë vetëm katër stacione termalë që prodhojnë vetëm 1/10 e energjisë së nevojshme. Pjesa tjetër vjen e gjitha nga pjesa kontinentale e Ukrainës. Përveç kësaj 90% e gjithë ushqimit dhe të mirave industriale vijnë përmes Ukrainës.

Gadishulli ka rezerva të mjatueshme vetëm sa i përket gazit. Kompania shtetërore Chernomorneftegaz nxjerr naftë dhe gaz në bregun perëndimor dhe Detin Azov, duke mbuluar dy të tretat e kërkesës për gaz. "Prospektet e Krimesë janë pozitive nga pikëpamja energjitike dhe mund të bëhet eksportuese në fushën e gazit ", sepse thuhet se Deti i Zi mban ende shumë rezerva, thotë Rehbock. Pjesa tjetër e gazit vjen përmes një tubacioni nga Ukraina.

Bildergalerie Krim Referendum 08.03.2014 Simferopol
Jo të gjithë banorë e Krimesë duan të bashkohen me RusinëFotografi: Getty Images

Nevojitet marrveshje e re për energjinë

Por nëse Krimea aneksohet nga Federata Ruse, situata e furnizimit mund të ndryshojë. Kievi teorikisht mund të ndërpresë furnizimin me ujë duke lënë dy milion banorët e Krimesë në thatësirë. "Por unë nuk mendoj se ata do të bëjnë një gjë të tillë. Sepse mund të çonte në një katastrofë humanitare që nuk do ta donte askush", thotë Roebuck.

Në këtë situatë mund të thuhet se Krimea varet nga Ukraina dhe Ukraina varet nga Rusia. Prandaj një marrveshje do të ishte e pashmangshme. "Nëse njëra nga palët do të ndërpresë furnizimet, do të shkaktonte një reaksion zinxhir", vazhdon më tej Roebuck.

Një urë me Rusinë?

Një marrveshje alternative me Ukrainën do të ishte e vështirë: Nuk ka rrugë të tjera furnizimi. Për të ndryshuar këtë situatë u bënë disa përpjekje shumë vite më parë. Ka patur diskutime për një urë me Rusinë që në vitet 90'.

Në krizën aktuale, çështja ka dalë sërish në sipërfaqe. Kryeministri rus Dmitri Medvedev tha se ura do të ndërtohet në rast se Krimea do të bëhet pjesë e Rusisë. Ura do të ishte 4.5 kilometra e gjatë dhe do të kushtonte rreth 500 milion Euro, e do të nevojiteshin disa vite për ta ndërtuar.

Pavarësia për ujin dhe energjinë, nga ana tjetër do të kërkojë më shumë kohë. Projektet e ndërtimit kërkojnë vite për tu përfunduar e ndonjëherë edhe dekada.